viktor forgacs fcdqdjum6b4 unsplash

Maj 2020


Gjatë këtyre ditëve të fundit, frika ndaj virusit korona është rritur, ndërsa numri i rasteve dhe vendeve të infektuara janë shumëfishuar. Janë raportuar mbi 3,000,000 raste në më shumë se 200 kombe. Më shumë se 200,000 persona kanë vdekur.

Ndërsa mësojmë gjithmonë e më shumë gjëra me kalimin e ditëve, ka ende shumë gjëra  rreth virusit që nuk i dimë (dhe mund të mos i marrim vesh për ca kohë, ose asnjëherë). Kjo është pjesë e fuqisë tronditëse të tij: frika e tmerrshme nga e panjohura.

Poshtë frikës tonë nga COVID-19 qëndron vazhdimisht frika e vdekjes, e cila skllavëron shumicën e botës, shpeshherë e fshehur përgjatë gjithë jetës (Hebrenjve 2:15). Komenti i C. S. Lewis lidhur me luftën është shumë me vend pikërisht në këto ditë pandemie:

Çfarë efekti ka lufta (ose virusi Korona) te vdekja? Sigurisht që nuk e shpeshton; 100% prej nesh vdesin dhe kjo përqindje nuk mund të rritet. Mund të shkaktojë disa vdekje të hershme, por nuk mendoj se kjo është frika jonë… E megjithatë lufta ka një efekt mbi vdekjen. Na detyron ta kujtojmë atë… Lufta e bën vdekjen reale përpara nesh. Kjo do të konsiderohej si një nga bekimet e mëdha të saj nga të krishterët e mëdhenj të së shkuarës. (“Të mësosh në kohë lufte”)

Realiteti i vdekjes nuk ka ndryshuar. Ajo që ka ndryshuar gjatë javëve të fundit, të paktën për disa nga ne, është se tani jemi të vetëdijshëm për atë që në mënyrë të pashmangshme do t’i ndodhë gjithsecilit prej nesh një ditë. Dhe, nëse do të jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe pranojmë atë që Perëndia po na thotë përmes COVID-19, do të kuptojmë se edhe një virus i tmerrshëm dhe vdekjeprurës mund të jetë një mënyrë e çuditshme dhe pak e hidhur e Perëndisë për të treguar mëshirën e Tij.

Ndërkohë që ne të krishterët, si mbrojtës të jetës, e marrim pandeminë seriozisht, dhe edukohemi në pajtim me situatën edhe marrim masat e duhura, COVID-19 shërben në fakt si një paralajmërim për të gjithë ne. Gjithashtu vlen dhe si kujtesë për detyrën që kanë të gjithë ata që e duan Krishtin dhe e ndjekin Atë. A do të munden ata që janë çliruar nga frika e vdekjes, të marrin përsipër rrezikun, që shumë në botë refuzojnë ta marrin dhe të shpërndajnë shpresën midis atyre që jetojnë në frikë, që janë infektuar ose po vdesin?

Pjesa më e madhe e botës mund të jetë e shurdhër ndaj paralajmërimit hyjnor në këtë pandemi botërore. Por Zoti i qiellit, Ai që sundon mbi çdo mikrob dhe molekulë të gjithësisë, i thotë kujtdo që ka veshë për të dëgjuar:

Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena. (Mateu 10:28)

Ndërsa përqindja e vdekjeve është më e ulët se në epidemitë e mëparshme, si SARS apo MERS, virusi është shpërndarë shumë më shpejt dhe më gjerë, duke nënkuptuar që edhe pse përqindja mund të duket më e vogël, miliona njerëz mund të vdesin, sidomos ata që janë më të dobët dhe më të pafuqishëm.

Megjithatë paralajmërimi te Mateu 10 vjen bashkë me një premtim të mrekullueshëm për të gjithë ata që kanë frikën e Perëndisë dhe gjejnë strehë tek Ai. Në vargun tjetër Jezusi thotë:


A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj. Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara. Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.

(Mateu 10:29-31)


Ndërkohë që Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) po lufton për ta mbajtur nën kontroll përhapjen e COVID-19, Ati yt në qiell është i kujdesshëm për çdo fije floku të kokës tënde. Ai mbretëron mbi pandeminë mbarëbotërore dhe kujdeset për çdo nevojë tënden. Nëse ti ose unë vdesim, në Krishtin, nuk do të ndodhë për shkak se Ai na ka harruar apo na ka braktisur.

Kujtdo që i është dhënë dhurata e jetës ka provuar dhe frikën e vdekjes. Kushdo që ka gjetur rrugën e ngushtë që të çon te jeta e vërtetë dhe e përjetshme, ka parë se si Krishti e ka kthyer kokëposhtë frikën e vdekjes. Apostulli Pal, që pothuajse vdiq shumë herë duke ndjekur hapat e Zotit të tij të kryqëzuar, deklaron:


Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim. Por nuk e di se jeta në mish të jetë për mua një punë e frytshme, as mund të them çfarë duhej të zgjedh, sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë.

(Filipianët 1:21-23)


Kohë të tilla na vënë në provë, nëse do të shprehemi dhe ne njësoj. Mund të jetë e thjeshtë të themi të jetuarit është Krishti, dhe të vdekurit është fitim, kur na kushton pak dhe vdekja duket larg. Është tjetër gjë të themi të njëjtën gjë, kur ka një sëmundje që po përhapet, dhe ne apo një i afërmi ynë mund të vdesë. A është vdekja në fakt lajm i mirë për ata që e duan Jezusin? COVID-19 paraqet një sfond të ri dhe më të errët, në të cilin Perëndia po thotë sërish: Jeta pas vdekjes është më e mirë, madje më e mirë dhe se jeta më e mirë dhe më e ëmbël këtu në tokë.

Patjetër që vetë vdekja nuk është më e mirë. Është një tmerr dhe një armik që duhet urryer. Por me Krishtin vdekja bëhet gjithashtu shërbëtor – një derë përmes së cilës kalojmë në praninë e sigurt dhe thellësisht të mrekullueshme të Jezusit, përgjithmonë. Vdekja është fitim, jo sepse përjetimi i vdekjes ka më pak gjasa, apo është më pak i mjerueshëm, por për shkak të asaj që vdekja na jep, për shkak të Atij që vdekja na jep. A do të përballemi me pasigurinë e këtyre ditëve me dashuri plot kurajë për shkak të asaj që vdekja tashmë përfaqëson për ne?

Pali e dinte se vdekja ishte më e mirë  se ca vite më shumë mbi tokë. Por ai gjithashtu e dinte se ç’duhet të bënte me ditët e mbetura. “Sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë, por të qëndruarit në mish është më i nevojshëm për ju. Këtë e di me siguri, që do të rri dhe qëndroj me ju të gjithë për përparimin tuaj dhe për gëzimin e besimit tuaj.” (Filipianëve 1:23-25). Edhe pse dëshironte shumë të ishte me Jezusin, ai sërish e dha veten për shpirtrat përreth tij, duke punuar, duke sakrifikuar dhe duke rrezikuar për përparimin dhe për gëzimin e tyre në besimit.

A do të mundet kisha, që në momentin e duhur dhe me mençuri të madhe, të ngrihet për të plotësuar nevojat përreth nesh, duke i shërbyer kështu përparimit dhe gëzimit të të tjerëve në besimin e tyre në Jezusin? Ky lloj guximi nuk duhet të jetë kokëkrisur apo anashkalim i rregullave, duke injoruar paralajmërimet e mençura publike. Një nga gjërat më të mira që mund të bëjmë tani është ta kufizojmë dhe të ngadalësojmë përhapjen e virusit. Por ky lloj guximi gjithashtu do të thotë se, kurdo të jetë e nevojshme ndërhyrja në ditët në vazhdim, ne do të jemi gati, pikërisht atëherë kur shumë pak janë gati.

Davis Brooks na kujton se gjatë pandemisë së gripit spanjoll që goditi Amerikën në 1918… ndërsa kushtet përkeqësoheshin, punonjësit e shëndetësisë në çdo qytet luteshin për vullnetarë që të kujdeseshin për të sëmurët. Shumë pak u treguan të gatshëm. Në Filadelfia, drejtuesi i urgjencës u përgjërua për vullnetarë që të kujdeseshin për fëmijët e sëmurë. Askush nuk iu përgjigj thirrjes.

Nëse na presin kohë të tilla, të krishterët, të çliruar nga frika e vdekjes, mund të jenë të parët që tregohen të gatshëm. A do t’i përgjigjemi ne kësaj thirrjeje, nëse klinikat dhe spitalet të mbushura plot, nuk do të mund të kujdesen dot për të gjithë?

Në vitin 1519, kur sëmundja e Murtajës së Zezë arriti në Zyrih të Zvicrës, vendbanimi i pastorit dhe reformuesit Ulrich Zwingli, sëmundja kishte shfarosur tashmë 1/3 e popullsisë. Zwingli kishte qenë me pushime. Ndërsa gjithë të tjerët u larguan nga qyteti, ai me guxim iu fut punës për t’u kujdesur dhe për të ngushëlluar të sëmurët, dhe për t’u treguar për shpresën që ai kishte në Jezusin.

Ndërsa rrezikonte jetën duke besuar se Krishti kishte një popull të madh në atë qytet të infektuar (Veprat 18:9-10) dhe se Ai do të ishte bashkë me të në mes të rreziqeve (Isaia 43:1-3; Mateu 28:20), Ulrich u infektua dhe pothuajse vdiq. Por jo më kot dhe jo pa shpresë, sepse vuajti në shtegun e Dashurisë.

Kur ishte në kthetrat e sëmundjes, ai shkroi disa poezi me këto vargje:

Në besim dhe shpresë
Tokën e lë.
I sigurt për qiellin.
Sepse i Yti jam.

Dhe më vonë, ndërsa simptomat e tij përkeqësoheshin shkroi:

Ai s’më lëndon,
Humbja s’më tremb,
Sepse këtu jam shtrirë
Poshtë kryqit tënd.

Shpresa e Zwingli-t për qiellin nuk e bëri atë moskokëçarës apo egoist përballë sëmundjes dhe vdekjes. Ajo e mbushi atë me kurajë, kurajë që e frymëzoi të shikonte, dhe të përpiqej të kujdesej për nevojat e të tjerëve. Duke e ditur shumë mirë riskun dhe çfarë e priste në anën tjetër të vdekjes, ai e pranoi rrezikun me risk të lartë për veten, që të kujdesej për ata që vuanin, sidomos për ata që ishin të caktuar të vuanin në përjetësi.

Qoftë e vërtetë edhe për ne, që si të krishterë të mund të shkojmë drejt fqinjëve në nevojë, jo larg tyre; që si kisha të hapim krahët dhe dyert kur spitalet të mbushen plot; ndërsa përqafojmë rreziqet e duhura, në kohën e duhur, duke i mbushur qytetet tona të frikësuar me emrin e Jezusit.

Është e lehtë që ungjilli të nënvlerësohet në kohë paqeje. Nga çfarë mund të kemi frikë në ato kohë? Por nuk është kështu gjatë një pandemie. Kur një shpërthim i kolerës ndodhi në Londër, Charles Spurgeon paralajmëroi këdo në Krishtin:

Tani është momenti për të gjithë ju që keni dashuri për shpirtrat e njerëzve. Ndoshta do t’i shihni njerëzit më të alarmuar nga ç’janë; dhe nëse do të ndodhë, kujtoni se ju duhet të tregoheni të gatshëm për t’u bërë të mirën atyre. Ju keni balsamin e Galaadit; kur të shihni plagë, derdheni mbi to. Ju njihni Atë që vdiq për të shpëtuar, tregojuni atyre për Të. Ngrijeni kryqin lart para syve të tyre. Tregojuni se Perëndia u bë njeri, që njeriu të mund të ngrihet te Perëndia. Tregojuni për Kalvarin, për rënkimet e tij, për të qarat, dhe për djersën prej gjaku. Tregojuni për Jezusin që u var në kryq për të shpëtuar mëkatarët. Tregojuni që – “Ka jetë për kë vështron tek i Kryqëzuari.”

Tregojuni atyre se Ai mund t’i shpëtojë të gjithë ata që shkojnë te Perëndia nëpërmjet Tij. Tregojuni se Ai mund t’i shpëtojë edhe në momentin e fundit, dhe t’u thotë siç i tha hajdutit që po vdiste: “Sot ti do të jesh me Mua në parajsë.”

Perëndia ka përgatitur vepra të mira për ne (Efesianëve 2:10). Ai na ka përgatitur për ditë të tilla. Ai ka planifikuar të shfaqë pasuritë e pafundme të mirësisë së Tij nëpërmjet veprimeve të thjeshta të guximit të të krishterëve në një botë të paralizuar dhe të pushtuar nga frika. Atë, në emrin e Jezusit, përdore kishën Tënde.

Botuar në crossway.org më 15 Mars 2020

Marshall Segal është shkrimtar dhe redaktori menaxhues i desiringGod.org. Ai është autori i librit “Not Yet Married: The Pursuit of Joy in Singleness & Dating”. Ai është diplomuar në kolegjin Bethlehem College & Seminary. Ai dhe bashkëshortja e tij, Faya, kanë një djalë dhe jetojnë në Minneapolis.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Burimi: https://www.desiringgod.org/articles/what-courage-might-corona-unleash
Shënim: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një hallkë e këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim