Adoniram Judson

Janar 2022  


Adoniram Judson (1788–1850)

Historia e vuajtjeve të Adoniram Judosn është pothuajse e papërballueshme. Në momentin kur mendon se vuajtja e fundit ishte më e keqja dhe se ai nuk mbante dot më, vuajtja e radhës ishte aty. Në fakt, vuajtja do të ishte vërtet dërrmuese, nëse nuk do ta shihnim nga perspektiva afatgjatë e historisë e Perëndisë. Fara, që vdiq një mijë herë, i dha jetë në Mianmar (dikur Burma) një lëvizjeje të jashtëzakonshme për Krishtin.

“Jeta e Judson ishte si një kokërr gruri, e cila ra në tokën e Mianmarit dhe vdiq aty–disa herë”

Në korrik të vitit 1813, kur Adoniram Judson hyri në Burma, ai ishte një vend armiqësor dhe krejtësisht i paarritur me ungjillin. Para disa muajsh, William Carey i kishte thënë Judson që të mos shkonte në Indi. Ndoshta sot Burma do të konsiderohej një vend i mbyllur, me despotizëm anarkik, me luftë të ashpër kundër Siamit, me plaçkitje nga armiku, me rebelim të vazhdueshëm dhe pa pikë tolerance fetare. Misionarët pararendës ose kishin vdekur aty, ose ishin larguar prej andej.

Sidoqoftë, Judson shkoi atje me bashkëshorten e tij 23 vjeçare, pas 17 muajsh martesë. Ai vetë ishte 24 vjeç, punoi në Indi për 38 vjet, derisa vdiq në moshën 61 vjeçare. Në shtëpinë e tij në New England (SHBA), ai u kthye vetëm një herë pas 33 vitesh. Çmimi që ai pagoi ishte jashtëzakonisht i madh. Ai ishte një farë, që ra në tokë dhe vdiq disa herë.

Një propozim i pazakontë

Judson filloi Seminarin Andover në Newton, Massachusetts, në tetor të vitit 1808 dhe në 2 Dhjetor përqafoi një dedikim solemn ndaj Perëndisë. Në Andover ishte ndezur një zjarr për misionin. Në 28 qershor 1810, Judson dhe disa të tjerë bashkë me të, u paraqitën për shërbim misionar në Lindje. Po atë ditë takoi Ann Hasseltine dhe ra në dashuri me të. Kishte vetëm një muaj që e njihte Ann-ën, kur ai deklaroi se ishte një mëtues dhe i shkruajti të atit të saj letrën e mëposhtme:

Më duhet të të kërkoj pëlqimin tënd për t’u ndarë nga vajza jote në fillim të pranverës së ardhshme për të mos e parë më kurrë në këtë botë; ose pëlqimin tënd për largimin dhe nënshtrimin e saj ndaj mundimeve dhe vuajtjeve të një jete misionare; ose pëlqimin tënd për faktin që ajo mund të ekspozohet ndaj rreziqeve të oqeanit, ndaj ndikimit fatal të klimës jugore të Indisë; ndaj çdo lloj mungese dhe shqetësimi; ndaj poshtërimit, përçmimit, përndjekjes dhe ndoshta ndaj një vdekjeje të dhunshme. A bie dakord me këtë, për hir të Atij që la shtëpinë e Tij qiellore dhe vdiq për të dhe për ty; për hir të shpirtrave të pavdekshëm që po humbasin; për hir të Sionit dhe për lavdinë e Perëndisë? A mund të biesh dakord me këtë, me shpresën që së shpejti do ta takosh bijën tënde në botën e lavdisë, me kurorën e drejtësisë të shkëlqyeshme, me brohoritjet e lavdërimit, të cilat do të gufojnë fort për Shpëtimtarin e saj nga paganët e shpëtuar nga mjerimi dhe dëshpërimi i përjetshëm përmes vajzës tënde, si instrumenti i Perëndisë? (To the Golden Shore, [Në brigjet e arta] 83)

Në mënyrë të mahnitshme, babai i saj tha që ajo mund të vendoste vetë. Adoniram-i dhe Ann-a u martuan në 5 shkurt 1812 dhe lundruan për në Indi katërmbëdhjetë ditë më pas, bashkë me dy çifte të tjerë dhe dy burra beqarë. të gjithë të ndarë në dy anije, në rast se njëra prej anijeve mbytej. Pasi kaloi një kohë të shkurtër në Indi, Adoniram-i dhe Ann-a zgjodhën të ndërmerrnin rreziqet e të shkuarit në një fushë të re misioni. Në 13 korrik 1813, ata arritën në Rangoon, Burma.

Një e korrë e gjatë dhe plot dhimbje

Në Burma filloi një betejë e përjetshme me vapën 42 gradë celsius, me kolerën, malarien, dizenterinë dhe sëmundje të tjera të panjohura, të cilat do të rrëmbenin jo vetëm Ann-ën, por edhe gruan e tij të dytë, shtatë nga trembëdhjetë fëmijët e tij, dhe koleg pas kolegu.

Përgjatë përleshjeve me sëmundjet dhe ndërprerjet, Judson punoi fort për të mësuar gjuhën, për të përkthyer Biblën dhe për të bërë ungjillëzim në rrugë. Gjashtë vite pasi ai dhe Ann-a arritën në Burma pagëzuan të kthyerin e tyre të parë në besim, Maung Nau. Mbjellja ishte e gjatë dhe e vështirë, por për vite të tëra, korrja ishte edhe më e vështirë. Prapëseprapë, në vitin 1831, nëntëmbëdhjetë vite pas mbërritjes së tyre, kishte një frymë të re në atë vend. Judson shkroi:

Shpirti i kureshtjes... po përhapet kudo, në çdo cep të këtij vendi. [Kemi shpërndarë] pothuajse 10,000 trakte, të cilat nuk ia kemi dhënë askujt tjetër, përveç atyre që na e kërkojnë. Mendoj se ka pasur 6,000 vizitorë në shtëpi. Disa vijnë prej dy apo tre muaj udhëtim që nga kufijtë e Siamit me Kinën: “Zotëri, kemi dëgjuar se ekziston një ferr i përjetshëm. Kemi frikë prej tij. Na jep ndonjë shkrim që na tregon se si t’i shpëtojmë atij ferri.” Të tjerë nga cepat e largët të Kathay, 160 kilometra në veri të Ava-s thonin: “Zotëri, kemi parë një shkrim që na tregon për një Perëndi të përjetshëm. A je ti burri që shpërndan shkrime të tilla? Nëse po, të lutemi na e jep një, sepse ne duam të njohim të vërtetën para se të vdesim.” Të tjerë nga brendësia e vendit, atje ku emri i Jezu Krishtit njihej fare pak, thonin: “A je ti burri që flet për Jezu Krishtin? Na jep një shkrim që flet për Të.” (To the Golden Shore, 398–99)

Sidoqoftë atij i ishte dashur të paguante një çmim të jashtëzakonshëm nga i kthyeri i parë në besim në vitin 1819 e deri te kjo derdhje e fuqisë së Perëndisë në 1831.

I burgosur dhe vetëm

Në 1823, Adonirami dhe Ann-a u zhvendosën nga Rangoon-i në Ava, në kryeqytetin e Burmës, pothuajse 500 kilometra në brendësi të vendit dhe më lart në luginën e lumit Irrawaddy. Ishte e rrezikshme të ishe aq afër perandorit despot. Në majin e vitit tjetër, një flotë britanike arriti në Rangoon dhe e bombardoi portin. Menjëherë, të gjithë perëndimorët u panë si spiunë dhe Adonirami u tërhoq zvarrë nga shtëpia e tij. Në 8 qershor 1824, ai u burgos. Ia lidhën këmbët me zinxhirë dhe gjatë natës i vendosnin një shkop të gjatë bambuje mes këmbëve dhe e ngrinin lart derisa vetëm koka dhe shpatullat e të burgosurit të preknin tokën.

“Vuajtjet e tij e kishin larguar nga të shpresuarit për shumë gjëra në këtë botë.”

Ann-a ishte shtatzënë, por ajo ecte çdo ditë tre kilometra e gjysmë për në pallat që të përgjërohej se Judson nuk ishte spiun dhe se duhej të tregonin mëshirë. Në 4 nëntor 1825, Judsonin e liruan papritur nga burgu. Qeveria kishte nevojë për të si përkthyes në negociatat me Britaninë. Mundimi i gjatë kishte marrë fund–shtatëmbëdhjetë muaj në burg dhe në prag të vdekjes, dhe bashkëshortja e tij po sakrifikonte veten dhe foshnjën e saj për t’u kujdesur sa mundej për të. Shëndeti i Ann-ës ishte përkeqësuar. Njëmbëdhjetë muaj më vonë, në 24 Tetor 1826, ajo vdes dhe pas gjashtë muajsh, vdes edhe vajza e tyre.

“Nuk e gjej Atë”

Efekti psikologjik i atyre humbjeve ishte shkatërrimtar. Mendja e Adoniramit u mposht nga dyshimi i vetes, dhe ai vriste mendjen nëse ishte bërë misionar për hir të ambicies apo famës, dhe jo për shkak të përulësisë dhe dashurisë vetëmohuese. Ai nisi të lexonte mistikë katolikë si Madame Guyon, Fénelon dhe Thomas à Kempis, të cilët e çuan në asketizëm vetmitar dhe në forma të ndryshme të mundimit të vetes. Adonirami ndërpreu punën e tij të përkthimit të Dhiatës së Vjetër, punë që ishte dashuria e jetës së tij dhe u tërhoq gjithnjë e më tepër nga njerëzit, dhe nga “çdo gjë që mund të dukej se mbështeste krenarinë apo nxiste kënaqësinë e tij” (To the Golden Shore, 387).

Ai gërmoi një varr pranë kasolles së tij ku ulej e meditonte rreth fazave të shpërbërjes së trupit. U tërhoq i vetëm për dyzet ditë në mes të xhunglës plot me tigra. Në një letër shkroi se ndiente një shkreti të plotë frymërore. “Perëndia është për mua e Panjohura e Madhe. Besoj në Të, por nuk e gjej” (To the Golden Shore, 391).

Vëllai i tij, Elnathan, vdiq në 8 maj 1829, në moshën 35 vjeçare. Në mënyrë paradoksale, kjo ishte pika e kthesës për rimëkëmbjen e Judson, sepse kishte arsye të besonte që vëllai i tij, të cilin e kishte lënë në mosbesim shtatëmbëdhjetë vite më parë, tani kishte vdekur në besim. Gjatë gjithë vitit 1830, Adonirami po ngjiste shkallët për të dalë nga errësira e tij.

Një Bibël e përfunduar dhe një bashkëshorte e re

Ne qendër të mundimeve misionare të Judson që nga fillimi, dhe në mënyrë të veçantë në këtë pikë të jetës së tij, ishte përkthimi i Biblës. Gjatë viteve të rimëkëmbjes frymërore, pa bashkëshorte dhe fëmijë, Judson u mbyll në një dhomë të vogël të ndërtuar me qëllim që t’ia kushtonte të gjitha energjitë e tij përmirësimit të përkthimit të Dhiatës së Re dhe përfundimit të përkthimit të Dhiatës së Vjetër. Në fund të 1832 u shtypën tre mijë kopje të Dhiatës së Re. Në 31 Janar 1834 përfundoi përkthimin e Dhiatës së Vjetër.

Tani që versioni i parë i Biblës në gjuhën burmeze ishte përfunduar, dukej sikur Perëndia u buzëqeshi këtyre mundimeve me favorin e një bashkëshorteje të re. Tre vite më herët, një misionar tjetër në Burma, George Boardman, kishte vdekur. Vejusha e tij, Sarah, qëndroi në Burma dhe u bë legjendë më vete, duke shkuar në thellësi të vendit bashkë me foshnjën e saj, George. Në shkurt 1834, Judson mori një letër nga Sarah. Në 1 Prill, ai u largua nga Moulmein për të shkuar në Tavoy, pasi kishte vendosur të njihej me të. Në 10 Prill u martuan.

Këto do të ishin disa nga kohët më të lumtura në Burma, por jo pa dhimbje dhe nuk do të zgjasnin më shumë se një dekadë. Pasi lindi tetë fëmijë në njëmbëdhjetë vjet, Sarah u sëmur aq shumë sa familja vendosi të udhëtonte për në Amerikë me shpresën se ajri i detit do t’i sillte shërim. Judson nuk kishte qenë në Amerikë për 33 vite dhe po kthehej vetëm për hir të bashkëshortes së tij. Teksa po kalonin kepin e Afrikës, në shtator 1845, Sarah vdiq. Anija ndaloi në Ishullin e Shën Helenës aq sa për të hapur një varr dhe për të varrosur një bashkëshorte e një nënë, dhe pastaj vazhdoi lundrimin.

Kësaj here, Adonirami nuk u zhyt në thellësitë e dëshpërimit si herën e parë. Tashmë ai kishte fëmijët e tij. Për më tepër, vuajtjet e kishin larguar nga të shpresuarit për shumë gjëra në këtë botë. Ai po mësonte se si ta urrente jetën e tij në tokë, por pa hidhërim apo depresion (Gjoni 12:25). Tani ai kishte një pasion të vetëm: të kthehej dhe të jepte jetën e tij për Burmën.

Të paktë janë ata që vdesin kaq shumë

Qëndrimi i Judson në Shtetet e Bashkuara nuk shkoi sipas planit. Për habinë e të gjithëve, ai ra në dashuri për herë të tretë, kësaj here me Emily Chubbuck, dhe u martua me të në 2 qershor 1846. Ajo ishte 29 vjeç, kurse ai 57. Emily ishte shkrimtare e famshme, por e braktisi famën dhe karrierën e saj për të shkuar me Judson në Burma. Ata arritën në nëntor të vitit 1846. Perëndia u dha katër nga vitet më të lumtura që ndonjëri prej tyre kishte përjetuar ndonjëherë.

Adonirami dhe Emily patën një fëmijë. Gjërat dukeshin shumë mirë, por pastaj sëmundja e vjetër e vuri poshtë Adoniramin edhe një herë të fundit. E vetmja shpresë ishte ta nisnin Judsonin e sëmurë në një lundrim. Në 3 prill 1850, e hipën Adoniramin bashkë me shokun e tij, Thomas Ranney, që të kujdesej për të, në anijen Aristide Marie, e cila ishte nisur për në ishullin e Francës. Në mjerimin e tij, ai zgjohej herë pas here nga dhimbja dhe pastaj përfundonte duke vjellë. Një nga fjalitë e tij të fundit ishte: “Sa të paktë janë ata... që vdesin kaq shumë!” (To the Golden Shore, 504).

“Fara që vdiq një mijë herë, i dha jetë në Mianmar një lëvizjeje të jashtëzakonshme për Krishtin.”

Në orën 4:15, pasditen e të premtes më 12 prill 1850, Adoniram Judson vdiq në det, larg gjithë familjes së tij dhe kishës burmeze. Atë mbrëmje, anija ndaloi: “Ekuipazhi u mblodh në qetësi. Pjesa anësore e ngarkimit u hap. Nuk u bënë lutje... Kapiteni dha urdhrin. Arkivoli rrëshqiti nga porta e anijes në mes të natës” (To the Golden Shore, 505).

Dhjetë ditë më vonë, Emily lindi fëmijën e tyre të dytë, i cili vdiq që në lindje. Katër muaj më vonë, ajo mësoi se bashkëshorti i saj kishte vdekur. Kështu janarin tjetër, ajo u kthye në New England  dhe vdiq nga tuberkulozi tre vite më vonë në moshën 37 vjeçare.

Fryti i kësaj fare të vdekur

Jeta e Judson ishte si një kokërr gruri, e cila ra në tokën e Mianmarit dhe vdiq aty–disa herë (Gjoni 12:24). Vuajtja ishte e pamasë, por i tillë ishte edhe fryti. Në momentin e kalimit nga mijëvjeçari i dytë në atë të tretë, Patrick Johnstone përllogariti që Konventa Baptiste e Mianmarit (emri i ri i Burmës) përbëhej nga 3,700 bashkësi, me 617,781 anëtarë zyrtarë dhe 1,900,000 pjesëmarrës. Ky ishte fryti i kësaj fare të vdekur.

Sigurisht që kishte edhe të tjerë që punuan përkrah Judson, madje qindra të tjerë me kalimin e kohës. Edhe ata erdhën dhe dhanë jetën e tyre. Shumë ndërruan jetë më të rinj se Judson. Ata thjesht vërtetojnë këtë që po themi: Fryti i jashtëzakonshëm sot në Mianmar është rritur në tokën e vuajtjes dhe vdekjes së shumë misionarëve, kjo është e vërtetë veçanërisht për Adoniram Judson.

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh.


Përktheu: Asim Hamza| Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/he-died-a-thousand-times-and-lived  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim