m jahid bzxsnohhmjw unsplash

Shkurt 2022                                                                      


A është lakmia për paranë “rrënja e gjitha të këqijave”, apo vetëm “rrënja e të gjitha llojeve të të këqijave” (1 e Timoteut 6:10)? “Të gjitha të këqijat” është ekuivalenti formal për fjalët origjinale greke (pantōn tōn kakōn).

Është interesante që të gjitha versionet e vjetra të Biblës e përkthejnë vargun 1 e Timoteut 6:10 në një mënyrë më të drejtpërdrejtë: “Sepse lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave” (apo e të gjithë ligësive). Këtu përfshihen Bibla Uiklif, Bibla e Luterit, Bibla e Gjenevës, Versioni i Mbretit Jakob, Versioni Douay-Rheims, Bibla Darby dhe Bibla e Versionit Revised Standard.

Sidoqoftë, pothuajse të gjitha versionet moderne përdorin frazën interpretuese: “Lakmia për para është rrënja e të gjitha llojeve të të këqijave.” Këtu përfshihen Biblat NCV, NIV, NASB, ASV, ESV, NKJV, HCSB, NLT, NRSV, dhe GNT.

I vetmi përjashtim nga versionet moderne është Bibla NET: “Sepse lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave.” Shënimi i Biblës NET për “të gjitha të këqijat” thotë:

Shumë përkthime e japin këtë si “të gjitha llojeve të të këqijave”. ...Por nuk ka asnjë rast paralel për ta marrë një ndërtim të tillë me kuptimin “e të gjitha llojeve të...” apo “çdo lloj”. Kuptimi normal është “të gjitha të këqijat”.

Pse versionet moderne parafrazojnë?

Çfarë ka ndryshuar këto gjashtëdhjetë vitet e fundit gjë e cila bëri që një përkthim uniform i drejtpërdrejtë (“rrënja e të gjitha të këqijave”), t’ia lërë vendin një parafraze uniforme (“rrënja e të gjitha llojeve të të këqijave”)? Një gjë që e dimë se nuk ka ndryshuar, është kuptimi i tekstit. Fjalët greqisht te 1 e Timoteut 6:10, përcollën kuptimin e Palit në kohën e Luterit dhe përcjellin të njëjtin kuptim edhe sot.

Një gjë tjetër të cilën e dimë që nuk ka ndryshuar, është kjo: nuk është më e vështirë apo më e lehtë që lakmia për para të jetë rrënja e të gjitha të këqijave sot nga sa ishte para pesëqind vitesh. Nëse përkthyesit modernë dallojnë një problem, kështu ishte edhe për përkthyesit para pesëqind vitesh. Të gjithë përkthyesit e kanë shprehur mendimin në shënimet e Biblës NET–duke thënë se lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave, “duket sikur nuk është plotësisht e vërtetë në jetë (disa ligësi nuk kanë lidhje me lakminë për para)”. Kështu thonë ata.

“Përkthyesit modernë ndihen më të lirë për t’u larguar nga ekuivalenca e qartë, formale dhe e kuptueshme në favor të frazave shpjeguese.”

Ajo që ka ndryshuar këto gjashtëdhjetë vitet e fundit është që përkthyesit e sotëm ndihen më të lirë për t’u larguar nga ekuivalenca e qartë, formale dhe e kuptueshme, në favor të frazave shpjeguese. Nuk ka asnjë gjë të paqartë nga ana gjuhësore apo gramatikore në përkthimin e drejtpërdrejtë: “Lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave.” Ajo që është e paqartë është si lakmia për para mund të jetë në fakt rrënja e gjithë të këqijave.

Të gjithë përkthyesit janë përballur me këtë gjë, jo vetëm ata modernë. Prandaj, pse asnjë nga përkthyesit e lashtë të tekstit nuk e përkthyen si “e të gjitha llojeve të të këqijave”? Hamendësoj që ata mendonin diçka të tillë:

Mund të mos jem në gjendje ta dalloj se si lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave, por nuk duhet ta lejoj paaftësinë time të vendosë nëse mund të ketë me të vërtetë një mënyrë që paraja të jetë rrënja e të gjitha të këqijave. Prandaj, do ta lë ashtu si e ka shkruar Pali. Ndoshta njerëz më mendjemprehtë se unë do të arrijnë ta kapin kuptimin e Palit.

Ky duket se është pikërisht qëndrimi i duhur që duhet të kemi kur përkthejmë një tekst, i cili pretendon të ketë frymëzim hyjnor dhe ka një autoritet absolut. Supozimi modern duket se është:

Nëse s’mund ta dallojmë se si Pali mund të thoshte: “Lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave”, atëherë kemi të drejtën dhe urtësinë për t’i ndryshuar fjalët që të sugjerojmë një kuptim më bindës.

Ruajtja e dykuptimësisë origjinale

Më lejoni që të trajtoj një kritikë. Jam i vetëdijshëm që ekuivalenca formale nuk është gjithmonë e mundur. Ndonjëherë nuk ka asnjë formë në gjuhët moderne, e cila të korrespondojë me greqishten apo hebraishten. Ndonjëherë, ekuivalenca formale do të ishte aq e vështirë sa të gjithë lexuesit do të pengoheshin me atë lloj gjuhe.

Gjithsesi, në rastin e 1 e Timoteut 6:10, struktura greqisht për të cilën bëhet fjalë është e drejtpërdrejtë (pantōn tōn kakōn) dhe ka një shprehje të saktë homologe në shqip (“e të gjitha të këqijave”). Të dyja janë njësoj të qarta dhe njësoj të mistershme. Nuk ka ndonjë ide të fshehtë në frazën greqisht, anglisht apo edhe shqip, e cila do t’i bënte gjërat më të qarta apo më të fshehura. Kjo do të thotë se nuk e humbasim qartësinë kur përdorim një frazë të thjeshtë ekuivalente për të përkthyer frazën greqisht, si “rrënja e të gjitha të këqijave”. Nuk humbet aspak qartësia, pasi fraza ruan të njëjtën dykuptimësi.

Kjo ruajtje e thjeshtësisë formale është përfitim i madh. Kjo është ajo që unë dëshiroj në të gjitha përkthimet, kurdoherë që të jetë e mundur. Përfitimi është se tani lexuesi i zakonshëm dhe pastori i cili e ka lënë pas dore greqishten, e kanë mundësinë që të mendojnë thellë dhe në kontekst, për mënyrën se si Pali e pa lakminë për para si rrënjën e të gjitha të këqijave. Lexuesi nuk privohet nga zbulimet e tij të mundshme ekzegjetike, thjesht sepse përkthyesit vendosën se fjalëve që shkroi Pali nuk mund t’u jepej asnjë kuptim bindës.

Sipas opinionit tim, ky tekst është një rast i qartë ku përkthyesit duhet të përulen dhe të pranojnë se paaftësia e tyre për të dalluar një kuptim bindës në fjalët e Palit (“rrënja e të gjitha të këqijave”) nuk do të thotë se një kuptim i tillë nuk ekziston. Nëse fraza “të gjitha llojeve të të këqijave” është interpretimi më i mirë i fjalëve të mistershme, lëre që këtë gjë ta zbulojë dhe ta vendosë lexuesi.

Si është lakmia për para rrënja e të gjitha të këqijave?

Është e mundur që kur Pali i shkroi këto fjalë, ishte plotësisht i vetëdijshëm se sa sfiduese do të ishin ato, dhe ai i la ashtu sikurse i shkroi, për shkak se dalloi një kuptim sipas të cilit lakmia për para është me të vërtetë rrënja e të gjitha të këqijave–e të gjitha të këqijave!–ai dëshironte që Timoteu (dhe ne) të mendonte shumë thellë për ta parë këtë gjë.

Mendoj se kështu ishte në fakt. Do t’ju jap sugjerimin tim të shkurtër se si lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave. Gjithsesi, edhe nëse mendoni që unë e kam gabim, pika kryesore që ka të bëjë me përkthimin, qëndron, sepse dikush tjetër mund ta gjejë çelësin, edhe nëse unë nuk e kam gjetur.

Ja konteksti i 1 e Timoteut 6:6-10:

“Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. Sepse ne nuk kemi sjellë asgjë në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi ushqim dhe mbulesa, të jemi të kënaqur me kaq. Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në humbje dhe rrënim. Sepse lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e tejshpojnë veten e tyre me shumë dhimbje.”

Vër re që pjesa e parë e vargut 10 (“Sepse lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave”) funksionon si baza apo shkaku, si për vargun 9, ashtu dhe për pjesën tjetër të vargut 10. Le t’i shohim këto të dyja njëra pas tjetrës.

Si shërben vargu 10a si baza për vargun 9?

Vargu 9 thotë se ata që dëshirojnë të pasurohen bien në “lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme”. Vër re se dëshira për t’u pasuruar nuk prodhon vetëm një pasion, por shumë të tilla. Pastaj Pali thotë se dëshira për të qenë i pasur ka këtë efekt: “sepse lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave”. “Dëshira për t’u pasuruar” në vargun 9, korrespondon me “lakminë për para” në vargun 10a. Dhe pjesa “shumë pasione” në vargun 9 korrespondon me “të gjitha të këqijat” në vargun 10.

Pali e gjen shkakun e këtyre “shumë pasione” në lakminë për para si rrënja e “të gjitha të këqijave”. Pse dëshira për t’u pasuruar nuk rezulton në një dëshirë për para, por në “shumë pasione”? Sepse lakmia për para është rrënja e shumë më tepër të këqijave nga sa mendojmë ne zakonisht. Ajo është rrënja e të gjitha të këqijave që njerëzit bëjnë. Pali po gjurmon shumicën e dëshirave që rrjedhin nga dëshira për t’u pasuruar thellë te rrënja që është përgjegjëse për “shumë”, sepse është përgjegjëse “për të gjitha” të këqijat.

“Lakmia për para është rrënja e shumë më tepër të këqijave nga sa mendojmë ne zakonisht.”

Si e bën këtë gjë lakmia për para? Ja një mënyrë: duke qenë se “paraja” nuk ka vlerë në vetvete (letra apo metali). Ajo është e dëshirueshme vetëm sepse është një simbol kulturor, i cili mund të shkëmbehet për të plotësuar “pasionet e shumta” që ne kemi. Gjithsesi, paraja nuk mund të shkëmbehet me Perëndinë apo me perëndishmërinë. Prandaj, lakmia për para në mendjen e Palit korrespondon me dëshirën thelbësore për gjërat që paraja mund të blejë, duke hequr Perëndinë. Kjo është arsyeja pse këto shumë pasione “i plandosin njerëzit në humbje dhe rrënim” (vargu 9).

Dëshirat e mira nuk shkatërrojnë. Vetëm dëshirat për diçka pa Perëndinë shkatërrojnë. Këtë përfaqëson lakmia për para. Prandaj, kjo lakmi është rrënja e të gjitha të këqijave që njerëzit kryejnë. Sepse të gjitha të këqijat vijnë nga dëshira rrënjësore–dëshira për çdo gjë, përveç Perëndisë. Nuk ka asnjë përjashtim.

Ky është thelbi i mëkatit dhe rrënja e gjitha mëkateve–të mos e arrish lavdinë e Perëndisë (Romakëve 3:23). Apo, për ta thënë ndryshe, mëkati është “shkëmbimi i Perëndisë me krijesën” (shih Romakëve 1:23, 25). Me fjalë të tjera, në rrënjën e vet, mëkati është parapëlqimi i çdo gjëje tjetër mbi Perëndinë. “Të gjitha të këqijat” vijnë nga ky parapëlqim, apo nga ky dëshirim. Nëse diçka dëshirohet për hir të Perëndisë, ajo dëshirë nuk është mëkat. Nëse diçka dëshirohet jo për hir të Perëndisë, ajo dëshirë është mëkat. Prandaj, i gjithë mëkati, “të gjitha të këqijat”, vijnë nga kjo dëshirë, nga kjo dashuri apo lakmi–e përfaqësuar te 1 e Timoteut 6:10 nga dashuria për vlerën e kënaqësisë pa Perëndinë.

Si lidhet vargu 10a me pjesën tjetër të vargut 10?

Tani vargun 10a do ta shohim në një drejtim tjetër–pjesën përpara të vargut. “Sepse lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave dhe duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e tejshpojnë veten e tyre me shumë dhimbje.”

Ashtu si në vargun 9 “shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në humbje dhe rrënim”, edhe këtu, në vargun 10, lakmia për para i çon njerëzit ta “tejshpojnë veten e tyre me shumë dhimbje”.

“Nëse e do paranë, nuk mund t’i shërbesh Perëndisë. Nëse s’mund t’i shërbesh Perëndisë, atëherë gjithçka që bën është e keqe.”

Si? “Duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi.” Lakmia për para sjell shkatërrimin e shpirtit, duke e joshur atë që ta harrojë besimin. Besimi është të zënët besë Krishtit me kënaqësi, të cilit Pali i referohet në vargun 6: “Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka.” Besimi thotë: “Jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam” (Filipianëve 4:11). Besimi gjen kënaqësi në të gjitha rrethanat, për shkak se ka Krishtin dhe Krishti mjafton për çdo humbje: “I konsideroj të gjitha se janë dëm për madhështinë e njohjes së Krishtit Jezus, Zotit tim” (Filipianëve 3:8).

Gjithë virtyti i vërtetë rritet prej kësaj rrënje prehjeje në Krishtin. Pa këtë, ne i kryejmë veprat tona jo si një shprehje e gjithëmjaftueshmërisë së Krishtit, por që të plotësojmë një mangësi, të cilën e ndiejmë për shkak të mungesës së besimit. Gjithsesi, ky nuk është virtyt i vërtetë dhe nuk e nderon Krishtin. Vetëm ajo që bëhet nga besimi është vërtet e virtytshme. Prandaj, Pali shkroi: “Gjithçka që nuk bëhet me besim, është mëkat” (Romakëve 14:23).

Që do të thotë se “të gjitha të këqijat”—nëse përdorim fjalët e 1 e Timoteut 6:10—dalin nga shpirti që është joshur larg besimit. Kjo, thotë Pali, është ajo çfarë bën lakmia për para. Për shkak të kësaj lakmie “disa u larguan nga besimi”, por “pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Perëndisë” (Hebrenjve 11:6). Nga mosbesimi vjen vetëm e keqja–të gjitha të këqijat.

S’mund ta duash Perëndinë dhe paranë

Prandaj, qoftë kur përqendrohemi në mënyrën se si 1 e Timoteut 6:10a lidhet pas me vargun 9, apo përpara me pjesën tjetër të vargut 10, përfundimi është i njëjtë: Nuk është marrëzi të flasësh për lakminë për para si rrënja e të gjitha të këqijave. Ndryshimi i kësaj fraze në përkthim, si “të gjitha llojeve të këqijave” është i panevojshëm (dhe kur mendoni për këtë gjë, “të gjitha llojeve” ka të ngjarë që është po aq problematike sa edhe “të gjitha të këqijat”).

Ndoshta mënyra më e thjeshtë për ta ilustruar këtë është të citojmë Jezusin kur thotë:

“Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse, ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin, ose do t'i ngjitet njërit dhe do ta përçmojë tjetrin; nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.” (Mateu 6:24)

Jezusi përdor fjalën “dashuri” për të përshkruar zgjedhjen: Ne ose duam Perëndinë, ose duam paranë. Ai e lidh idenë e “të shërbyerit” me idenë e dashurisë: “Nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.” Për këtë arsye, unë dal në përfundimin se, nëse doni paranë, nuk mund t’i shërbeni Perëndisë. Dhe nëse nuk mund t’i shërbeni Perëndisë, atëherë gjithçka që bëni është e keqe. Sepse kjo është ligësia: çdo veprim, i cili nuk bëhet nga motivi i të shërbyerit Perëndisë me dashuri. Prandaj, lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave, jo vetëm e disa të këqijave.

Ju ndoshta nuk jeni të bindur që unë kam gjetur një kuptim bindës te 1 e Timoteut 6:10 për fjalët: “Lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave”. Nëse jo, shpresoj që të paktën ta keni parë që dikush më i zgjuar se unë sigurisht që do ta dallonte një kuptim të tillë. Prandaj, përkthyesit nuk duhet që t’ia presin udhën përpjekjes duke hamendësuar se e dinin që një kuptim i tillë nuk ekzistonte.

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Tre prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pesë Pika–Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, dhe Virusi Korona dhe Krishti.


Përktheu: Asim Hamza| Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim