“Dashurinë tënde të parë e le.”
Zbulesa 2:4
Ne gjithmonë do ta kujtojmë çastin, më të ndritshmin dhe më të lumin çast, kur ne e pamë Zotin për herë të parë, hoqëm barrën tonë, morëm dhuratën e hirit, u ngazëllyem për shpëtimin tonë të plotë dhe vazhduam rrugën tonë në paqe. Në shpirt kishim pranverë; dimri kishte kaluar; krisma e bubullimave të Sinait nuk dëgjohej më; flakërimat e shkreptimave të tij u bënë të padukshme; Perëndia shikohej tashmë si i pajtuar me ne; ligji nuk kanosej më me hakmarrjen e vet dhe drejtësia nuk kërkonte asnjë dënim.
Atëherë zemra jonë u mbush me lule të sapoçelura. Shpresa, dashuria, paqja dhe durimi hodhën shtat mbi tokë; dhe kopshti i shpirtit u zbukurua me zymbylin e pendimit, luleborën e shenjtërisë së pastër, krokëllin e besimit të artë dhe narcisin e dashurisë së parë.
Kishte ardhur koha e këngës së zogjve, dhe ne u gëzuam me falënderim; e madhëruam emrin e shenjtë të Perëndisë tonë falës dhe vendimi ynë ishte: “Zot, unë jam Yti, vetëm Yti. T’i përkushtoj ty gjithçka kam dhe jam. Më ke blerë me gjakun Tënd—mos më kurse për shërbimin tënd dhe le të tretem i tëri për Ty. Në jetë a në vdekje, të takofsha gjithmonë Ty.”
Sa e kemi realizuar këtë vendim tonin? Dashuria e parë digjej me një flakë të shenjtë përkushtimi ndaj Jezusit—a e kemi edhe tani të njëjtën ndjenjë? A është e mundur që Jezusi të mund të na thotë edhe neve: “Por kam diçka kundër teje, se dashurinë tënde të parë e le”? Mjerisht, ne kemi bërë pak për lavdinë e Zotit tonë. Dimri ynë ka zgjatur aq shumë. Jemi po aq të ftohtë sa akulli, edhe pse duhet të ndienim nxehtësinë e verës dhe të çelnim lule të shenjta. I japim Zotit qindarka, megjithëse Ai meriton shumë më shumë, madje, meriton që gjaku i zemrës sonë të pritet si monedhë në shërbim të kishës së Tij dhe të vërtetës së Tij. Mirëpo, a duhet vazhduar kështu? O Zot, pasi na ke bekuar kaq bujarisht, a do të jemi mosmirënjohës dhe do të bëhemi indiferentë ndaj kauzës dhe punës Sate të mirë? Na i ço zemrat peshë, me qëllim që të kthehemi te dashuria e parë dhe të bëjmë veprat që bënim dikur! O Dielli i Drejtësisë, na dërgo një pranverë të hareshme!
© dritez.al 2024