spurgeon dev 16 shtator am
September 2023

Pjesëtarë të natyrës hyjnore.

2 e Pjetrit 1:4

Të jesh pjesëtar i natyrës hyjnore, sigurisht që nuk do të thotë të bëhesh Perëndi. Kjo nuk mund të ndodhë. Esenca e Hyjnisë nuk mund të ndahet dot me krijesën. Mes krijesës dhe Krijuesit do të ekzistojë gjithmonë një hendek i përhershëm për sa i përket esencës; mirëpo, duke qenë se njeriu i parë, Adami, u krijua sipas shëmbëllimit të Perëndisë, po ashtu edhe ne, falë ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë, në një kuptim hyjnor bëhemi të ngjashëm me shëmbëllimin e Shumë të Lartit dhe jemi “pjesëtarë të natyrës hyjnore”.

Përmes hirit jemi bërë të ngjashëm me Perëndinë. “Perëndia është dashuri” (1 e Gjonit 4:8); ne bëhemi dashuri—“kushdo që do, ka lindur prej Perëndisë” (1 e Gjonit 4:7). Perëndia është e vërteta; ne bëhemi të vërtetë dhe duam gjithçka që është e vërtetë. Perëndia është i mirë, dhe ai na bën të mirë përmes hirit të Tij, kështu që edhe ne bëhemi njerëzit e dëlirë në zemër, të cilët do ta shohin Perëndinë.

Veç kësaj, bëhemi pjesëtarë të natyrës hyjnore në një kuptim edhe më të lartë se ky—në fakt, në kuptimin më fisnik që mund të konceptohet, vetëm se nuk bëhemi hyjnorë në kuptimin absolut të fjalës. A nuk bëhemi vallë pjesëtarë të trupit të personit hyjnor të Krishtit? Po, i njëjti gjak që rrjedh në kryet, kalon edhe në dorë: dhe e njëjta jetë që ringjalli Krishtin, ringjall edhe popullin e Tij, pasi [është shkruar] “Ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë” (Kolosianëve 3:3). Madje sikur kjo të mos mjaftonte, ne jemi martuar me Krishtin. Ai na ka fejuar me veten në drejtësi dhe besnikëri, dhe ai që është bashkuar me Zotin, është një frymë me Të.

Ç’mister i mrekullueshëm! E sodisim atë, por kush vallë mund ta kuptojë? Një me Jezusin—jemi të bashkuar aq ngushtë me Të, saqë as shermendi nuk është bërë një me hardhinë më shumë nga sa jemi ne pjesë e Zotit, Shpëtimtarit dhe Shpenguesit tonë! Tek ngazëllehemi për këtë, le t’i kujtojmë vetes se ata që janë bërë “pjesëtarë të natyrës hyjnore”, do ta shfaqin këtë lidhje sublime dhe të shenjtë në marrëdhëniet e tyre me të tjerët dhe do ta bëjnë të qartë në ecjen dhe të folurit e tyre të përditshëm, se i kanë shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të epsheve. Ah, sikur të kishim më shumë shenjtëri hyjnore në jetët tona!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>