Shkurt 2022
Për t’i shpëtuar skllavërisë së mëkatit, ne duhet të bëhemi të gjallë për lavdinë e Perëndisë në Krishtin. Ai është shpresa jonë e vetme.
Teologu Jonathan Edwards ishte një mjeshtër i kësaj teme. Ai zbuloi lavdinë dhe bukurinë e Perëndisë gjithandej në Shkrim dhe e përqendroi po atje kuptimin e tij për jetën e krishterë.
Pamja klasike e Edwards-it, i cili predikonte për zjarrin e ferrit, duke mbajtur mëkatarët varur mbi gropën e zemërimit flakërues të Perëndisë, thjesht nuk arrin të na japë një tablo të ekuilibruar të shërbesës së tij. Ai mund të jetë më i njohur për faktin që i mbajti njerëzit larg ferrit duke i frikësuar ata përmes zemërimit hyjnor. Gjithsesi, Edwards-i kaloi shumë më tepër kohë në përpjekje për t’i tërhequr njerëzit drejt qiellit duke shpallur bukurinë e Perëndisë në Ungjill. Kështu shkruan Dane Ortlund në librin e tij Edwards on the Christian Life: Alive to the Beauty of God (Crossway).
Kjo dëshirë e pashuar për bukurinë e Perëndisë, ndez zjarrin e jetës së krishterë. Ne kërkojmë të njëjtën gjë çdo ditë: “të sodisim bukurinë e Zotit” (Psalmi 27:4), dhe dëshmojmë së bashku: “gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejt. Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij” (Psalmi 96:5-6).
Ne nuk bëjmë dot pa bukurinë e Perëndisë.
Pra, çfarë lidhje ka shkëlqimi i Perëndisë me jetën time të përditshme tani–me ngarkesën time, me tundimet e mia, me trishtimin dhe me thatësirën time frymërore? Kohët e fundit u ula për të biseduar me Dane Ortlund-in, i cili shërben si drejtor i botimit të Biblës në Crossway.
Bukuria dhe të qenët i zënë
Së pari, bukuria e Perëndisë i zbut zemrat tona të ngarkuara dhe të shqetësuara.
“Bukuria e mëshirës së ëmbël të Perëndisë më qetëson, më lejon të marr frymë përsëri."
Dane tha: “Bukuria e mëshirës së ëmbël të Perëndisë më qetëson, më lejon të marr frymë përsëri, ngadalëson vrapimin e furishëm të zemrës sime. Ka kaq shumë paqartësi në të jetuarit si qenie morale. Në gjithë ankthin tim, Ai është një Atë i dashur që nuk e ndalon asgjë, i cili më ka birësuar dhe më ka drejtësuar. Edwards-i e ka përjetuar me të vërtetë këtë. Sidomos kur lexoni predikimet apo letrat e tij, kjo gjë ndihet si një aromë e këndshme në ajër. Ai ndihej vërtet i sigurt, i dashur dhe i qetë, për shkak të Perëndisë dhe kujdesit të Tij të butë si një Atë.”
Bukuria dhe tundimi
Së dyti, bukuria e Perëndisë përmbush dëshirat e zemrës, gjë që është thelbësore nëse duam t’i mundim armiqtë tanë të mëkatit dhe të tundimit. “Bota më thotë se argëtimi gjendet në kënaqësinë egoiste të tundimeve”, tha Dane. Por ndryshe nga bota, “Edwards-i shkruan gjithandej për të shijuarit në qetësi bukurinë e Perëndisë, dhe të pasurit përbashkësi me Të në Birin e Tij, i cili është miku i fuqishëm dhe i shkëlqyer i mëkatarëve si unë. Për të përdorur në vijim një shprehje që Edwards-i e përdorte: kur kënaqemi në Perëndinë, ne lumturohemi.”
Një nga betejat vendimtare të jetës së krishterë është zbulimi i shëmtisë së vërtetë të mëkatit dhe ekspozimi i fuqisë së tij shkatërrimtare. “Mëkati është joshja magjepsëse e asaj që do të të vrasë”, thotë Dane. “Nuk ka se si të hidhem në detin e mëkatit dhe të mos përplasem me shkëmbinjtë e gjykimit, të ferrit dhe vdekjes. Nuk kam forcë vullneti për të ndaluar. Nuk mund ta ndaloj dot veten. Kam nevojë për një hijeshi më të lartë, për një bukuri më bindëse sesa mëkati. Unë do të bëj vetëm atë që dua të bëj dhe kështu do të jetë gjithmonë. Nuk mund të funksionoj ndryshe. Kam një etje për të bukurën, të cilën duhet ta shuaj, sido që të jetë puna.”
Kështu bëjmë të gjithë. “Gjashtëdhjetë vjeçari, i cili e lë gruan për një më të re, adoleshenti që shikon pornografi, bankieri që kontrollon llogaritë e tij personale çdo orë, pastori që ushqen shpirtin e tij me nikotinën e miratimit të grigjës–të gjitha këto janë si të merrni një kukull, t’i bëni grim, ta trajtoni si një bashkëshorte dhe të prisni që ajo t’ju dojë si një e tillë, kur në fakt personi i vërtetë është në dhomën tjetër dhe po pret t’ju dojë me të vërtetë.”
Bukuria dhe mërzia
Ashtu si bukuria e Perëndisë u kundërvihet anktheve dhe tundimeve tona, po ashtu ajo u kundërvihet edhe rreziqeve frymërore të mërzisë sonë.
Para një viti, kanali sportiv ESPN raportoi historinë tragjike të Christopher Lane, një lojtar bejsbolli universiteti, i cili po vraponte në një rrugë në Duncan, Oklahoma. Tre adoleshentë iu afruan me makinë dhe e qëlluan atletin pas shpine duke e vrarë atë, pa pasur asnjë arsye. Kur u arrestuan më vonë dhe u kërkuan një shpjegim për veprimet e tyre ata thanë se e bënë këtë, sepse ishin “të mërzitur”.
Siç ka thënë Martyn Lloyd-Jones-i: “Në njëfarë kuptimi, mëkati është gjithmonë një jetë e mërzitshme”.
“Ja ku na çon mëkati,” shpjegoi Dane. “Mes arsyesh të tjera, ferri është ferr, sepse është shumë i mërzitshëm.” Po, i mërzitshëm, sepse ferr do të thotë të jesh i mbërthyer përjetësisht nga egocentrizmi i verbër ndaj çdo bukurie të jashtme, i pakënaqur përbrenda dhe i palumtur nga jashtë.
“Mëkati është joshja magjepsëse e asaj që do të të vrasë.”
Sidoqoftë, nga ana tjetër, “shenjtëria është argëtuese”, thotë Dane, disi me kujdes. “A mund ta them këtë? Shenjtëria është e gjallë. Është e pastër. Është e ndritshme–jo e errët–sepse ne jemi rrëmbyer në dashurinë e Trinisë. Jemi drejtësuar dhe jemi pranuar. Ne jemi bërë sërish njerëz.”
Kjo është një pamje e shenjtërisë, e cila shkon shumë kundër intuitës.
“Çfarë na vjen menjëherë në mendje kur lexojmë fjalën shenjtëri?” pyet Dane. “Rreptësi. Ftohtësi. Zymtësi. Vrenjtje. Në një nga predikimet e tij të hershme, Edwards-i thotë: ‘Shenjtëria është gjëja më e bukur, më e dashur. Njerëzit priren që të përqafojnë ide të çuditshme të shenjtërisë që nga fëmijëria e tyre, sikur ajo të ishte një gjë melankolike, e zymtë, e hidhur.’ Por sipas Edwards-it, në shenjtëri nuk ka asgjë përveç asaj që është e këndshme dhe jashtëzakonisht e bukur. Mëkati është plot baltë dhe pisllëk. Shenjtëria është e ëmbël, e këndshme, e kënaqshme, e paqtë, e qetë. Kjo korrigjon mendimin tim. Shenjtëria është qetësuese. Është e vetmja mënyrë përmes së cilës mund ta shijoj jetën time, sepse nuk po kënaqem me ofertat mashtruese të lumturisë së botës. Shenjtëria është qetësisht emocionuese. Ku tjetër do të dëshiroje të jetoje, veçse në shkëlqimin e shenjtërisë?”
Bukuria dhe përjetësia
Gëzimi i vërtetë nuk matet duke i shpëtuar mërzisë me anë të argëtimit. Ka një arsye të fortë pse kjo nuk funksionon. “Jeta e krishterë nuk funksionon siç duhet pa gëzim,” tha Dane prerazi. “Por kjo nuk do të thotë se duhet të ndjekësh më shumë humoristin Letterman. E qeshura nuk është një matës i besueshëm i gëzimit.” Sosi të gjitha komeditë e Netflix-it dhe të Hulu-së dhe përsëri gëzimi yt më i madh do të mbetet i groposur në një arë që nuk është e jotja.
“Në njëfarë kuptimi, mëkati është gjithmonë një jetë e mërzitshme.”
Gjithsesi, Dane nuk është asketik. Në librin e tij, ai shkruan: “Formula e gëzimit nuk është Perëndia dhe [diçka], aq sa është Perëndia në [diçka]” (77). Më pas, ai shpjegon: “Gëzimi i vërtetë nuk buron nga Perëndia dhe puna, familja, seksi, miqtë, ushqimi, pushimi, makina, blerja e një shtëpie, leximi i një libri, pirja e kafesë–por nga Perëndia në këto gjëra... Çdo shijim bukurie në këtë botë, që nga gjëmimi i ujëvarave e deri te cicërimat e zogjve, te thesari i miqësisë së vërtetë, dhe te ekstaza e përvojës seksuale, është një pikë uji nga oqeani i bukurisë hyjnore. Çdo kënaqësi është një shigjetë që na drejton përsëri tek Ai. Gëzimi vjen nga Perëndia dhe përfundimisht gjendet vetëm në Të” (79).
Gjatë intervistës tonë, Dane shkoi aq larg sa tha: “Ndoshta kjo duket si diçka e ftohtë dhe pa ndjenjë, por sipas Edwards-it, kur një afërmi ynë i dashur ndërron jetë, ne në fund të fundit nuk kemi ndonjë arsye për të vajtuar, sepse në Krishtin, në qiell, ne do të përjetojmë përjetë gjithçka që kemi dashur në të afërmin tonë. Në Krishtin përmblidhen të gjitha gëzimet e tjera. Nëse keni Krishtin, keni të gjithë gëzimin që ju duhet.”
Dane nuk po sugjeron në asnjë moment që nuk ka ribashkime të ëmbla me miqtë dhe familjen në parajsë. Ai po thotë se, edhe në ato ribashkime, ajo që i gëzon më shumë nuk janë njerëzit e dashur plus Perëndia, por se tek ata shohim një takim thelbësor me bukurinë e Perëndisë, e cila përcillet përmes tyre.
Bukuria dhe depresioni
Gjithsesi, e gjithë kjo e folur për bukurinë e Perëndisë nuk i imunizon të krishterët ndaj pikëllimit dhe depresionit. Në fund të intervistës sime me Dane-in, e pyeta se çfarë këshille do t’u jepte lexuesve, të cilët tani ndihen të trishtuar, të cilët nuk mund ta shohin bukurinë e Perëndisë, dhe që po përjetojnë një periudhë thatësire. Çfarë do t’u thoshte pastor Edwards-i atyre?
Dane ofroi gjashtë këshilla:
- E para, ti nuk je anormal. Ndaj, qetësohu! Të gjithë ne, herë pas here, përjetojmë situata të tilla.
- E dyta, gjendja jote e thatë dhe e mpirë nuk do ta shqetësonte Edwards-in për sa kohë të shqetëson ty. Dhe në fakt, kjo gjendje të shqetëson, sepse ti po pyet. Pra, me fjalë të tjera, Edwards-i kishte një njohje të thellë të përtëritjes dhe të lindjes së re. Ai e dinte se një zemër e pa ripërtërirë nuk do të shqetësohej fare (dhe ndoshta nuk do të ishte duke e lexuar këtë intervistë).
- E treta, verdikti i Perëndisë mbi jetën tënde nuk forcohet ose dobësohet nga intensiteti apo nga mungesa e shijimit të bukurisë së Perëndisë. Në fakt, pjesë e bukurisë së Perëndisë është se kujdesi dhe dashuria e Tij atërore për ty nuk varet nga përvoja jote e asaj bukurie.
- E katërta, nëse po ndihesh i thatë dhe i pafrytshëm, sepse je duke jetuar në mëkat, atëherë si pret të jetë jeta jote?
- E pesta, nëse je në Krishtin, një ditë do të hedhësh vështrimin pas te kjo jetë e thatë, e pafrytshme, e mbushur me fatkeqësi dhe do të shohësh se e gjithë dhimbja e grumbulluar e kësaj bote (në të cilën jetojmë dhe e cila ndonjëherë pothuajse na mposht), do të hiqet dhe do të zhbëhet, madje do të jetë pjesë e shkëlqimit dhe lavdisë tonë përfundimtare. Pra, duro!
- E gjashta, lexo Psalmet! Ato gjenden në Bibël, që t’i japin njeriut të thatë dhe të pafrytshëm diçka që mund t’i thotë Perëndisë, dhe për t’i dhënë atij një mendje të shëndoshë atëherë kur, i mbetur vetëm, gjithçka që do të bëjë është të kthehet në shtrat poshtë batanijeve, të dehet, apo të vrasë veten, për shkak se dhimbja në jetën e tij është tepër e madhe.
Tony Reinke është shkrimtar kryesor për Desiring God. Ai prezanton podkastin Ask Pastor John dhe është autor i librit God, Technology, and the Chritian Life (2022). Ai jeton në Feniks me bashkëshorten e tij dhe tre fëmijët e tyre
Përktheu: Joana Muhameti| Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/gods-beauty-for-the-bored-busy-and-depressed
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022