cross at sunset

Maj 2022


Pyetje: A është Jezusi Zot? A e ka shpallur ndonjëherë Jezusi veten Zot?

Përgjigje:
Në Bibël, Jezusi asnjëherë nuk ka thënë saktësisht fjalët: “Unë jam Zot”, megjithatë kjo nuk do të thotë se Ai asnjëherë nuk e ka shpallur veten se është Zot.

A është Jezusi Zot?–Jezusi deklaroi se ishte Zot.
Të marrim si shembull fjalët e Jezusit te Gjoni 10:30: “Unë dhe Ati jemi një”. Në pamje të parë, kjo nuk duket si një shpallje se Ai ishte Zot. Gjithsesi, shiko reagimin e judenjve kundrejt kësaj thënie: “Judenjtë u përgjigjën duke thënë: ‘Ne nuk të vrasim me gurë për vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi’” (Gjoni 10:33, theks i shtuar). Judenjtë e kuptuan thënien e Jezusit si një shpallje se Ai ishte Zot. Në vargjet në vazhdim, Jezusi nuk i korrigjoi asnjëherë judenjtë duke thënë: “Unë nuk thashë se jam Zot”. Kjo do të thotë se Jezusi me të vërtetë po thoshte se ishte Zot, duke deklaruar: “Unë dhe Ati jemi një” (Gjoni 10:30). Gjoni 8:58 është një shembull tjetër. Jezusi deklaron: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Para se të kishte lindur Abrahami, unë jam.” Kjo ishte dhe një referencë nga Eksodi 3:14, kur Zoti e zbuloi Veten si “UNË JAM-i”. Dhe përsëri, si kundërpërgjigje, judenjtë morën gurë për ta qëlluar Jezusin siç ishte te Ligji i Moisiut (Levitiku 24:16).

A është Jezusi Zot?–Ndjekësit e Tij e deklaruan Atë si Zot.
Te Gjoni 1:1 thuhet: “Fjala ishte Perëndi”. Ndërsa Gjoni 1:14 thotë: “Fjala u bë mish.” Kjo tregon qartë se Jezusi është Zoti në mish. Te Veprat e Apostujve 20:28 na thuhet: “... ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij.” Kush e ka fituar kishën me gjakun e Tij? Jezu Krishti. Te Veprat 20:28 thuhet se Zoti e ka blerë kishën me gjakun e Tij. Kjo tregon se Jezusi është Zot!

Një nga dishepujt e Tij, Thomai, iu drejtua Jezusit: “Zoti im dhe Perëndia im” (Gjoni 20:28). Jezusi nuk e korrigjon atë. Titit 2:13 na inkurajon që të presim për ardhjen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë–Jezu Krisht (shiko te 2 e Pjetrit 1:1). Gjithashtu, te Hebrenjve 1:8, Ati deklaron për Jezusin: “ndërsa për të Birin thotë: ‘Froni yt, o Perëndi është në jetë të jetëve; skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie.’”

Në librin e Zbulesës, një engjëll e mëson apostullin Gjon të adhurojë vetëm Perëndinë (Zbulesa 19:10). Shumë herë gjatë Shkrimeve shohim se Jezusi e pranoi adhurimin (Mateu 2:11; 14:33; 28:9; 17; Luka 24:52; Gjoni 9:38). Ai asnjëherë nuk i qortoi njerëzit që e adhuronin Atë. Nëse Jezusi nuk ishte Zot, Ai do t’u thoshte njerëzve të mos e adhuronin Atë, ashtu siç bëri engjëlli te libri i Zbulesës. Ka edhe shumë vargje dhe pasazhe të tjera në Shkrim që tregojnë se Jezusi është Zot.

A është Jezusi Zot?–Arsyeja pse Jezusi duhet të jetë Zot.
Arsyeja më e rëndësishme që Jezusi duhet të jetë Zot është se nëse Ai nuk do të ishte Zot, vdekja e Tij nuk do të kishte qenë e mjaftueshme për të shlyer dënimin e mëkatit për të gjithë botën (1 e Gjonit 2:2). Vetëm Zoti do të mund të paguante një dënim kaq të pamasë. Vetëm Zoti mund të merrte mbi vete mëkatet e botës (2 e Korintasve 5:21), të vdiste dhe të ringjallej–duke dalë fitimtar mbi mëkatin dhe vdekjen.



Botuar me leje:  https://www.gotquestions.org/is-Jesus-God.html  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaGot Questions

Postime të ngjashme

Cilat janë atributet e Perëndisë
A jam i shpëtuar vetëm me anë të besimit apo me anë të besimit dhe të veprave?
>