got question

Qershor 2022


Pyetje: Si mund ta mposht mëkatin në jetën time si i krishterë?

Përgjigje:
Bibla paraqet disa zgjidhje të ndryshme për të na ndihmuar në përpjekjet tona që të kapërcejmë mëkatin. Në këtë jetë, ne kurrë nuk do të jemi plotësisht fitimtarë ndaj mëkatit (1 e Gjonit 1:8), por ky duhet të jetë ende qëllimi ynë. Me ndihmën e Zotit dhe duke ndjekur parimet e Fjalës së Tij, ne mund ta kapërcejmë mëkatin në mënyrë progresive dhe të bëhemi gjithnjë e më shumë si Krishti.

Fryma e Shenjtë–Një nga dhuratat që Perëndia na ka dhënë ne (Kishës së Tij), për të qenë fitimtarë në jetën e krishterë, është Fryma e Shenjtë. Te Galatasit 5:16-25, Zoti i krahason veprat e mishit dhe të Frymës. Në këtë pasazh, ne jemi të thirrur të ecim sipas Frymës. Të gjithë besimtarët e kanë Frymën e Shenjtë, por ky pasazh na thotë se ne kemi nevojë të ecim sipas Frymës, të jemi nën kontrollin e Tij. Kjo do të thotë të zgjedhim të veshim “këpucë lëkure” ndaj pranisë së Frymës së Shenjtë në jetën tonë, në vend që të ndjekim mishin.

Ndryshimi që mund të bëjë Fryma e Shenjtë në jetën e një besimtari tregohet te jeta e Pjetrit, i cili para se të mbushej me Frymën e Shenjtë e mohoi Jezusin tri herë dhe kjo ndodhi pak pasi ai kishte thënë se do ta ndiqte Jezusin deri në vdekje. Pasi u mbush me Frymën e Shenjtë, ai u foli hapur dhe drejtpërdrejt judenjve në ditën e Rrëshajave.

Një person është duke ecur në Frymë në momentin kur “nuk i vendos kapak” pranisë së Frymës (“Mos e shuani Frymën” thuhet te 1 e Thesalonikasve 5:19), por kërkon të jetë i mbushur me Frymën (Efesianëve 5:18-21). Si mund të mbushet një person me Frymën e Shenjtë? Së pari, është në bazë të zgjedhjes së Perëndisë, siç lexojmë edhe në Besëlidhjen e Vjetër. Ai zgjidhte persona dhe rrethana të veçanta për t’i mbushur me Frymën e Shenjtë. Zgjidhte ata persona që donte të përdorte për të kryer një punë (Zanafilla 41:38; Eksodi 31:3; Numrat 24:2; 1 e Samuelit 10:10 etj.). Unë besoj se tek Efesianëve 5:18-21 dhe te Kolosianëve 3:16 ka të dhëna që thonë se Zoti zgjedh të mbushë ata që e mbushin veten e tyre me Fjalën e Perëndisë, siç mbështetet edhe nga fakti se rezultati i mbushjes me Frymë, në të dyja rastet, është i njëjtë. Kështu mund të kalojmë te pika tjetër.

Fjala e Perëndisë, Bibla. 2 e Timoteut 3:16-17 na thotë se Perëndia na ka dhënë Fjalën e Tij për të na pajisur me çdo vepër të mirë. Fjala na mëson se si duhet të jetojmë dhe si duhet të besojmë. Na zbulon kur kemi zgjedhur rrugë të gabuara, na ndihmon të kthehemi përsëri në rrugën e drejtë dhe na ndihmon të qëndrojmë në atë rrugë. Ashtu siç thuhet edhe te Hebrenjve 4:12, ajo është e gjallë dhe e fuqishme, dhe është e aftë të depërtojë në zemrat tona, të shkulë nga rrënjët problemet më të thella, të cilat nga ana njerëzore nuk mund të mposhten. Psalmisti flet për fuqinë e saj jetëndryshuese te Psalmet 119:9,11,105 dhe në vargje të tjera. Jozueut i thanë se çelësi i suksesit përballë armiqve të tij (në analogji me betejën tonë shpirtërore) ishte të mos e harronte këtë burim, por përkundrazi, të meditonte për të ditë e natë. Dhe ai kështu bëri, edhe pse ajo që i tha Zoti të bënte nuk ishte aspak ndonjë taktikë ushtarake, por ky ishte çelësi i fitores në betejën e Tij për te Toka e Premtuar.

Fjala është një burim që ne nuk i japim rëndësi të veçantë. Ne përgatisim shërbesa simbolike duke marrë Biblat me vete në kishë ose lexojmë një pasazh apo kapitull në ditë, por as që nuk e mbajmë mend fare. Nuk meditojmë mbi të apo të kërkojmë një mënyrë për ta vënë në jetë, nuk i rrëfejmë mëkatet që mund të na zbulojë, nuk e lavdërojmë Zotin për dhuntitë që ka zbuluar te ne. Ne shpeshherë jemi anemikë ose bulimikë kur vjen puna te Bibla. Ne ose marrim aq sa të na mbajë gjallë nga ana frymërore, duke ngrënë nga Fjala vetëm kur shkojmë në kishë (por asnjëherë nuk marrim aq sa të jemi të krishterë të shëndetshëm dhe energjikë), ose hamë shpesh, por asnjëherë nuk meditojmë gjatë mbi të sa për t’u ushqyer prej saj.

Është e rëndësishme që nëse nuk të është bërë zakon të studiosh Fjalën e Perëndisë çdo ditë, në mënyrë kuptimplotë dhe duke mësuar përmendësh ato pasazhe që Fryma e Shenjtë vendos në zemrën tënde, duhet të fillosh ta bësh zakon. Gjithashtu sugjeroj që të fillosh një ditar (në kompjuterin tënd, nëse mund të shtypësh më shpejt se sa mund të shkruash) ose në një bllok. Bëje zakon që asnjëherë të mos e lesh Fjalën derisa të kesh shkruar atë që ke mësuar prej saj. Unë shpesh shkruaj lutje të drejtuara Perëndisë, duke i kërkuar të më ndryshojë në ato gjëra të cilat m’i ka treguar edhe vetë. Bibla është një mjet që Fryma përdor në jetën tonë dhe të njerëzve të tjerë (Efesianëve 6:17), një pjesë e thelbësore dhe madhore e armaturës që Zoti na jep për të luftuar betejat tona frymërore (Efesianëve 6:12-18).

Lutja–Është një tjetër burim thelbësor që Zoti na ka dhënë. Përsëri është një burim që të krishterët e bëjnë me fjalë, por nuk e përdorin siç duhet. Ne bëjmë takime lutjesh, kohë lutjesh etj., por asnjëherë nuk e përdorim lutjen ashtu si te shembujt e kishës së hershme (Veprat 3:1; 4:31; 6:4; 13:1-3, etj.). Pali na tregon vazhdimisht se si lutej për ata të cilëve iu shërbente. Perëndia na ka dhënë premtime të mrekullueshme lidhur me lutjen (Mateu 7:7-11; Luka 18:1-18; Gjoni 6:23-27; 1 Gjonit 5:14-15 etj.). Dhe përsëri, Pali e përfshin lutjen në pasazhin e armatimit për betejë frymërore (Efesianëve 6:18).

Sa e rëndësishme është lutja për të kapërcyer mëkatin në jetën tonë? Kur shohim sërish Pjetrin, te kopshti i Gjetsemanisë, na vijnë në mendje fjalët që i tha Krishti para se ai ta mohonte. Atje, ndërsa Jezusi lutej, Pjetri ishte duke fjetur. Jezusi e zgjon dhe i thotë: “Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët” (Mateu 26:41). Ashtu si Pjetri, edhe ti dëshiron të bësh atë që është e drejtë, por nuk e gjen dot forcën. Ne duhet të bëjmë atë që na thotë Zoti dhe të vazhdojmë të kërkojmë, të trokasim… dhe Ai do të na japë forcën që na nevojitet (Mateu 7:7). Sidoqoftë, këto nuk duhet të jenë thjesht disa fjalë.

Nuk dua të them me këtë se lutja është magjike. Nuk është e tillë, por Zoti është madhështor. Lutja është thjesht të njohim kufizimet tona dhe fuqinë e pashtershme të Zotit duke u mbështetur tek Ai për forcën që na duhet për të bërë atë çka Ai do që ne të bëjmë [jo atë që NE duam të bëjmë] (1 e Gjonit 5:14-15).

Kisha–Ky është burimi i fundit që kemi gjithashtu tendencën ta injorojmë. Kur Jezusi i dërgoi dishepujt e Tij, Ai i dërgoi dy nga dy (Mateu 10:1). Kur lexojmë në lidhje me udhëtimet e misionarëve te Veprat, ata nuk niseshin njëri pas tjetrit, por në grupe me nga dy. Jezusi tha se kur dy ose tre mblidhen në emrin e Tij, Ai është në mesin e tyre (Mateu 18:20). Ai na urdhëron që të mos e lëmë pas dore mbledhjen së bashku, siç e kishin zakon disa, por ta përdorim atë kohë për të inkurajuar njëri-tjetrin me dashuri dhe vepra të mira (Hebrenjve 10:24, 25). Ai na thotë që t’i rrëfejmë gabimet tona njëri-tjetrit (Jakobi 5:16). Në librin e urtësive, në Besëlidhjen e Vjetër, na thuhet se ashtu si hekuri mpreh hekurin, ashtu edhe njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij (Fjalët e Urta 27:17) “Një litar tresh nuk këputet aq shpejt”, pra ka fuqi në numra (Predikuesit 4:11-12).

Disa njerëz që njoh kanë gjetur vëllezër ose motra (nëse je femër) në Krishtin, të cilët mblidhen së bashku nëpërmjet telefonit ose duke qenë vetë prezent dhe ndajnë se si shkon ecja e tyre e krishterë, si mund të jenë përballur me gjëra të ndryshme etj.; dhe gjithashtu janë përkushtuar në lutje për njëri-tjetrin duke kujtuar përgjegjësinë që kanë për të aplikuar Fjalën në marrëdhëniet e tyre.

Ndonjëherë, ndryshimi ndodh shpejt. Herë të tjera, në fusha të ndryshme, ndodh më ngadalë. Gjithsesi Zoti na ka premtuar se ndërsa ne përdorim burimet e Tij, Ai do të sjellë ndryshim në jetën tonë. Mos harro se Ai është besnik ndaj premtimeve të Tij!



Botuar me leje:   https://www.gotquestions.org/victory-over-sin.html  

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaGot Questions

Postime të ngjashme

Cili është kuptimi i jetës?
>