spurgeon dev 26 korrik pm
July 2023

...për ta bërë të ulet me princat.

Psalmi 113:8

Privilegjet tona frymërore janë të rangut më të lartë. Kur themi “me princat”, nënkuptojmë vendin e shoqërisë së përzgjedhur. “...dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin” (1 e Gjonit 1:3). [Po qe se flasim për shoqëri të përzgjedhur], nuk besoj se ka ndonjë tjetër që mund t’i afrohet së lartpërmendurës! “Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë” (1 e Pjetrit 2:9). “...kishës së të parëlindurve që janë shkruar në qiej” (Hebrenjve 12:23).

Shenjtorët kanë qasje të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme [në oborret e qiellit]: princat lejohen në praninë e mbretërve, ndërsa njerëzit e thjeshtë duhet të qëndrojnë larg. Fëmija i Perëndisë ka qasje të drejtpërdrejtë në oborret e brendshme të qiellit. “...sepse, përmes tij, që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetëm” (Efesianëve 2:18). Apostulli thotë: “Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit” (Hebrenjve 4:16).

Mec princave ka pasuri me bollëk, por ç’është bollëku i princave në krahasim me pasuritë e besimtarëve? Kjo sepse “të gjitha janë tuajat. Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë” (1 e Korintasve 22-23). “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të?” (Romakëve 8:32). Princat kanë pushtet të veçantë. Një princ i perandorisë qiellore ka pushtet të madh: ai mban në dorë skeptrin e pushtetit në mbretërinë e tij; ai ulet mbi fronin e Jezusit, sepse “[Ai] na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe” (Zbulesa 5:10). Sundimi ynë shtrihet mbi mbretërinë e bashkuar të kohës dhe përjetësisë.

Princat përfitojnë gjithashtu ndere të veçanta. Ne mund ta shohim me nënçmim gjithë aristokracinë e kësaj bote nga vendet e larta ku na ka vendosur hiri. Kjo sepse, a mund të krahasohet vallë madhështia njerëzore me këtë: “[Ai] na ringjalli bashkë me të, dhe na vuri të ulemi bashkë me të në vendet qiellore në Krishtin Jezus” (Efesianëve 2:6)? Ndajmë nderin e Krishtit dhe, në krahasim me këtë, lavditë tokësore nuk vlejnë as edhe një qindarkë. Përbashkësia me Jezusin është xhevahiri më i çmuar që ka xixëlluar ndonjëherë në diademën mbretërore. Bashkimi ynë me Zotin është një emblemë bukurie që ia tejkalon për nga shkëlqimi mbarë vezullimit të luksit perandorak.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin