kryqi ne mur

Qershor 2022


Pyetje: Nëse kthehem i krishterë, familja ime do të më mohojë dhe unë do të përndiqem. A duhet ta ndjek Jezusin?

Përgjigje:
Të kthehesh i krishterë do të thotë të bëhesh pasues i Jezusit me anë të besimit (Gjoni 10:26-30). Turmat u dyndën te Jezusi, por shumica nuk ishin pasuesit e Tij të vërtetë. Ata thjesht donin të provonin shërimin e sëmundjeve të tyre, të shihnin Jezusin duke dëbuar demonët dhe të hanin bukën që Ai u siguronte në mënyrë të mrekullueshme. Jezusi i paralajmëroi ata për koston e ndjekjes së Tij:

“Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: “Kushdo që do të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë”, sepse ai që do të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do ta shpëtojë. Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, dhe të humbë shpirtin e vet? Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet? Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të vijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë” (Marku 8:34-38).

A do të ndjekësh dëshirat e tua mishore, apo do ta mohosh veten dhe do të ndjekësh Jezusin? A e vlerëson jetën tënde tokësore apo jetën e përjetshme? A i çmon të mirat e kësaj bote apo shpëtimin e shpirtit tënd? Ke frikë se ke turp për Jezusin apo ke frikë se Jezusi ka turp për ty?

Ti ndjek atë gjë që ke thesar në zemër. Ti shkon në punë dhe punon fort, sepse e dini që shpërblimet e një pagese janë më të mëdha se kënaqësia e përkohshme e shtrirjes në shtëpi përpara TV. Nëse Jezusi të thërret, ti do ta ndjekësh Atë, duke e ditur se humbja e jetës tënde tokësore vlen shumë më tepër për jetën e përjetshme.

A do ta ndjekësh Jezusin? Këto janë kostot (Luka 14: 25-33):

  • Ndjekja e Jezusit kushton jetën tënde. Jezusi tha se ti duhet ta mohosh veten, duke marrë kryqin tënd. Ai që refuzon kryqin, nuk mund të jetë dishepulli i Krishtit (Luka 14:27)

Kryqi ishte një instrument i vdekjes dhe Jezusi po e bënte të qartë se të ndiqje Atë, do të thoshte të vdisje ndaj vetes. Të gjitha dëshirat tona tokësore dhe ambiciet duhet të kryqëzohen që të kemi një jetë të re në Të, sepse askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve: “Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose do të lidhet me njërin dhe tjetrin do ta përbuzë; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit” (Luka 16:13). Ndaj, kjo jetë e re është shumë herë më madhështore dhe më e vlefshme se çdo gjë që mund të fitojmë në këtë botë.

  • Ndjekja e Jezusit mund të kushtojë humbjen e familjes dhe miqve. Kushdo që nuk urren (do të thotë të duash më pak) familjen e tij nuk është i denjë për Krishtin (Mateu 10: 32-39).

Së dyti, ndjekja e Jezusit mund të na kushtojë miqtë tanë dhe familjen tonë. Jezusi shpjegon te Mateu 10:32-39 se ardhja e Tij do të sillte ndarje ndërmjet ndjekësve të Tij dhe familjeve të tyre, por çdokush që nuk e urren (në kuptimin e do më pak) familjen e tij, nuk është i denjë të jetë ndjekësi i Tij. Nëse ne e mohojmë Krishtin për të pasur paqe në familjen tonë tokësore, atëherë edhe Ai do të na mohojë në qiell dhe nëse Jezusi na mohon, na ndalohet hyrja për në qiell. Por nëse ne e pranojmë Atë para njerëzve, pavarësisht nga kostoja personale që mund të paguajmë, Ai do t’i thotë Atit të Tij: “Ky është i imi–uroi mirë se ardhjen në mbretërinë Tënde.” Jeta e përjetshme është “margaritari me vlerë të madhe” te Mateu 13:44-46, për të cilin ia vlen të heqësh dorë nga çdo zotërim. Nuk është mirë të kapesh pas gjërave të kësaj jete të shkurtër dhe të humbasësh përjetësinë. “Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë të gjithë botën, dhe të humbë shpirtin e vet?” (Marku 8:36).

  • Ndjekja e Jezusit mund të kushtojë humbjen e pasurisë tuaj. Një njeri i pasur me krenari mendoi se ishte mjaft i mirë për të shkuar në parajsë. “Jezusi i tha: ‘Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; edhe eja ndiqmë’” (Mateu 19:21). Duke dashur më shumë pasuri, njeriu i pasur e braktisi Jezusin.

  • Ndjekja e Jezusit do të kushtojë përndjekje. Të krishterët duhet të presin që vuajtjet të jenë pjesë normale e përkatësisë së “njeriut të hidhërimeve” (Shih Isaia 53 dhe Gjoni 15: 18-21).


Jezusi gjithashtu e bëri të qartë se përndjekja për hir të Tij ishte e paevitueshme. Ai na nxit që ta konsiderojmë një gjë të tillë si pjesë normale e të qenët dishepuj të Tij dhe të marrim zemër gjatë kësaj kohe. Ai madje e quan “të bekuar” atë që persekutohet dhe na thotë që “të gëzohemi dhe të ngazëllohemi sepse shpërblimi jonë është i madh në qiej” (Mateu 5:10-12).

Jezusi na kujton se njerëzit e Tij kanë qenë gjithmonë të persekutuar. Në Besëlidhjen e Vjetër profetët persekutoheshin, fyheshin, torturoheshin, vriteshin, madje thuhet në një rast se janë sharruar (Hebrenjve 11:37). Të gjithë apostujt (përveç Gjonit, i cili u dërgua si i burgosur në ishullin e Patmos) u ekzekutuan për shkak se predikuan Krishtin. Sipas traditës, thuhet se Pjetri ka ngulur këmbë për t’u kryqëzuar me kokë poshtë sepse e konsideronte veten të padenjë për të vdekur në të njëjtën mënyrë si Zoti. Dhe përsëri ai shkroi në letrën e Tij të parë: “ Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju...” (1 e Pjetrit 4:14). Apostulli Pal ka qenë në burg, është rrahur dhe është gjuajtur me gurë disa herë për shkak se ka predikuar Krishtin, por ai i konsideronte vuajtjet e tij të padenja për t’u përmendur, krahasuar me lavdinë që e dinte se e priste (Romakëve 8:18).

Të ndjekësh Jezusin nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të humbasësh pasurinë, familjen, miqtë dhe jetën fizike, por a je i gatshëm?

Megjithëse kostoja e të qenët një dishepull mund të duket e lartë, shpërblimet janë tokësore dhe qiellore. Jezusi ka premtuar se do të jetë me ne gjithmonë, deri në fund të kësaj epoke (Mateu 28:20); Ai kurrë nuk do të na lerë dhe nuk do të na braktisë (Hebrenjve 13:5); Ai e njeh dhimbjen dhe vuajtjet tona, duke qenë se edhe Ai vuajti për ne (1 e Pjetrit 2:21); Dashuria e Tij për ne nuk njeh asnjë fund, Ai kurrë nuk do të lejojë që të tundohemi përtej fuqive tona, por gjithmonë do të na japë një rrugëdalje (1 e Korintasve 10:13). Kur ne bëhemi pjesëtarët e parë në familjen ose në kulturën tonë që përqafojmë Krishtin, ne bëhemi anëtarë të familjes së Perëndisë, duke u bërë kështu edhe ambasadorë për të dashurit tanë dhe për botën. Si të tillë, ne fare mirë mund të bëhemi instrumenti që Ai përdor për të tërhequr të tjerët drejt Vetes, duke na dhënë një gëzim përtej çdo imagjinate.



Botuar me leje:   https://www.gotquestions.org/convert-persecution.html  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaGot Questions

Postime të ngjashme

Cilat janë atributet e Perëndisë
A jam i shpëtuar vetëm me anë të besimit apo me anë të besimit dhe të veprave?
Cili është kuptimi i jetës?
>