Çfarë është Ungjilli?

Prill 2020


Kohët e fundit, ka pasur shumë biseda në qarqet ungjillore për mënyrën se si të krishterët duhet ta përkufizojnë ungjillin; nëse duhet të themi që ungjilli është thjesht mesazhi që mëkatarët mund të falen nga mëkati përmes pendimit dhe besimit në Krishtin e kryqëzuar, apo nëse është diçka më e gjerë se kaq. Me raste, biseda është bërë e mprehtë për të mos thënë e nxehtë, me anëtarët e një kampi që thonë se ata në kampin tjetër po tregohen ‘reduksionistë’ rreth ungjillit, kurse ata në kampin e dytë thonë se akuzuesit e tyre, në fakt, po e hollojnë ungjillin dhe po e shpërqendrojnë kishën nga misioni që i ka dhënë Perëndia.

Mua më duket se mund ta qartësojmë një pjesë të konfuzionit, duke bërë disa vëzhgime të kujdesshme. Besoj se të dyja kampet e mëdha në këtë diskutim—ata që thonë se Ungjilli është lajmi i mirë që Perëndia po i pajton mëkatarët me veten, përmes vdekjes zëvendësuese të Jezusit (le t’i quajmë grupi ‘A’) dhe ata që thonë se ungjilli është lajmi i mirë që Perëndia do ta ripërtërijë dhe ribëjë gjithë botën përmes Krishtit (grupi ‘B’)—më së shumti flasin për gjëra të ndryshme, teksa besojnë se thonë të njëjtën gjë. Me fjalë të tjera, nuk mendoj se grupi A dhe grupi B po i përgjigjen të njëjtës pyetjeje. Pra, që të dyja kampet thonë se janë duke iu përgjigjur pyetjes “Çfarë është ungjilli?”, prandaj dhe ka tension mes dy përgjigjeve. Megjithatë, nëse i kushtojmë vëmendje nga afër, mendoj se do të shohim që ata në fakt po u përgjigjen dy pyetjeve shumë të ndryshme, por njëlloj biblike.

Dy pyetjet janë këto:

  1. Çfarë është ungjilli? Me fjalë të tjera, cili është mesazhi që një person duhet të besojë për t`u shpëtuar?

Dhe

  1. Çfarë është ungjilli? Me fjalë të tjera, cili është gjithë lajmi i mirë i krishterimit?

Kur një person nga grupi A dëgjon pyetjen: “Çfarë është ungjilli?” e kupton në këtë mënyrë: “Cili është mesazhi që një person duhet të besojë për t’u shpëtuar?” dhe i përgjigjet asaj duke folur për vdekjen e Krishtit në vend të mëkatarëve dhe me thirrjen për t’u penduar dhe për të besuar.

Kur një person nga grupi B dëgjon pyetjen: “Çfarë është ungjilli?” e kupton në këtë mënyrë: “Cili është gjithë lajmi i mirë i krishterimit?” dhe i përgjigjet duke folur rreth qëllimit të Perëndisë për ta ripërtërirë botën përmes Krishtit.

Mund ta kuptoni pse ekziston tension mes të dyjave. Nëse i përgjigjesh pyetjes (1) duke folur për krijimin e ri, njerëzit me të drejtë do të thonë që përgjigjja juaj është tepër e gjerë dhe që po e largon kryqin nga vendi i tij qendror. Kur njerëzit në Shkrim bënë pyetjen “Çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?” përgjigjja që morën ishte të pendoheshin për mëkatin dhe të besonin në Jezusin—dhe jo diçka rreth krijimit të ri që do të vijë.

Po, është gjithashtu e vërtetë që Bibla nganjëherë (madje shpesh) flet rreth “ungjillit” me termat e krijimit të ri. Prandaj, t’i përgjigjesh pyetjes (2) vetëm duke folur për vdekjen e Krishtit në vend të mëkatarëve dhe të thuash që gjithçka tjetër me përkufizim nuk është ungjill (por thjesht rrjedhojë e tij), është me të vërtetë tepër e ngushtë. Kjo do të thotë se premtime të tilla si ringjallja e trupit, pajtimi i judenjve me johebrenjtë, qielli dhe toka e re, dhe shumë të tjera, në njëfarë mënyrë nuk janë pjesë e asaj që Bibla na e paraqet si “lajmi i mirë” i krishterimit.

Ajo që kemi nevojë të kuptojmë është se asnjëra nga këto dy pyetje nuk është e gabuar dhe asnjëra nuk është më tepër biblike se tjetra. Bibla i bën të dyja këto pyetje dhe u përgjigjet të dyjave. Më lejoni tani t’ju tregoj nga Shkrimi, pse mendoj se të dyja këto pyetje që kam përmendur janë legjitime dhe biblike.

Ndërsa e lexoj Biblën, më duket se ajo e përdor fjalën “ungjill” në dy mënyra të ndryshme, por tepër të lidhura. Nganjëherë e përdor fjalën “ungjill” në një mënyrë shumë të gjerë, domethënë, për të përshkruar të gjitha premtimet që Perëndia synon t’i plotësojë në Krishtin, ku përfshihet jo vetëm falja e mëkatit, por edhe gjithçka tjetër që rrjedh prej saj; themelimi i mbretërisë, qielli i ri dhe toka e re etj. Megjithatë, ka edhe raste të tjera ku fjala “ungjill” përdoret në një mënyrë shumë të ngushtë, domethënë, për të përshkruar specifikisht faljen e mëkateve, përmes vdekjes zëvendësuese dhe ringjalljes së Krishtit. Në ato vende, nuk duket sikur flitet fare për premtimet e gjera.

Ja disa prej vendeve më të qarta, ku unë mendoj se Bibla e përdor fjalën “ungjill” në kuptimin e ngushtë:

  1. Veprat 10:36-43: “Sipas fjalës që ai u ka dhënë bijve të Izraelit, duke u shpallur paqen me anë të Jezu Krishtit, që është Zoti i të gjithëve… Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët, që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij.”

Pjetri thotë se ungjilli që ai predikon është ungjilli i “paqes përmes Jezu Krishtit”, me këtë ai do të thotë specifikisht lajmi i mirë “që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij”.

  1. Romakëve 1:16-17: “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë judeun e pastaj grekun. Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: ‘I drejti do të jetojë me anë të besimit’.”

Pali e përkufizon ungjillin në termat e “shpëtimit” dhe drejtësisë së Perëndisë, të cilat zbulohen përmes besimit. Përgjatë pjesës tjetër të librit, bëhet e qartë që këtu ai po flet për faljen e mëkateve (drejtësimin), gjë e cila është përmes besimit, jo përmes veprave. Fokusi i tij te Romakët nuk është te mbretëria që po vjen, por te mënyra se si dikush bëhet pjesë e saj. Këtë quan Pali “ungjill”.

  1. 1 e Korintasve 1:17-18: “Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj ungjillin, jo me dituri fjale, që kryqi i Krishtit të mos dalë i kotë. Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë.”

Ungjilli që Pali është dërguar të predikojë është ‘mesazhi i kryqit’.

  1. 1 e Korintasve 15:1-5: “Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni, dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot. Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve.”

Ungjilli që Pali u predikoi atyre dhe të cilin ata e pranuan ishte që “Krishti vdiq për mëkatet tona… u varros… dhe u ringjall”. Referencat pasuese ndaj shfaqjeve të Jezusit të ringjallur nuk duhen marrë si pjesë të “ungjillit”, a thua se na duhet t’i themi dikujt që Jezusi iu shfaq Pjetrit, të dymbëdhjetëve dhe Jakobit, përndryshe nuk po u themi ungjillin.

Këto referenca kanë për qëllim ta themelojnë ringjalljen si reale dhe historike.

Ja disa prej vendeve më të qarta ku unë mendoj se fjala “ungjill” është përdorur në kuptimin e gjerë:

  1. Mateu 4:23: “Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull.”

Ky është rasti i parë ku përmendet fjala ‘ungjill’, në tregimin e Mateut, prandaj duhet të presim që kësaj fjale t’i jepet një lloj përkufizimi. Për të zbuluar përmbajtjen e “ungjillit të mbretërisë” që Jezusi predikoi, shohim pas te vargu 17, ku për herë të parë përmendet “mbretëria”. Atje Jezusi është regjistruar duke predikuar: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!”

Ungjilli i mbretërisë që Jezusi predikoi, ishte mesazhi që: a) mbretëria kishte ardhur, dhe b) ata që pendohen, mund të hyjnë në të.

  1. Marku 1:14-15: “Dhe mbasi e burgosën Gjonin, Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë, dhe duke thënë: ‘’U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin’.”

Me përjashtim të vargut të parë, në tregimin e Markut, ky është përdorimi i parë i fjalës “ungjill”. “Ungjilli i Perëndisë” që Jezusi shpalli ishte: “U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin.”

Ungjilli i Perëndisë është mesazhi që a) mbretëria ardhur, dhe b) ata që pendohen dhe besojnë, mund të hyjnë në të.

  1. Luka 4:18: “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit…”

Kjo është një pjesë nga Besëlidhja e Vjetër, nga e cila Jezusi nisi shërbesën e Tij publike. Fjala “lajm i mirë”, sikurse përdoret tek Isaia 61:1, mendoj se i referohet themelimit të plotë të sundimit të mbretërisë së Perëndisë.

  1. Veprat 13:32-33: “Dhe ne po ju shpallim lajmin e mirë të premtimit që u qe bërë etërve, duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin.”

Vargu 38 është shumë i qartë, lajmi i mirë që solli Pali, ishte se falja e mëkatit vjen përmes “këtij njeriu”. Gjithashtu, në vargun 32 thuhet se “lajmi i mirë” është “premtimi që u qe bërë etërve, duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne… duke ringjallur Jezusin”. Sigurisht që premtimi e Perëndisë ndaj etërve, i cili tani është përmbushur në Jezusin, e përfshinte faljen e mëkateve, por nuk ishte i kufizuar te ajo.

Pra, nëse shohim me kujdes Besëlidhjen e Re, më duket se fjala “ungjill” është përdorur si në kuptimin e gjerë, ashtu dhe në kuptimin e ngushtë. Në kuptimin e gjerë, si te Mateu 4, Marku 1, Luka 4 dhe Veprat 13, u referohet premtimeve që na janë bërë përmes veprës së Jezusit—jo vetëm falja e mëkateve, por gjithashtu edhe ringjallja, pajtimi me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin, shenjtërimi, përlëvdimi, Mbretëria që po vjen, qiejt e rinj dhe toka e re, e kështu me radhë. Ju mund të thoni se në ato raste fjala “ungjill” i referohet gjithë tërësisë së premtimeve të Perëndisë të siguruar përmes jetës dhe veprës së Krishtit. Këtë kuptim të gjerë, mund ta quajmë Ungjilli i Mbretërisë. Në kuptimin e ngushtë, si ai që shohim te Veprat 10, gjithë letra e Romakëve, 1 e Korintasve 1 dhe 1 e Korintasve 15, fjala “ungjill” i referohet specifikisht vdekjes shlyese dhe ringjalljes së Jezusit si dhe thirrjes drejtuar të gjithë njerëzve që të pendohen dhe të besojnë në Të. Këtë kuptim të ngushtë mund ta quajmë Ungjilli i Kryqit.

Tani më lejoni që të qartësoj dy gjëra të tjera. Së pari, përdorimi i gjerë i fjalës “ungjill” përfshin domosdoshmërisht kuptimin e ngushtë. Shikoni shembujt nga Mateu dhe Marku. Jezusi nuk është thjesht duke shpallur ardhjen e mbretërisë, sikurse kanë thënë shumë persona. Ai shpalli ardhjen e mbretërisë dhe Ai shpalli mënyrën për të hyrë në të. Shikoni nga afër: Jezusi nuk predikoi ungjillin duke thënë: “Mbretëria e qiejve ka ardhur!” Ai predikoi ungjillin duke thënë: “Mbretëria e qiejve ka ardhur. Prandaj pendohuni dhe besoni!” Dallimi mes ungjillit dhe joungjillit është thelbësor: Të shpallësh inaugurimin e mbretërisë dhe krijimit të ri, dhe gjithë të tjerat, pa shpallur se si njerëzit mund të hyjnë në tëduke u penduar dhe duke u falur nga mëkatet përmes besimit në Krishtin dhe në vdekjen e Tij shlyesedo të thotë të predikosh një joungjill. Në fakt, kjo do të thotë të predikosh një lajm të keq, përderisa nuk u jep njerëzve shpresë për t’u përfshirë në krijimin e ri. Ungjilli i Mbretërisë, nuk është thjesht shpallja e mbretërisë. Është shpallja e mbretërisë bashkë me shpalljen që njerëzit mund të hyjnë në të, duke u penduar dhe besuar në Krishtin.

Së dyti, ia vlen të vëmë sërish qartazi në dukje, faktin se Besëlidhja e Re e quan ‘Ungjill’ mesazhin e veçantë dhe të ngushtë të faljes së mëkateve përmes Krishtit. Kështu, ata që argumentojnë duke thënë: “Nëse jeni thjesht duke predikuar faljen e mëkateve përmes Krishtit dhe jo synimin e Perëndisë për ta ribërë botën, nuk jeni duke predikuar ungjillin”, e kanë gabim. Si Pali ashtu dhe Pjetri (thjesht për të përmendur emrat nga shembujt e mësipërm), duken mjaft të lumtur të thonë se ata kanë predikuar “Ungjillin”, nëse u kanë folur njerëzve për faljen e mëkateve përmes vdekjes zëvendësuese të Jezusit, pikë.

Nëse është e vërtetë që Besëlidhja e Re përdor fjalën “ungjill” në kuptim të gjerë dhe në kuptim të ngushtë, si duhet ta kuptojmë marrëdhënien mes këtyre dy kuptimeve, mes Ungjillit të Mbretërisë dhe Ungjillit të Kryqit? Kjo është pyetja e radhës dhe sapo t’i përgjigjemi kësaj, mendoj se do të na ndihmojë të jemi më të qartë në mendje në lidhje me disa pyetje vërtet të rëndësishme.

Pra, si lidhet Ungjilli i Mbretërisë me Ungjillin e Kryqit? Tashmë kam argumentuar se Ungjilli i Mbretërisë, në mënyrë të domosdoshme, përfshin Ungjillin e Kryqit. Specifikisht, a është Ungjilli i Kryqit thjesht një pjesë e Ungjillit të Mbretërisë, apo është diçka më tepër? A është qendror për të, a është periferik, a është thelbi i tij, apo diçka tjetër? Meqë ra fjala, pse shkrimtarët e Besëlidhjes së Re janë të gatshëm ta zbatojnë fjalën “ungjill” për premtimin e veçantë të faljes së mëkateve përmes besimit në Krishtin, dhe jo për premtimet e tjera të veçanta që përfshihen në ungjillin më të gjerë? Pse nuk shohim kurrë që Pali të thotë: “Ky është ungjilli im, që njerëzit të pajtohen me njëri-tjetrin”?

Mendoj se për të gjitha këto pyetje mund të marrim një përgjigje duke kuptuar se Ungjilli i Kryqit nuk është thjesht një pjesë e çfarëdoshme e Ungjillit të Mbretërisë. Përkundrazi, ungjilli i kryqit është porta, burimi, madje fara, nëse mund të themi kështu, e ungjillit të mbretërisë. Lexoni gjithë Besëlidhjen e Re dhe shumë shpejt do të kuptoni se mesazhi i saj i njëzëshëm është që një person nuk mund të arrijë tek ato bekime të gjera të Mbretërisë, përveçse duke u falur për mëkatin përmes vdekjes së Krishtit. Ky është burimi prej të cilit rrjedhin gjithë bekimet e tjera.

Unë mendoj se kjo është arsyeja pse unë e shoh si përsosmërisht me vend që autorët biblikë ta quajnë këtë burim “Ungjilli”, dhe në të njëjtën kohë ta quajnë gjithë paketën “Ungjill”—duke përfshirë këtu faljen, drejtësimin, ringjalljen, krijimin e ri dhe gjithë të tjerat. Për shkak se bekimet më të gjera të ungjillit arrihen vetëm përmes bekimeve specifike (shlyerja, falja, besimi dhe pendimi), dhe për shkak se ato bekime janë arritur në mënyrë të pagabueshme përmes bekimeve specifike, është krejtësisht me vend që autorët e Besëlidhjes së Re ta quajnë ”Ungjill” atë premtim të hyrjes/farës/burimit.

Është gjithashtu përsosmërisht me vend që Besëlidhja e Re ta quajë atë burim “Ungjilli” dhe në të njëjtën kohë të mos e quajë “Ungjill” ndonjë bekim tjetër të veçantë të paketës më të gjerë. Prandaj ne nuk e quajmë pajtimin njerëzor “Ungjilli”. Madje as qiellin e ri dhe dheun e ri nuk i quajmë “Ungjilli”. Por ama faljen përmes shlyerjes e quajmë “Ungjilli”, për shkak se ajo është burimi dhe hyrja te gjithë bekimet e tjera.

Ka disa rrjedhoja të rëndësishme që dalin prej kësaj.

Së pari, ia vlen të themi sërish: Ata që debatojnë se “ungjilli” është shpallja e mbretërisë, thjesht e kanë gabim. Ungjilli nuk është shpallja e mbretërisë; (në kuptimin më të gjerë) ai është shpallja e mbretërisë bashkë me mënyrën për të hyrë në të.

Së dyti, të thuash që Ungjilli i Kryqit në njëfarë mënyre nuk është ungjilli, apo më pak se ungjilli, është e gabuar. Për aq kohë sa pyetja është: “Cili është mesazhi që një person duhet të besojë për t’u shpëtuar?” ungjilli i kryqit është ungjilli. Jezusi, Pali dhe Pjetri na thonë kështu.1

Së treti, të thuash që Ungjilli i Mbretërisë është në njëfarë mënyre një ungjill shtesë, apo një shpërqendrim nga ungjilli i vërtetë, është gjithashtu e gabuar. Për aq kohë sa pyetja është: “Cili është lajmi i mirë i krishterimit”, ungjilli i mbretërisë nuk është ungjill shtesë; ai është ungjilli. Jezusi, Pali dhe Pjetri na thonë kështu.

Së katërti, është e gabuar ta quash një person të krishterë thjesht se është duke bërë gjëra të mira dhe po “ndjek shembullin e Jezusit”. Të jesh i krishterë, të jesh pjesëmarrës i bekimeve të Mbretërisë, kërkon që së pari të kalosh përmes portës. Do të thotë të vish te Krishti me besim, të të falet mëkati dhe të marrësh shlyerjen. Në librin e tij Pilgrim’s Progress, Bunjani tregon për personazhet z. Formalist dhe z. Hipokrizi, të cilët i Krishteri i takon në shtegun për në Qytetin Qiellor. Megjithatë, pas disa minutash bisedë, i Krishteri e kupton se ata kanë kapërcyer murin për të hyrë në shteg, në vend që të hynin përmes Derëzës së Ngushtë. Rezultati: këta të dy nuk janë të krishterë, pavarësisht se sa mirë po ecin tashmë në shteg. Për t’i ndryshuar paksa personazhet, ka shumë njerëz që duhet të kuptojnë se z. Ndjekës-i-Jezusit dhe zj. Jetuese-e-Jetës-së-Mbretërisë, nuk janë të krishterë—nuk janë të tillë po qe se nuk kanë ardhur te Jezusi me pendim dhe besim për faljen e mëkateve të tyre. Një person mund të “jetojë sikurse jetoi Jezusi” sa të ketë dëshirë, por nëse nuk kalon përmes Derëzës së Ngushtë të shlyerjes, besimit dhe pendimit, ai person nuk ka ardhur me të vërtetë te Krishti. Ai thjesht ka kapërcyer murin.

Së pesti, besoj se është e gabuar të themi se jo të krishterët po bëjnë “punën e mbretërisë”. Një jo i krishterë që punon për pajtimin apo drejtësinë mes njerëzve është duke bërë një gjë të mirë, po ajo nuk është punë Mbretërie, për shkak se nuk po bëhet në emrin e Mbretit. C. S. Lewis e kishte gabim; nuk mund të bësh gjëra të mira në emrin e Tash dhe të presësh që Aslan të jetë i lumtur me këtë gjë.

Së gjashti, synimi përfundimtar i çdo shërbese mëshire, qoftë kur bëhet nga një individ i krishterë, qoftë nga një kishë, është që t’i tregojë botës derën. Këtu mund të themi shumë, por mendoj se kuptimi i duhur i gjithë kësaj mund të sigurojë një motiv të fuqishëm misionar dhe një dëshmi depërtuese ndaj botës. Për shembull, kur ju rinovoni një berberhane në emrin e Jezusit, keni nevojë t’i tregoni pronarit (për ta thënë prerë e për të mos u zgjatur): “Shiko, unë po e bëj këtë, për shkak se i shërbej një Perëndie, i cili kujdeset për gjëra si bukuria, rendi dhe paqja. Në fakt, Bibla e thotë këtë dhe unë besoj se Perëndia një ditë do ta rikrijojë këtë botë dhe do të inaugurojë një mbretëri, ku boja nuk do të bjerë dhe pemët nuk do të thahen. Megjithatë, [dhe këtu dalim në temë] nuk mendoj se do të jesh pjesë e asaj bote, për shkak të mëkatit tënd. Përveç nëse nuk pendohesh dhe të besosh në Krishtin.” Pastaj i tregoni atij personi lajmin e mirë të kryqit. Nëse thjesht e rinovoni berberhanen dhe shpallni mbretërinë që po vjen, ju keni dështuar në shpalljen e ungjillit. Ungjilli i mbretërisë është shpallja e mbretërisë bashkë me mënyrën për të hyrë në të.

Së shtati, sikurse kam argumentuar edhe më parë, besoj se shumë persona në të ashtuquajturën Lëvizja e Kishave në Ngritje*—pavarësisht gjithë këmbënguljes së tyre se sa mahnitës dhe surprizues është ungjilli i tyre—u ka shpëtuar krejtësisht ajo që është vërtet e mahnitshme rreth ungjillit. Fakti që Jezusi është mbret dhe ka inauguruar një mbretëri dashurie dhe dhembshurie, në fund të fundit nuk është vërtet aq mahnitëse. Çdo jude e dinte se kjo do të ndodhte një ditë. Ajo çfarë është vërtet e mahnitshme rreth ungjillit është që Mbreti Mesianik vdes për të shpëtuar popullin e Tij—që Biri hyjnor i Njeriut te Danieli, Mesia Davidik, dhe Shërbëtori i Përvuajtur tek Isaia—janë i njëjti person. Për më tepër, kjo është përfundimisht mënyra se si i lidhim bashkë Ungjillin e Mbretërisë dhe Ungjillin e Kryqit. Jezusi nuk është thjesht Mbret, ai është Mbreti i Kryqëzuar. Përveç kësaj, ungjilli që shumë nga Kishat në Ngritje paraqesin si një ungjill mahnitës, nuk është aspak mahnitës. Është thjesht i mërzitshëm.

Së teti, gjithçka që kemi thënë deri tani, na çon drejt përfundimit se theksimet ungjillëzuese, misiologjike dhe pastorale në këtë epokë i përkasin ungjillit të kryqit—i përkasin burimit, portës së ungjillit më të gjerë të mbretërisë. Kjo është për shkak se gjithë të tjerat janë të paarritshme dhe në fakt janë një lajm i keq, nëse nuk i drejtojmë njerëzit këtu. Jo vetëm kaq, por kjo është epoka në të cilën urdhri madhor i Perëndisë, drejtuar çdo njeriu mbi tokë, është “Pendohu dhe beso”.

Ka vetëm një urdhërim që në fakt përfshihet në vetë ungjillin (qoftë ky në kuptimin e gjerë, apo në atë të ngushtë): Pendohu dhe beso. Ky është detyrimi parësor i qenieve njerëzore në këtë epokë dhe prandaj duhet të jetë edhe theksimi ynë parësor në predikimin tonë.

1 Jezusi predikon qartazi Ungjillin e Kryqit (për shembull, te Marku 10:45),  edhe nëse nuk e përdor hapur fjalën ‘ungjill’ në fjalët e Tij të regjistruara. Një vërejtje më e përgjithshme, ndërsa pranojmë dobinë e studimit të fjalëve është që nuk duhet ta lidhim shumë fort përkufizimin tonë të ungjillit dhe identifikimin tonë me të në tekst me shfaqjet e fjalës ‘ungjill’. Ndryshe, do na duhet të themi se Gjoni nuk flet kurrë për ungjillin, pasi nuk e përdor kurrë këtë fjalë në të gjitha shkrimet e tij në Besëlidhjen e Re.

*Lëvizja e Kishave në Ngritje është një lëvizje globale kishash, që nis në fund të shek. 20-të dhe në fillim të shek. 21-të. Pjesëtarët e kësaj lëvizjeje ndryshojnë elementet strukturore të kishës dhe jetojnë një formë liberale të besimit brenda një shoqërie postmoderniste. (shën. i kryered.)

 

Greg Gilbert është pastori kryesor në kishën baptiste “Third Avenue” në Louisville, Kentucky. E gjeni në Twitter në @greggilbert.


Kategoria: Ungjilli
Botuar me leje: https://www.9marks.org/article/what-is-the-gospel/
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon | Kryeredaktore: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2020

Etiketa9marks, Ungjilli

Postime të ngjashme

Cilët janë disa mesazhe që njerëzit, në mënyrë të rreme, deklarojnë se janë ungjilli?
Çfarë është një plak kishe?
Askush nuk merr kishën që do