Janar 2023

Ne do ta kujtojmë dashurinë tënde më shumë se verën.

Kënga e Këngëve 1:4

Jezusi nuk do t’i lërë të Vetët që ta harrojnë dashurinë e Tij. Nëse ndodh që ta harrojnë të gjithë dashurinë që kanë shijuar, Ai do t’i vizitojë me dashuri të re. “A mos vallë e harrove kryqin Tim?”, thotë Ai. “Të bëj unë që ta kujtosh, sepse do të të dëftehem sërish në tryezën Time. A e harrove vallë se çfarë bëra për ty në kuvendin e përjetshëm? Do të ta kujtoj Unë, sepse me siguri që do të të nevojitet një këshilltar, dhe do të të përgjigjem sa herë që të më thërrasësh.” 

Nënat nuk i lënë fëmijët e tyre që t’i harrojnë ato. Nëse i biri u ka shkuar diku larg, mbase përtej detit, dhe nuk i çon më letra shtëpisë, e ëma i shkruan: “A mos vallë e harroi Gjoni nënën e tij?”. Dhe pak ditë më pas, ajo merr një letër të shkruar plot dashuri, e cila vërteton se qortimi mirëdashës nuk qe i kotë. Kështu ndodh edhe me Jezusin. Ai na thotë neve: “Kujtomëni” dhe përgjigjja jonë është: “Ne do ta kujtojmë dashurinë Tënde.” Po, ne do ta kujtojmë dashurinë Tënde dhe historinë e saj të pashoqe. Është po aq e lashtë sa edhe lavdia që kishe me Atin përpara se të bëhej bota. O Jezus, e kujtojmë dashurinë Tënde të përjetshme kur u bëre Garantuesi ynë dhe na zgjodhe si nusen Tënde. E kujtojmë dashurinë që dha idenë e flijimit të Vetes Sate, dashurinë, që gjersa u përmbush koha, meditoi thellë për atë flijim, derisa erdhi dita kur u përmbush ajo që ishte shkruar për Ty: “Ja, unë po vij.” O Jezus, e kujtojmë dashurinë Tënde ashtu siç na u shfaq në jetën Tënde të shenjtë, nga grazhdi i Bethlehemit e deri te Kopshti i Gjetsemanit. Ne të ndjekim hap pas hapi, që nga djepi gjer në varr—sepse çdo fjalë dhe vepër Jotja ishte dashuri—dhe ngazëllehemi në dashurinë Tënde, që vdekja nuk e shteroi dot—e cila është e njëjta dashuri që shkëlqeu me forcë në ringjalljen Tënde. E kujtojmë atë zjarr të pashuar dashurie, i cili nuk ka për të Të lënë kurrë të rrish në heshtje, derisa të zgjedhurit e Tu të jenë strehuar të gjithë në siguri të plotë, derisa Sioni të jetë përlëvduar dhe Jerusalemi të jetë vendosur mbi themelet e përjetshme të dritës dhe dashurisë në qiell.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>