Janar 2023

Dhe pashë, dhe ja Qengji që qëndronte mbi malin e Sionit.

Zbulesa 14:1

Apostulli Gjon pati privilegjin të shihte brenda portave të qiellit dhe përshkrimi i vegimit të tij nis me fjalët: “Dhe pashë, dhe ja Qengji…” Këto fjalë na mësojnë se fokusi i soditjes sonë në vendin qiellor do të jetë: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës” (Gjoni 1:29). Asgjë tjetër nuk ia tërhoqi vëmendjen apostullit aq shumë sa personi i asaj Qenieje Hyjnore, që na shpengoi të gjithëve me gjakun e Vet. Ai është tema e këngëve të të gjithë shpirtrave të përlëvduar dhe engjëjve të shenjtë. 

I krishterë, ja ku është burimi yt i gëzimit, sepse ke vështruar dhe ke parë Qengjin. Përmes lotëve, sytë e tu panë Qengjin e Perëndisë tek hiqte mëkatet e tua. Gëzohu! Pas pak kohe, kur lotët të jenë fshirë nga sytë e tu, ti do ta shohësh të njëjtin Qengj të ngritur lart në fronin e Tij. Përbashkësia e përditshme me Zotin Jezus është gëzimi i zemrës sate dhe do të përjetosh të njëjtin gëzim në qiell, madje në një nivel edhe më të lartë. Do të kënaqesh me soditjen e vazhdueshme të personit të Tij dhe do të banosh me Të për jetë e mot. “Dhe pashë, dhe ja Qengji…” Pse? Sepse ai Qengj është vetë qielli dhe siç thotë i miri [Samuel] Rutherford*: “Qielli dhe Krishti janë e njëjta gjë.” Pra, të jesh me Krishtin, do të thotë të jesh në qiell dhe të jesh në qiell, do të thotë të jesh me Krishtin. 

Ky i burgosur i Zotit shkruan shumë këndshëm në një nga letrat e tij më mbresëlënëse: “O Zoti im Jezu Krisht, nëse do të isha në qiell pa Ty, për mua do të ishte si ferri, por nëse do të isha në ferr, por së bashku me Ty, për mua do të ishte si parajsa, sepse ti je gjithë qielli që më nevojitet.” A janë të vërteta këto fjalë, o i krishterë? Vallë, a nuk thotë kështu edhe shpirti yt?

Të gjitha harpat atje lart
Nuk mund ta bëjnë një vend qiellor,
Po qe se Perëndia atje nuk banon,
Ose fytyrën e Tij e mbulon.

Të nevojitet vetëm një gjë që ti të ndihesh i bekuar, madje tej mase i bekuar, dhe kjo është të jesh me Krishtin.

*Shënim i përkthyesit: Samuel Radhërford (Samuel Rutherford, 1600-1661) ishte një autor librash të krishterë dhe teolog presbiterian skocez, një nga përfaqësuesit e Skocisë në Kuvendin e Uestminsterit.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>