Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.
Psalmi 25:5
Kur besimtari ka nisur të ecë me këmbë të lëkundura përgjatë udhës së Zotit, ai ende kërkon që të udhëhiqet porsi një fëmijë i vogël, i cili mbahet fort pas dorës së dashur të prindit të vet, dhe është i etshëm të marrë mësime të mëtejshme rreth abecesë së të vërtetës. Mësimi nga përvoja është shqetësimi i kësaj lutjeje. Megjithëse dinte shumë, Davidi ishte i vetëdijshëm për padijen e tij dhe dëshironte të vazhdonte ta ndiqte shkollën e Zotit: katër herë, brenda dy vargjeve, kërkon një bursë për të ndjekur kolegjin e hirit. Shumë besimtarë do të bënin mirë që, në vend që të vepronin duke u mbështetur në forcat e veta e duke çarë shtigje të reja mendimi siç ua pret mendja, të kërkonin udhët e vjetra e të bekuara të së vërtetës të vetë Perëndisë dhe t’i përgjëroheshin Frymës së Shenjtë që t’u falte atyre intelekt të shenjtëruar dhe një shpirt që mëson lehtë.
“Sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim.” Jahveh-u është Kreu dhe Plotësonjësi i shpëtimit të popullit të Tij. Lexues, a është Ai vallë Perëndia i shpëtimit tënd? A gjendet themeli i shpresës sate të përjetshme në zgjedhjen e Atit, në shlyerjen e Birit dhe në rilindjen e Frymës? Nëse gjërat janë kështu, mund ta përdorësh këtë fakt si një argument për të fituar bekime të mëtejshme. Nëse Zoti të ka caktuar për shpëtim, me siguri që nuk do të refuzojë të të mësojë në udhët e Tij. Sa gjë e bukur është nëse mund t’i drejtohemi Zotit me sigurinë që Davidi shfaq në këtë varg; kjo gjë i fal fuqi të madhe lutjes sonë dhe na ngushëllon nëpër sprova.
“Shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.” Durimi është shërbëtorja e dëlirë dhe bija e besimit; ne presim me gëzim kur jemi të sigurt se nuk po presim më kot. Është detyra dhe privilegji ynë të presim në Zotin duke shërbyer, adhuruar, shpresuar dhe besuar gjithë ditët e jetës sonë. Kështu, besimi ynë do të jetë një besë e sprovuar, dhe nëse është i llojit të vërtetë, do t’i përballojë sprovat e vazhdueshme pa u epur. Nuk do të lodhemi kurrë së prituri në Perëndinë nëse i kujtojmë vetes se sa e gjatë dhe sa e mbushur plot hir ishte pritja e Tij për ne.
© dritez.al 2024