dhjetor 18

Dhjetor 2022


Krishtlindja është një model për misionin. Misioni është një pasqyrë e Krishtlindjes: “Si unë, ashtu edhe ju.”

Për shembull, rreziku. Krishti erdhi tek të vetët dhe ata nuk e pranuan, kështu do të ndodhë edhe me ju. Ata komplotuan kundër Tij. Kështu edhe me ju. Ai nuk kishte një shtëpi. Kështu edhe me ju. Ata ngritën akuza të rreme kundër Tij. Kështu do të ndodhë edhe me ju. Ata e fshikulluan dhe e tallën. Kështu edhe me ju. Ai vdiq pas tre viteve shërbesë. Kështu edhe me ju.

Por ka një rrezik më të keq se këto, të cilit Jezusi i shpëtoi. Kështu duhet të ndodhë edhe me ju!

Në mes të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, Francis Havier (1506-1552), një misionar katolik i shkroi Atë Perezit të Malakës (sot është pjesë e Malajzisë) për rreziqet e misionit të tij në Kinë. Ai i tha:

“Rreziku më i madh nga të gjithë do të ishte të humbja besimin dhe sigurinë në mëshirën e Perëndisë... Të mos i besojmë Atij, do të ishte shumë herë më e tmerrshme se çdo ligësi fizike, që mund të na bëjnë gjithë armiqtë e Perëndisë të marrë së bashku, sepse pa lejen e Perëndisë as djajtë dhe as pushtetet njerëzore s’mund të na pengojnë qoftë dhe një thërrime.”[1]

Rreziku më i madh me të cilin përballet një misionar nuk është vdekja, por të mos i besojë mëshirës së Perëndisë. Nëse ky rrezik mënjanohet, atëherë të gjitha rreziqet e tjera e humbasin forcën e tyre.

Në fund, Perëndia e kthen çdo shpatë në një skeptër në duart tona. Ashtu si thotë dhe J. W. Alexander: “Çdo çast i mundimeve të tanishme do të shpaguhet hirshëm me një milionë epoka lavdie.”[2]

Krishti i shpëtoi këtij rreziku–rrezikut të mosbesimit të Perëndisë. Prandaj Perëndia e lartësoi jashtëzakonisht. Si me Krishtin, ashtu do të ndodhë edhe me ju.

Në këtë stinë Adventi, mbani mend se Krishtlindja është një model për misionin. Si unë, ashtu edhe ju. Mision do të thotë rrezik dhe rreziku më i madh është të mos i besoni mëshirës së Perëndisë. Nëse dorëzoheni para kësaj, humbisni gjithçka. Ngadhënjeni mbi të dhe asgjë s’mund t’ju lëndojë për një milion epoka.

        [1] Nga “A Letter to Father Perez,” në Classics of Christian Missions, redaktuar nga Francis M. DuBose (Nashville, TN:                                     Broadman Press, 1979), 221f.

        [2] J. W. Alexander, Thoughts on Preaching: Classic Contributions to Homiletics (Edinburgh: Banner of Truth, 1975), 108.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>