david monje vhzmxp8pbj0 unsplash

Prill 2022


“Mençuria frymërore konsiston kryesisht në shqisën ose shijen e bukurisë morale të gjërave hyjnore.” -Jonathan Edwards, Religious Affections

Oh, sa i lumtur do të isha nëse do të mund të isha sadopak i dobishëm për shpirtrat e disa prej njerëzve të Perëndisë, ashtu siç Jonathan Edwards-i ishte për mua! As ai dhe as unë nuk jemi zëdhënës të frymëzuar të Perëndisë, ashtu siç ishin apostujt. Por në një farë mase, jemi me ta “administratorë të mistereve të Perëndisë” (1 e Korintasve 4:1). Këta kujdestarë ishin menaxherët e burimeve të shtëpisë së pronarit, të cilët i menaxhonin ato për tu sjellë përfitim anëtarëve të shtëpisë.

Si një administrator i mirë, Edwards-i foli për këto “mistere”–për këto mrekulli dikur të fshehura, por tani të zbuluara të Perëndisë–në një mënyrë të tillë që për dyzet vjet më ka gjallëruar shpirtin si asnjë mësues tjetër jashtë Biblës. Atë që C.S. Lewis e ka bërë për të më zgjuar përballë bukurive të botës, Edwards-i e ka bërë për të më zgjuar përballë bukurive të Perëndisë.

Ja një shikim i shpejtë i një prej mënyrave se si Edwards e ka transformuar mënyrën se si unë e shoh Perëndinë dhe fjalën e Tij. Ndoshta ti mund të përjetosh diçka të ngjashme.


Dy lloje të njohjes

Shumica prej nesh nuk e kanë të qartë idenë se ka një ndryshim midis njohjes intelektuale të së vërtetës biblike dhe njohjes frymërore të saj. Ne kemi lexuar 1 e Korintasve 2:14:

“Dhe njeriu natyror nuk i pranon gjërat e Frymës se Perëndisë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohe; sepse ato hetohen frymërisht.”

Ne kemi lexuar tek 3 e Gjonit 11: “Por ai që bën të keqen, nuk e ka parë Perëndinë.” Dhe ne kemi hamendësuar se duhet të ketë një lloj shikimi që është më shumë se shikimi thjesht intelektual, i cili na lë të pandryshuar në mëkatin tonë.

“Atë që C.S. Lewis e ka bërë për të më zgjuar përballë bukurive të botës, Edwards-i e ka bërë për të më zgjuar përballë bukurive të Perëndisë.”

Kemi lexuar lutjen e Jezusit te Gjoni 17:3, ku Ai thotë: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”. Dhe ne kemi arritur në përfundimin se kjo lloj njohjeje është e ndryshme nga ajo që ka djalli. Kjo njohje është jetë!


Mençuria frymërore

Për mua, ishte Jonathan Edwards-i, ai që i kapi këto dy lloj njohurish–intelektuale dhe frymërore–i mblodhi fragmentet biblike dhe i solli nën dritën e shkëlqimit koherent të tyre dhe më tregoi rëndësinë e tyre të pafundme për të gjithë jetën.

Ekziston një dallim ndërmjet kuptimit të thjeshtë si koncept, ku mendja i shikon gjërat vetëm në ushtrimin e një aftësie spekulative; dhe mes shqisës së zemrës, ku mendja... shijon dhe ndien... E para është njohuri e thjeshtë spekulative; kurse tjetra është e ndjeshme, në të cilën përfshihet më shumë se sa intelekti i thjeshtë; zemra është subjekti i saj i vërtetë, ose shpirti si një qenie që jo vetëm sheh, por ka edhe prirje për tu pëlqyer ose për tu zhgënjyer. (Religious Affections, 272, theksimi i shtuar)

Edwards-i tërhoqi vëmendjen time te fraza “mençuria frymërore” në vargu i Kolosianëve 1:9: “Nuk pushojmë së luturi për ju dhe të kërkojmë që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mençuri frymërore.” Më pas, ai bëri komentin e qartë:

Që ekziston një gjë e tillë si të kuptuarit e gjërave hyjnore, e cila në natyrën dhe llojin e saj është krejtësisht e ndryshme nga të gjitha njohuritë që njerëzit kanë zakonisht, është e qartë nga kjo, se ekziston një kuptim i gjërave hyjnore, të cilën Shkrimi e quan mençuri frymërore. (270)

Dhe çfarë është kjo mençuri frymërore? Çfarë e bën atë të ndryshme nga të kuptuarit spekulativ, konceptual apo intelektual? Edwards-i u përgjigj:

“Ajo konsiston në një shqisë të zemrës, për bukurinë supreme dhe ëmbëlsinë e shenjtërisë ose përsosmërisë morale të gjërave hyjnore, së bashku me gjithë aftësinë dalluese dhe njohurinë e gjërave të fesë, e cila varet dhe rrjedh nga një shqisë e tillë. (272)”


Gjuha e re, përtej Kalvinit

Ky ishte një fjalor i ri për mua: “shqisa e zemrës” dhe “bukuria dhe ëmbëlsia e shenjtërisë”. Edwards-i tha se njohuria frymërore “shpesh përfaqësohet nga shijimi, nuhatja ose të provuarit” (272-73). Kjo nuk ishte gjuha e njohjes frymërore që kisha marrë në kishë, kolegj apo seminar.

Ne jemi kaq të formësuar nga ata që janë mësuesit tanë kryesorë. Për shembull, krahasoni mënyrën se si John Calvin-i dhe Jonathan Edwards-i flasin për faktin se roli i Frymës në dhënien e njohjes frymërore, nuk përfshin dhënien e informacionit të ri që nuk është në Shkrimin e Shenjtë.

Calvin:

Detyra e Frymës që na është premtuar, nuk është të formojmë zbulesa të reja dhe të padëgjuara, apo të krijojmë një formë të re doktrine me anë të së cilës ne të mund të largohemi nga doktrina e pranuar e Ungjillit, por që të vulosim në mendjet tona vetë doktrinën që paraqet Ungjilli. (Institutet)

Edwards:

Kuptimi frymëror nuk konsiston në ndonjë njohuri të re doktrinore, ose te të pasurit e ndonjë teorie të re në mendje, të palexuar apo dëgjuar më parë: sepse është e qartë se ky sugjerim i teorive të reja është një gjë krejtësisht e ndryshme nga të dhënit mendjes një shije të re të bukurie dhe ëmbëlsie. (278)

Të dyja deklaratat, ajo e Calvin-it dhe Edwards-it, janë të vërteta, të sakta dhe të rëndësishme. Gjithsesi ajo që shprehin është e ndryshme. Calvin-i thotë se puna e Frymës në dhënien e kuptimit frymëror është që “të vulosë në mendjet tona vetë doktrinën që paraqet Ungjilli”. Edwards-i thotë se puna e Frymës është që t’i “japë mendjes një shije të re bukurie dhe ëmbëlsie”.

Gjuha e Calvin-it mbetet në fushën e mendjes, doktrinës dhe vulosjes. Gjuha e Edwards-it shqyrton përvojën aktuale të vulosjes dhe e përshkruan atë si “shije bukurie dhe ëmbëlsie”.


Një shikim i ri

Edwards-i më hapi sytë ndaj realitetit biblik të përjetimit të Psalmit 34:8: “Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti!” Ka një shikim dhe një shijim që mendja natyrore nuk e ka.

Për shembull, Pali thotë se Satani i pengon jobesimtarët “që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit që është shëmbëllim i Perëndisë” të ndriçojë tek ata (2 e Korintasve 4:4). Kjo verbëri kapërcehet vetëm sepse Perëndia “ndriti në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 e Korintasve 4:6).

“Ka një shikim dhe shijim që mendja natyrore nuk e ka.”

Pra, ekziston një shikim frymëror që ndryshon nga shikimi natyror. Dhe ajo që shihet me anë të Frymës është “drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit”. Drita shihet, por jo ajo natyrore. Përkundrazi, ajo që shihet është drita e lavdisë hyjnore. Lavdia e Krishtit, shëmbëllimi i Perëndisë.

Kësaj i referohet Edwards-i kur thotë se ajo që “shqisa e re frymërore” sheh, është:

bukuria dhe përsosmëria supreme e natyrës së gjërave hyjnore... kryesisht dhe më së pari mençuria frymërore konsiston në shikimin ose të ndjerit e kësaj. (271-72)


Një i shijuar i ri

Ky shikim frymëror përshkruhet gjithashtu si shijim frymëror. “Provojeni e shihni se i mirë është Zoti.” “Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time” (Psalmi 119:103). “Si foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij. Nëse vërtet keni shijuar se Zoti është i mirë.” (1 e Pjetrit 2:2-3).

Derisa lexova librin Religious Affections të Edwards-it, e kalova këtë lloj gjuhe me pak vlerësim për rrjedhojat e thella frymërore, epistemologjike dhe pastorale që përmbanin fjalë të tilla. Por Edwards-i më kapi prej jake dhe më shkundi derisa pashë se sa befasuese janë rrjedhojat e konvertimit, mrekullia e lindjes së re dhe realiteti i bashkësisë me Perëndinë e gjallë.

Edwards-i shkroi kështu për Psalmin 119:

Në këtë psalm, epërsia e shenjtërisë paraqitet si objekt i menjëhershëm i një shijeje frymërore, kënaqësie, dëshire dhe endjeje. Ligji i Perëndisë, ajo shprehje madhështore dhe rrezatim i shenjtërisë së natyrës së Tij dhe urdhëzim shenjtërie për krijesën, paraqitet gjithandej si ushqimi dhe sigurimi, dhe si objekti i madh i dashurisë, dëshirës, kënaqësisë dhe gëzimit të natyrës së hirshme, e cila i vlerëson urdhërimet e Perëndisë më tepër se arin, po, edhe më tepër se arin më të mirë, dhe për të cilën ato janë më të ëmbla se mjalti, edhe se hualli i mjaltit. (260, theksimi i shtuar)


Krejtësisht i ri dhe i mbinatyrshëm

Këto fjalë nuk janë metaforike për të menduarit drejtë. Ato i referohen frytit të mbinatyrshëm të të menduarit të drejtë; pra, ndjenjat frymërore–çmuarja, vlerësimi, admirimi, pëlqimi, gëzimi, kënaqësia. Këto veprime të shpirtit i atribuohen një aftësie të re të dallimit frymëror–ndjesia dhe perceptimi frymëror.

Ky kapacitet nuk ekzistonte përpara lindjes së re. Ky ishte krijim i Frymës së Shenjtë.

Mendja ka një lloj perceptimi ose ndjesie krejtësisht të re. Ose ndryshe, si të thuash, është një ndjesi e re frymërore e mendjes... e cila në tërë natyrën e saj është e ndryshme nga çdo lloj ndjesie e mëparshme e saj, pasi shijimi është i ndryshëm nga çdo shqisë tjetër. Diçka perceptohet nga një shenjtor i vërtetë... në gjërat frymërore dhe hyjnore, si krejtësisht e ndryshme nga çdo gjë... e perceptuar... nga njeriu natyror, pasi shija e ëmbël e mjaltit është e ndryshme nga idetë që njerëzit marrin për mjaltin vetëm duke e parë dhe duke e ndjerë atë. (fq. 205-6)

Pa këtë “ndjesi të re frymërore të mendjes”, nuk ka shpëtim. Ky është kuptimi i të lindurit sërish. Sa prej atyre që thonë me gojë se janë të krishterë, u mungon kjo aftësi frymërore për të shijuar Perëndinë? Një mënyrë për ta zbuluar këtë është që pastorët dhe mësuesit t’i japin më shumë rëndësi klauzolës së kushtëzuar të 1 e Pjetrit 2:2-3:

“Si foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij, nëse vërtet e keni shijuar se Zoti është i mirë.”

Çdo pastor duhet të meditojë për këtë nëse me shumë seriozitet. Pjetri po thotë se pirja e qumështit të Fjalës do të çojë në shpëtim “nëse e keni shijuar”. Jo nëse kemi dëgjuar, nëse keni njohur, apo nëse keni vendosur, por nëse keni shijuar.

“Pirja e qumështit të Fjalës do të çojë në shpëtim “nëse e keni shijuar”. Jo nëse kemi dëgjuar, nëse keni njohur, apo nëse keni vendosur, por nëse keni shijuar.”

E falënderoj Perëndinë që më shumë se gjashtëdhjetë vjet më parë, Ai hyri në jetën time dhe më dha një zemër të re. E falënderoj Atë që për më shumë se gjashtëdhjetë vjet, ka zgjuar dhe rizgjuar pafund herë, një shije për “bukurinë morale të gjërave hyjnore”. Lutem që Ai ta bëjë këtë edhe për ty. “Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti.”

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Katër prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pesë Pika–Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, Virusi Korona dhe Krishti dhe Lajm i Mirë, Gëzim i Madh.


Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje:  https://www.desiringgod.org/articles/have-you-tasted-god-himself  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim