gusht 7

Gusht 2022


Perëndia i krijoi njerëzit në shëmbëlltyrën e Tij, në mënyrë që bota të mbushej me reflektues të Perëndisë. Imazhe të Perëndisë. Shtatë miliardë statuja të Perëndisë që askujt të mos i shpëtojë qëllimi i krijimit.

Askush (veçse në qofshin të ngurtësuar dhe të verbër) nuk mund të dështojë ta shohë qëllimin e njerëzimit, domethënë, Perëndinë–njohjen e Perëndisë, dashurinë për Të dhe shfaqjen e Tij. Engjëjt thërrasin tek Isaia 6:3: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është ZOTI i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij.” Toka është e mbushur me miliarda njerëz shëmbëlltyrëmbajtës. Rrënoja të lavdishme!

Kjo nuk vlen vetëm për njerëzit, por edhe për natyrën! Pse na u dha një botë kaq e mahnitshme ku mund të jetojmë? Pse është krijuar një gjithësi kaq e paanë?

Njëherë lexova që numri i yjeve në gjithësi është më i madh se tërë fjalët dhe tingujt që janë shqiptuar nga të gjithë njerëzit që kanë ekzistuar ndonjëherë. Pse kaq shumë yje? Pse janë kaq të mëdhenj? Kaq të shndritshëm? Pse janë në distanca kaq të papërfytyrueshme? Bibla tregohet shumë e qartë në lidhje me këtë: “Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë” (Psalmi 19:1).

Në qoftë se dikush pyet: “Nëse toka është planeti i vetëm i banueshëm dhe njeriu është banori i vetëm e i arsyeshëm mes yjeve, pse është krijuar një gjithësi kaq e madhe dhe e zbrazët?” Përgjigjja është: Nuk ka të bëjë me ne, por me Perëndinë. Madje kjo është më e pakta që mund të thuhet. Ai është edhe më i lavdishëm. Është më i madh në fuqi. Më i madh në shtrirje. Më i madh në shkëlqim sesa të gjitha galaktikat e marrë së bashku. Një burrë i mençur tha se gjithësia është si një kikirik, të cilin Perëndia e mban në xhep.

Perëndia na krijoi që ta njohim, ta duam dhe ta tregojmë Atë. Pastaj na dha një ide se si është Ai: gjithësinë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>