dev spurgeon 9
Janar 2023

Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.

Zanafilla 1:4

Mund të themi se drita është e mirë sepse shpërtheu nga urdhri dashamirës: “U bëftë drita!”. Ne që kënaqemi me dritën duhet të jemi më tepër mirënjohës për të dhe duhet ta shohim më shumë Perëndinë në të dhe përmes saj. Solomoni na thotë që drita natyrore është e ëmbël, por drita e ungjillit është pafundësisht më e shtrenjtë sepse na zbulon gjërat e përjetshme dhe i shërben natyrës sonë të pavdekshme. Kur Fryma e Shenjtë na mbush me dritën frymërore dhe na i hap sytë për të parë lavdinë e Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit, nisim ta shohim mëkatin ashtu siç është në të vërtetë dhe veten tonë ashtu siç jemi në realitet. E shohim Perëndinë, Shumë të Shenjtin, ashtu siç na e zbulon veten, planin e mëshirës ashtu siç na e shpjegon Ai dhe botën të marrë formë ashtu siç na e përshkruan Fjala. Drita frymërore ka rreze plot dhe shumë ngjyra ylberi, por çfarëdo qofshin ato, njohuri, gëzim, shenjtëri ose jetë, janë të gjitha frymërisht të mira. Nëse për dritën që e marrim në këtë mënyrë themi se është e mirë, aq më e mirë do të jetë drita qiellore dhe aq më i lavdishëm do të jetë vendi ku Ai dëftehet ashtu siç është. O Zot, meqë Drita është e mirë, Ti që je Drita e vërtetë na jep më shumë prej saj dhe më shumë prej vetes Tënde.

Sapo vjen një gjë e mirë në këtë botë, menjëherë lind nevoja e ndarjes. Drita dhe errësira nuk qëndrojnë dot bashkë, sepse i ka ndarë Perëndia dhe nuk duhen ngatërruar me njëra-tjetrën. Bijtë e dritës nuk duhet të kenë përbashkësi me veprat, doktrinat ose gënjeshtrat e errësirës. Fëmijët e ditës duhet të jenë të përkorë, të ndershëm dhe të guximshëm në punën e Zotit, duke ia lënë veprat e errësirës atyre që do të banojnë përjetësisht në të. Nëpërmjet disiplinës Kishat tona duhet të ndajnë dritën nga errësira dhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë duke u ndarë në mënyrë te dallueshme nga bota. Në gjykim, veprim, dëgjim, mësim, shoqërim duhet të bëjmë dallimin mes të dëlirës dhe të fëlliqurës dhe të ruajmë dallimin e madh që bëri Zoti në ditën e parë të botës. O Zoti Jezus, qofsh drita jonë gjatë gjithë ditës së sotme sepse drita Jote është drita e njerëzve.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2023


EtiketaSolid Joys

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

29 Dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 Dhjetor – Synimi është lavdia
>