dhjetor 29

Dhjetor 2022


A të kujtohet kur ishe fëmijë dhe ndoshta humbe, ose rrëshqite në një rrëpirë, ose po mbyteshe? Pastaj, të shpëtuan papritur. U kape fort pas personit që të shpëtoi. Po dridheshe nga fakti që për pak sa nuk e humbe jetën. Ishe i lumtur. Oh, sa i lumtur dhe mirënjohës që ishe. Ti po dridheshe nga gëzimi.

Kështu ndihem edhe unë në fund të vitit, për faktin që jam shpëtuar nga zemërimi i Perëndisë. Gjithë ditën e Krishtlindjes kishim zjarr në oxhak. Ndonjëherë thëngjijtë ishin aq të nxehtë, saqë kur e ushqeva zjarrin, lëndova dorën. U tërhoqa dhe u drodha nga mendimi i tmerrshëm i zemërimit të Perëndisë kundër mëkatit në ferr. Oh, sa e tmerrshme dhe e patregueshme do të jetë kjo!

Pasditen e Krishtlindjes vizitova një grua, e cila ishte djegur në më shumë se 87 përqind të trupit të saj. Ajo kishte qenë në spital që nga gushti. M’u thye zemra për të. Sa e mrekullueshme ishte t’i ofroja shpresë nga fjala e Perëndisë për një trup të ri në epokën që do të vijë! Por u largova jo vetëm duke menduar për dhimbjen e saj në këtë jetë, por edhe për dhimbjen e përjetshme, nga e cila jam shpëtuar përmes Jezusit.

Le ta vëmë në provë së bashku përjetimin tim. A është ky gëzim me dridhje diçka me vend për ta mbyllur vitin? Pali ishte i gëzuar që Jezusi “na shpëton nga zemërimi që po vjen” (1 e Thesalonikasve 1:10). Te Romakëve 2:8, “atyre, që grinden e nuk i binden së vërtetës”, Ai u paralajmëron “indinjatë dhe zemërim”. Dhe “për shkak të këtyre gjërave [kurvërisë, papastërtisë, lakmisë] vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes” (Efesianëve 5:6).

Tani që jemi në fund të vitit, po e mbaroj udhëtimin tim gjatë Biblës dhe po lexoj librin e fundit, Zbulesën. Ajo është një profeci e lavdishme për triumfin e Perëndisë dhe për gëzimin e përjetshëm të të gjithë atyre që e marrin “si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17). Nuk do të ketë më lot, as dhimbje, as brengë, as pikëllim, as vdekje dhe as mëkat (Zbulesa 21:4).

Oh, çfarë tmerri do të jetë për ata që nuk pendohen dhe nuk mbahen fort te dëshmia e Jezusit! Përshkrimi i zemërimit të Perëndisë nga Gjoni, “apostulli i dashurisë”, është i tmerrshëm. Ata që e përbuzin dashurinë e Perëndisë, do të pinë “nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij dhe do të mundohet me zjarr e squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit. Dhe tymi i mundimit të tyre ngjitet në jetë të jetëve, dhe nuk do të kenë prehje ditë e natë” (Zbulesa 14:10-11).

“Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u hodh në liqenin e zjarrit” (Zbulesa 20:15). Jezusi “do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së Gjithëpushtetshëm” (Zbulesa 19:15). Dhe gjaku do të rrjedhë “deri te frerët e kuajve, për një mijë e gjashtëqind stade” (Zbulesa 14:20). Çfarëdo që të jetë duke simbolizuar ky vizion, ai ka për qëllim të komunikojë diçka të tmerrshme që s’mund të përshkruhet me fjalë.

Dridhem me gëzim për faktin që jam i shpëtuar! Por oh, zemërimi i shenjtë i Perëndisë është një fat i tmerrshëm. Shpëtojini këtij zemërimi, vëllezër dhe motra. Shpëtojini me gjithë forcën tuaj. Le të shpëtojmë sa më shumë që të kemi mundësi! Nuk është habi që ka më tepër gëzim në qiell për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë (Luka 15:7)!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

28 dhjetor – Synimi është lavdia
27 dhjetor – Cili është synimi yt?
>