spurgeon dev 18 nëntor am
November 2023

Një burim i mbyllur, gurrë e vulosur.

Kënga e Këngëve 4:12

Në këtë metaforë, e cila bën fjalë për jetën e brendshme të besimtarit, na përcillet shumë qartë ideja e fshehtësisë. Është “një burim i mbyllur”, ashtu siç ishin burimet në Lindjen e lashtë, mbi të cilat ndërtohej një ngrehinë, me qëllim që në to të pinte ujë vetëm ai ose ajo që e dinte se nga binte hyrja e fshehtë. E tillë është edhe zemra e besimtarit kur përtërihet përmes hirit: në të gjendet një jetë e mistershme, mbi të cilën nuk ndikon dot asnjë aftësi njerëzore.

Ky është një sekret të cilin nuk e njeh askush, madje një sekret të cilin mbajtësi i tij nuk ia tregon dot as fqinjit a të afërmit. Vargu, jo vetëm të përcjell idenë e fshehtësisë, por edhe atë të ndarjes. Nuk është një burim publik prej të cilit mund të pijë çdo kalimtar rasti; ai është një burim që mbrohet dhe ruhet nga të gjithë njerëzit e tjerë; është një burim që mban një shenjtë të veçantë—vulën mbretërore të një mbreti, me qëllim që të gjithë ta kuptojnë se nuk është burim i përbashkët, por një burim që e ka pronarin e vet dhe që është i ndarë posaçërisht mënjanë.

Kështu ndodh edhe me jetën frymërore. Të zgjedhurit e Perëndisë u ndanë veç në dekretin e përjetshëm; Perëndia i ndau mënjanë në ditën e shpengimit; ata janë veçuar përmes zotërimit të një jete që të tjerët nuk e kanë.

Është e pamundur për ta që të ndihen rehat në këtë botë, ose të kënaqen me zbavitjet e saj. Vargu të përcjell gjithashtu idenë e shenjtërisë.

Burimi i mbyllur ruhet për t’u përdorur vetëm nga ndonjë person i veçantë: dhe e tillë është edhe zemra e të krishterit. Është një burim që ruhet për Jezusin.

Çdo i krishterë duhet ta ndiejë që mban mbi vete vulën e Perëndisë—dhe duhet të jetë i aftë që bashkë me Palin të thotë: “Tash e tutje askush të mos më mundojë, sepse unë mbaj në trupin tim shenjat e Zotit Jezus” (Galatasve 6:17).

Një ide tjetër lehtësisht e lexueshme është ajo e sigurisë. Sa e sigurt dhe e mbrojtur është jeta e brendshme e besimtarit! Edhe sikur të gjitha fuqitë e botës dhe të ferrit të ngriheshin së bashku njëherësh kundër saj, ajo forcë e pavdekshme do të mbetej e patundur, sepse Burimi i saj e dha jetën e Vet si garanci për ruajtjen e saj. Dhe kush apo çfarë mund të të lëndojë kur Perëndia është mbrojtësi yt?


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>