February 2023

“Atë, mëkatova…”

Luka 15:18

Natyrisht, ata që Krishti i ka larë me gjakun e Tij të shtrenjtë, nuk kanë pse ta bëjnë rrëfimin e tyre të mëkateve përpara Perëndisë Gjykatës, si keqbërës apo kriminelë, sepse Krishti i ka fshirë një herë e mirë mëkatet e tyre në kuptimin ligjor të fjalës. Pra, ata nuk qëndrojnë më në bankën e të akuzuarve, por janë pranuar një herë e përgjithmonë në Shumë të Dashurin. 

Mirëpo, duke qenë se janë birësuar dhe duke qenë se mëkatojnë, edhe pse janë bërë bij, a nuk duhet të paraqiten ata çdo ditë përpara Atit të tyre qiellor, të rrëfejnë mëkatin e tyre dhe të pranojnë paudhësinë e tyre si bij të Atit që janë? Natyra na mëson se fëmijët që gabojnë, e kanë për detyrë t’i rrëfehen atit të tyre tokësor dhe hiri i Perëndisë, të cilin e kemi në zemër, na mëson se edhe ne si të krishterë kemi të njëjtin detyrim ndaj Atit tonë qiellor. Përditë bëjmë mëkate dhe nuk duhet ta mbyllim ditën pa marrë faljen. Le të supozojmë se shkeljet që bëj kundër Atit tim nuk i çoj menjëherë përpara Tij, për t’u larë nga fuqia pastruese e Zotit Jezus—ç’pasoja do të kem nga kjo gjë? Nëse nuk kam kërkuar falje dhe nuk nuk jam pastruar nga mëkatet kundër Atit tim, unë do të ndihem larg Tij; do të më lindin dyshime rreth dashurisë së Tij ndaj meje, do të dridhem përpara Tij dhe do të kem frikë që t’i lutem: pra, do të bëhem si plëngprishësi, i cili, megjithëse ishte ende një bir, prapëseprapë gjendej shumë larg atit të tij. Por nëse me keqardhjen e një fëmije që ka fyer një Prind kaq të hirshëm e të dashur, shkoj tek Ai dhe i tregoj gjithçka, dhe nuk gjej prehje derisa ta kuptoj se jam falur, atëherë do të ndiej një dashuri të shenjtë për tim Atë dhe do ta jetoj thirrjen time të krishterë, jo vetëm si dikush që është shpëtuar, por si dikush që po shijon paqen e tanishme në Perëndinë përmes Jezu Krishtit, Zotit tim.

Ekziston një dallim i madh mes të rrëfyerit të mëkatit si keqbërës dhe rrëfimit të tij si fëmijë i Perëndisë. Kraharori i Atit është vendi më i mirë për t’u rrëfyer i penduar. Natyrisht, ne jemi pastruar një herë e përgjithmonë, por këmbët tona duhen larë gjithmonë nga ndotja e ecjes sonë të përditshme si fëmijë të Perëndisë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin