dev spurgeon 8
Janar 2023

Kështu Jozefi njohu vëllezërit e tij, por ata nuk e njohën atë.

Zanafilla 42:8

Sot në mëngjes shprehëm dëshirën për t’u rritur në njohjen tonë të Zotit Jezus, por do të ishte mirë që sonte të trajtonim një temë të ngjashme me të, e pikërisht njohjen tonë nga ana e Jezusit tonë qiellor. Lumturisht, kjo njohje ka nisur shumë kohë më përpara se ne të kishim njohurinë më të vogël rreth Tij. “Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende” (Psalmi 139:16).

Ne ekzistonim në zemrën e Tij përpara se të ekzistonim në këtë botë. Ndërsa ishim armiqtë e Tij, Ai na njihte ne, mjerimin tonë, çmendurinë dhe ligësinë tonë. Kur derdhëm lot të hidhur, në pendesë zemërthyer dhe e pamë Atë veç si gjykatës dhe sundimtar, Ai na pa ne si vëllezërit e Tij shumë të dashur dhe zemra e Tij digjej nga dëshira për ne. Asnjëherë nuk i ngatërroi të zgjedhurit e Tij, por gjithmonë i pa ata si objektet e dashamirësisë së Tij të pafundme. 

“Zoti i njeh të vetët” (2 e Timoteut 2:19); kjo frazë është po aq e vërtetë për bijtë plëngprishës që ushqejnë derrat, sa edhe për fëmijët që ulen në tryezë. 

Mirëpo, fatkeqësisht, ne nuk e njohëm Vëllanë tonë mbretëror dhe prej kësaj padije rrodhi një mori mëkatesh. I mbajtëm zemrat tona larg Tij dhe nuk e qasëm në dashurinë tonë. Nuk i zumë besë Atij dhe i vlerësuam fjalët e Tij. Ne rebeluam kundër Tij dhe nuk e nderuam Atë me dashuri. 

Dielli i Drejtësisë shkëlqeu mbi ne, dhe ne nuk patëm sy për ta parë. Qielli zbriti në tokë dhe toka as që e vuri re fare. Lëvduar qoftë Perëndia që ato ditë kanë mbaruar! Sapo kemi filluar ta studiojmë Atë, por Ai na njeh fije e për pe. 

Është një bekim i vërtetë fakti që Ai nuk vuan nga padija, sepse përndryshe do ta kishim punën pisk. Ai nuk do të na thotë: “Unë s’ju kam njohur kurrë”, por do t’i shpallë emrat tanë në ditën e shfaqjes së Tij dhe ndërkohë do të na dëftehet, ashtu si nuk i dëftehet botës.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>