Çështja vendimtare për çdo brez është autoriteti i efektshëm i Shkrimit dhe realitetet që ai zbulon.

Pse të mos them thjesht: “Çështja vendimtare për çdo brez është autoriteti i Shkrimit”? E pranoj që fjalët janë pak të vështira. Edhe fjala vendimtare ka nevojë për qartësim. Ajo që dua të them është kjo: Në një vargmal ka një kreshtë nga e cila i gjithë shiu, apo e gjithë bora e shkrirë rrjedh në mënyrë të pakthyeshme drejt një oqeani apo drejt një tjetri. Ndërsa uji rrjedh, ai mund të ketë shumë kthesa dhe rrotullime, por oqeani në të cilin rrjedh, është vendosur që në majë të malit—në vijën ujëndarëse.

E tillë është një çështje vendimtare. Kur mendja dhe zemra njerëzore i qasen një çështjeje vendimtare, drejtimi i mendjes dhe zemrës në atë çështje vë në lëvizje një mënyrë të menduari dhe të ndieri, e cila mund të ketë shumë kthesa dhe rrotullime të paqarta, por të çon drejt një oqeani apo drejt një tjetri.

Jo çdo çështje është një çështje vendimtare. Njerëzit mund të kenë qëndrime të ndryshme në disa çështje dhe të mos shohin që po shkojnë gjithnjë e më larg njëri-tjetrit drejt dy oqeaneve të ndryshme. Gjithsesi, një çështje vendimtare është aq thelbësore, aq formuese, aq thellësisht ndikuese edhe atëherë, kur terreni përreth duket i ngjashëm e lumenjtë janë duke rrjedhur veçmas njëri-tjetrit.

‘Autoriteti i Shkrimit’

Termi tjetër që ka nevojë për qartësim është “autoriteti i Shkrimit”. Këtu, në shërbesën e Desiring God, ne përshkruajmë autoritetin e Shkrimit në Afirmimin e Besimit kështu:

Qëllimet e Perëndisë të zbuluara në Bibël janë autoriteti suprem dhe final në testimin e të gjitha pretendimeve rreth asaj që është e vërtetë dhe asaj që është e drejtë. Në çështjet që nuk janë trajtuar nga Bibla, ajo që është e vërtetë dhe e drejtë vlerësohet përmes kriterit që përputhet me mësimet e Shkrimit.

Themeli i kësaj bindjeje është ky:

Bibla, e cila konsiston nga gjashtëdhjetë e gjashtë libra të Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re, është fjala e pagabueshme e Perëndisë, e frymëzuar në mënyrë verbale nga Perëndia dhe pa gabime në dorëshkrimet origjinale.

E thënë thjesht, fakti që Shkrimi është fjala e Perëndisë, do të thotë se gjithçka që ajo mëson është e vërtetë dhe se duhet t’i bindemi gjithçkaje që ajo na kërkon. Bibla ka autoritetin final për atë që është reale dhe e vërtetë. Ne besojmë se kjo është ajo çfarë Bibla pretendon për veten:

I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia (2 e Timoteut 3:16).
Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur ndonjëherë nga vullneti i njeriut; por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë (2 e Pjetrit 1:21).
Për këtë edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga urtësia njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë (1 e Korintasve 2:13).
Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë (Mateu 24:35).
Çdo fjalë e Perëndisë është e pastruar me zjarr (Fjalët e Urta 30:5).
Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë (Gjoni 10:35).

Ne besojmë se prova për të vërtetën e këtyre pretendimeve është mjaft e qartë për t’u kapur nga njerëzit e zakonshëm—nëse Perëndia u jep mundësi të shohin atë çfarë vërtet është atje. Argumenti dhe shpjegimi ynë më i plotë për këtë gjë mund të gjendet në librin A Peculiar Glory: How the Christian Scriptures Reveal Their Complete Truthfulness.

‘Autoriteti i efektshëm’

Pse të mos them thjesht: “Çështja vendimtare për çdo brez është autoriteti i Shkrimit”? Pse e shtoj fjalën i efektshëm? “Çështja vendimtare për çdo brez është autoriteti i efektshëm i Shkrimit...”

Sepse autoriteti i Shkrimit nuk funksionon si vijë ujëndarëse, nëse nuk bëhet i efektshëm në krijimin e një zemre dakordësie të gëzueshme dhe një mendjeje me perceptim të transformuar. Është e mundur të thuash se Bibla ka autoritet (dhe të firmosësh një deklaratë besimi), e megjithatë të mos e shohësh si reale, atë që Bibla thotë se është reale, dhe të mos e ndiesh si të çmuar atë që Bibla thotë se është e bukur. Derisa ta konsiderojmë si reale, atë që Bibla e konsideron si reale dhe derisa të ngazëllojmë në atë që Bibla ngazëllon, autoriteti i saj mund të afirmohet, por nuk është i efektshëmdhe kështu nuk është një çështje vendimtare.

Për shembull, Bibla thotë për të krishterët: “Ju keni vdekur” (Kolosianëve 3:3) dhe: “Ju jeni ringjallur” (Kolosianëve 3:1). Dhe: “Jeta juaj është fshehur me Krishtin në Perëndinë (Kolosianëve 3:3). Këto janë realitete, por mijëra të krishterë nuk kanë asgjë në mendjet e tyre që korrespondon me këto realitete. Nëse u kërkon që të të tregojnë realitetet e jetëve të tyre, që korrespondojnë me këto gjëra, nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë. Prandaj, këto mësime biblike nuk janë autoritare në mënyrë të efektshme në mendjet e tyre.

E njëjta gjë mund të shihet në lidhje me atë që Bibla thotë se është e cenueshme apo e bukur. Filipianëve 3:8 dhe Mateu 13:44 na mësojnë se Jezusi është më i vlefshëm se çdo gjë që zotërojmë apo mund të zotërojmë në këtë botë. E megjithatë, mijëra besimtarë të krishterë vlerësojnë gjëra të tjera më shumë se Krishtin. Ata rrallëherë flasin për Krishtin si person i kënaqshëm. Filmat, mediat sociale, sportet, politika mbushin mendimet dhe bisedat e tyre plot pasion.

Kjo është për shkak se zbulesa e bukurisë dhe vlerës supreme të Jezusit për ta nuk është autoritare në mënyrë të efektshme. Autoriteti i Shkrimit afirmohet ashtu si afirmohet letra mbështjellëse e dhuratave: “Më pëlqen kjo dhuratë. Është e bukur”—që do të thotë se letra e mbështjelljes është e bukur, edhe pse nuk e dimë çfarë ka brenda, edhe pse mund të mos na pëlqejë, edhe pse mund ta shpërfillim.

Polemikat zbulojnë

Atje ku nuk ka asnjë polemikë personale apo kulturore me Biblën rreth asaj çfarë është reale dhe çfarë është e mirë, ky afirmim jo i efektshëm i autoritetit biblik kalon lehtësisht pa u vënë re. Ata thonë se Bibla është autoritare. Për njëfarë kohe, format e jashtme të kulturës dhe etikës personale përputhen me sjelljet e jashtme biblike. Prandaj gjithçka ecën sikur Bibla vërtet ka autoritet të efektshëm në jetët e tyre, por në fakt nuk ka.

Pastaj vjen një përballje kulturore, një polemikë. A po bëjnë mëkat ata që praktikojnë homoseksualitetin? Nëse vazhdojnë të mëkatojnë pa u penduar, a do të hyjnë në mbretërinë e qiellit (1 e Korintasve 6:9-10)? Nëse kultura krijon diçka të quajtur ‘martesë’, për njerëzit e të njëjtës gjinie, a është kjo martesë (Efesianëve 5:31-32)? A është ‘e natyrshme’ marrëdhënia seksuale mes të njëjtës gjini? Apo është “kundër natyrës” (Romakëve 1:26-27)? A është martesa mes një burri dhe një gruaje e vetmja martesë e bukur, e vetmja martesë që portretizon Krishtin dhe kishën?

Papritur një polemikë kulturore (e cila mund të jetë tepër personale) zbulon, nëse afirmimi i autoritetit biblik prej dikujt, është i efektshëm apo jo. A ka qenë autoriteti i Biblës gjithmonë i efektshëm në krijimin e një zemre dakordësie të gëzueshme dhe e një mendjeje me perceptim të transformuar? A ka qenë i efektshëm afirmimi ynë i autoritetit, në prodhimin e transformimit të asaj që shohim si reale dhe të drejtë? Apo mos vallë autoriteti biblik ka qenë thjesht një letër mbështjellëse për mësimet që nuk na pëlqejnë?

‘Realitetet që zbulon’

Prandaj, si përmbledhje, “çështja vendimtare për çdo brez është autoriteti i efektshëm i Shkrimit”. Megjithatë, kjo nuk është gjithë sa shkruajta në fjalinë e parë të këtij artikulli. Shtova një frazë tjetër. Thashë: “Çështja vendimtare për çdo brez është autoriteti i efektshëm i Shkrimit dhe realitetet që ai zbulon.” Tani kemi parë mjaftueshëm për të kuptuar këtë shtesë.

Qëllimi im është të tërheq vëmendjen te fakti që autoriteti në vetvete nuk prodhon efektet për të cilat kemi folur. Janë realitetet, mësimet autoritare, të cilat zbulojnë ato që transformojnë perceptimin tonë për atë që është reale dhe shijimin tonë të asaj që është e bukur. Fryma e Perëndisë bën që realja të shihet si reale dhe e bukura të shihet si e bukur. Autoriteti mund të na tërheqë vëmendjen, por nuk mund të na ndryshojë dot zemrat.

Mësimet e Shkrimit dhe realitetet që ato zbulojnë nuk bëhen reale dhe të bukura për ne, thjesht sepse mbështeten nga një autoritet. Kjo nuk është mënyra se si funksionojnë mendjet dhe zemrat tona. Ju mund ta detyroni një fëmijë t’i hajë perimet, për shkak se keni autoritet, por nuk mund ta bëni dot që t’i pëlqejë ato. Kjo nuk është diçka që autoriteti mund ta bëjë. Autoriteti mund ta mbajë fëmijën në tryezë. Madje mund ta detyrojë të shijojë, por ai nuk mund t’i krijojë dot shijet.

Autoriteti vetë mund të shpallë realitetin, por nuk mund të të bëjë dot që ta shohësh atë. Prandaj, ti mund ta afirmosh autoritetin biblik, për shkak se këtë pritet të bësh; e megjithatë mund të mos kesh një mendje dhe një zemër të transformuar që mund të shohë si reale atë që Bibla paraqet si reale dhe me gëzim ta përqafosh atë që Bibla e prezanton si të bukur.

Dhuratë hyjnore

Ai transformim i mendjes dhe zemrës ndodh jo duke iu dorëzuar vetëm autoritetit, por përmes dhuratës hyjnore të shikimit dhe shijimit. Për ta parë realitetin biblik si të vërtetë dhe real, kemi nevojë për sy të rinj. Dhe për ta shijuar atë që Bibla e zbulon si të bukur dhe të ëmbël kemi nevojë për shqisa të reja.

Për shembull, Bibla na mëson se kur bashkëshortet u nënshtrohen bashkëshortëve të tyre, ashtu si kisha i nënshtrohet Krishtit, është diçka e bukur (Efesianëve 5:24) dhe kur bashkëshortët i duan bashkëshortet e tyre, si Krishti e deshi kishën, është gjë e bukur (Efesianëve 5:21). Ky është realitet, por nëse mendja jote nuk mund ta shohë dhe zemra jote nuk mund ta dojë, asnjë sasi autoriteti nuk mund ta bëjë dot këtë gjë reale dhe të bukur për ty. Autoriteti nuk funksionon kështu.

Ti mund ta afirmosh autoritetin, por kjo nuk është e efektshme. Autoriteti bëhet i efektshëm kur me anë të Frymës, vetë realitetet bëhen për ty ashtu sikurse janë në realitet. Ti e sheh realen si reale. Ti e ndien të bukurën si të bukur. Gjithashtu duhet të shtojmë që e ndien të tmerrshmen si të tmerrshme.

Është thelbësore që ta afirmojmë autoritetin e Shkrimit, por kjo nuk mjafton. Duke na zbuluar të vërtetën dhe bukurinë e realiteteve biblike, Fryma e Perëndisë krijon shikim dhe shijim të ri. Ne shohim dhe shijojmë atë që Bibla na e prezanton si reale dhe të bukur. Fryma e bën këtë gjë përmes fjalëve të Shkrimit. Kur e bën këtë, autoriteti bëhet i efektshëm—duke i ndarë kështu brezat njëri pas tjetrit në vijën ujëndarëse të fjalës së Perëndisë.

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org, si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Tre prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqipe: Mos e shko dëm jetën, Pesë pikaDrejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, dhe Virusi Korona dhe Krishti.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/the-watershed-issue-in-every-generation

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon  | Kryeredaktore: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Postime të ngjashme

>