Pjetrit iu kujtua… duke e menduar këtë, qau.
Marku 14:72
Janë disa që mendojnë se gjatë gjithë jetës së tij, Pjetrit i rridhnin lotët rrëke sa herë që i kujtohej që e kishte mohuar Zotin e tij. Ka shumë gjasa që të ketë qenë kështu (sepse mëkati i tij ishte shumë i madh, dhe paskëtaj, hiri kreu një vepër të përkryer në të). Kjo është një përvojë e zakonshme për të gjithë familjen e të shpenguarve, sipas shkallës në të cilën Fryma e Perëndisë e ka hequr zemrën natyrore prej guri.
Edhe neve, porsi Pjetrit, na kujtohet premtimi ynë mburracak: “Edhe sikur të gjithë të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem kurrë” (Mateu 26:33). Ne i hamë vetë fjalët tona me barishtet e hidhura të pendimit. Kur mendojmë për atë që ishim betuar se do të ishim dhe për atë që kemi qenë, mund të qajmë për orë të tëra për shkak të pikëllimit. Ai mendonte për mënyrën se si e kishte mohuar Zotin e vet—vendin ku e kreu atë gjë, shkakun e papërfillshëm që e shtyu të binte në një mëkat kaq të neveritshëm, betimet dhe blasfemitë me të cilat u përpoq ta vërtetonte gënjeshtrën e vet, dhe zemërngurtësinë e frikshme që e shtyu ta përsëriste disa herë një gënjeshtër të tillë. Si mundemi vallë të mbetemi kokëfortë dhe të palëkundur tek na kujtohen mëkatet tona dhe mëkatshmëria e tyre e pashembullt? A nuk do ta kthejmë vallë banesën tonë në një vend flijimi dhe t’i klithim Zotit për siguri të ripërtëritura të dashurisë falëse?
Kurrë mos i konsiderofshim mëkatet tona pa na u njomur sytë nga lotët, nëse nuk duam të na digjet gjuha në flakët e ferrit. Pjetri gjithashtu sillte ndërmend shikimin plot dashuri të Mjeshtrit të vet. Zoti e ndoqi këngën paralajmëruese të këndesit me një shikim qortues plot me pikëllim, keqardhje dhe dashuri. Gjatë gjithë jetës së tij, Pjetrit nuk iu shkul kurrë nga mendja ai shikim, sepse ishte shumë më i efektshëm sesa dhjetë mijë predikime pa Frymën. Apostulli i penduar me siguri që qante kur sillte ndër mend faljen e plotë të Shpëtimtarit, e cila e rivendosi Pjetrin në vendin e vet. Mendimi se kemi fyer një Zot kaq të mirë dhe të dashur, është një arsye më se e mjaftueshme për të na bërë vajtues të përhershëm. Zot, goditi zemrat tona prej guri dhe bëj që prej tyre të rrjedhë ujë i gjallë!
© dritez.al 2024