spurgeon dev 17 nëntor pm
November 2023

Kush çan drutë, vihet në rrezik.

Predikuesi 10:9

Shtypësit mund të bëjnë ç’të duan me të vobektët dhe nevojtarët, po aq lehtë sa edhe mund të çajnë dru, por megjithatë, bëjnë mirë të kenë kujdes, sepse kjo është një punë e rrezikshme, madje ka ndodhur shpesh që druvarët e kanë humbur jetën për shkak të copave të druve që po prisnin. Sa herë që përndiqet një shenjtor, përndiqet edhe Jezusi, dhe Ai është aq i fuqishëm sa të hakmerret për të dashurit e Tij. Të kesh sukses në shtypjen e të vobektëve dhe nevojtarëve, është një gjë për t’u pasur mjaft frikë: përndjekësit duhet ta dinë mirë se, edhe në mos u përballshin me ndonjë rrezik të menjëhershëm tani, do të përballen me një rrezik të madh në fund.

Çarja e druve është një punë e zakonshme e përditshme, por megjithatë, mbart rreziqet e saj. Kështu, pra, lexues, ka disa rreziqe që lidhen me thirrjen dhe jetën tënde të përditshme, të cilat bën mirë t’i dish! Këtu nuk bëhet fjalë për rreziqe përmbytjeje apo të atyre që lidhen me ambientet e hapura, ose për shkak të ndonjë sëmundjeje a vdekjeje të beftë, por me rreziqe të llojit frymëror. Zanati yt mund të jetë po aq i përulur sa çarja e druve, dhe, prapëseprapë, djalli mund të të tundojë në të. Mund të jesh një shërbëtor shtëpiak, një argat ferme apo një mekanik, dhe mund të jesh i ruajtur mirë nga tundimet ndaj veseve të mëdha, por megjithatë, mbetet ndonjë mëkat i fshehtë që mund të të rrëzojë. Ata që nuk dalin nga muret e shtëpisë dhe që nuk përzihen me botën e ligë, prapëseprapë mund të rrezikohen nga vetë izolimi i tyre. Njeriu nuk është i sigurt askund, edhe nëse me mendjen e vet mendon se është i sigurt. Krenaria mund të hyjë edhe në zemrën e një të vobekti; lakmia mund të mbretërojë edhe në zemrën e një argati; fëlliqësia mund të kuturisë edhe në shtëpinë më të qetë; ndërsa zemërimi, zilia dhe keqdashja mund të përvidhen edhe brenda banesës së fshatit më të thellë.

Mund të mëkatojmë edhe kur shkëmbejmë dy fjalë me një portier; një blerje e vogël në dyqan mund të kthehet në hallkën e parë të një zinxhiri tundimesh; një vështrim i thjeshtë i hedhur jashtë dritares mund të shënojë fillimin e të këqijave. O Zot, sa të pambrojtur që jemi! Si mund të jemi vallë të sigurt!? Të ruajturit e vetes është një punë tepër e rëndë për ne: vetëm Ti je i aftë të na ruash në një botë kaq të ligë! Shtrije mbrojtjen tënde përmbi ne, dhe ne do të strukemi në Ty si zogj të vegjël, dhe aty do të ndihemi të sigurt


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>