“...sepse unë kam pushtet mbi ju.”
Jeremia 3:14
Jezu Krishti është i lidhur me popullin e tij në një bashkim martesor. I shtyrë nga dashuria, Ai e mori për nuse Kishën e Tij si një virgjëreshë të dëlirë, shumë kohë përpara se ajo të binte nën zgjedhën e skllavërisë. Me zemrën që i digjej nga dashuria, Ai u rropat, porsi Jakobi për Rakelën e tij të shtrenjtë, derisa të paguante plotësisht çmimin e caktuar për të; dhe tani pasi e kërkoi me anë të Frymës së Tij dhe pasi e bëri atë që ta njihte dhe ta donte, Ai qëndron në pritje të orës së lavdishme kur lumturia e tyre e dyanshme do të konsumohet në banketin e dasmës së Qengjit.
Dhëndri i lavdishëm nuk e ka paraqitur ende të fejuarën e Tij, të përsosur dhe të plotë, përpara Madhështisë së qiellit; por, në fakt, edhe ajo nuk i gëzon ende zyrtarisht të drejtat e saj si bashkëshortja e Tij dhe mbretëreshë. Ajo endet akoma në një botë mjerimi, duke banuar në çadrat e Kedarit (Psalmi 120:5); por, megjithëkëtë, ajo është që tani nusja, bashkëshortja e Jezusit, shumë e shtrenjtë për zemrën e Tij, e çmuar në sytë e Tij, e shkruar në duart e Tij dhe e bërë njësh me personin e Tij.
Këtu mbi tokë, Ai ushtron ndaj saj të gjitha ofiqet e dashura të Bashkëshortit. Ai siguron bujarisht për të gjitha nevojat e saj, paguan të gjitha borxhet e saj, si dhe i ka dhënë asaj të drejtën të mbajë emrin e Tij dhe të ketë pjesë në tërë pasurinë e Tij. Kjo sepse Ai nuk mund të sillet dot ndryshe me të. Ai nuk do ta përmendë asnjëherë fjalën divorc, sepse Ai e urren divorcin. Vdekja e zgjidh përfundimisht lidhjen martesore edhe mes atyre vdekatarëve që e duan njëri-tjetrin me një dashuri të marrë, por nuk e zgjidh dot këtë marrëdhënie martesore të pavdekshme. Në qiell as martohen, as martojnë, por janë si engjëjt e Perëndisë; e megjithatë ekziston një përjashtim i mrekullueshëm nga rregulli, sepse, pikërisht në Qiell, Krishti dhe Kisha e Tij do të kremtojnë dasmën e tyre të hareshme.
Kjo lidhje e ngushtë, duke qenë se është e përjetshme, është edhe më intime sesa lidhja martesore mbi tokë. Sado e zjarrtë dhe e dëlirë të jetë dashuria e bashkëshortit, nuk është gjë tjetër veçse një pasqyrim i zbehtë i flakës që brambullon në zemrën e Jezusit. Bashkimi mistik me Kishën, për të cilin Krishti la Atin e tij dhe u bë një mish me nusen e vet, ia kalon pafundësisht çdo bashkimi njerëzor.
© dritez.al 2024