spurgeon dev 15 shtator pm
September 2023

…për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të.

Psalmi 148:14

Largësia dhe veçimi ishin shenja të besëlidhjes së vjetër. Kur Perëndia iu shfaq madje edhe shërbëtorit të Vet Moisi, Ai tha: “Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë” (Eksodi 3:5); mirëpo, edhe kur iu shfaq mbi malin Sinai popullit të Tij të zgjedhur dhe të veçuar, një nga urdhëresat e para që i dha, ishte: “Ti do të përcaktosh rreth e qark [malit] kufij për popullin” (Eksodi 19:12). Po ashtu, edhe në adhurimin e shenjtë që zhvillohej në tabernakull dhe në tempull, spikaste kurdoherë nocioni i largësisë. Madje pjesa më e madhe e popullit as nuk hynte në oborrin e jashtëm. Vetëm priftërinjtë guxonin të hynin në oborrin e brendshëm, ndërsa në pjesën më të brendshme, në shenjtëroren e shenjtëroreve, mund të hynte vetëm kryeprifti dhe kjo ndodhte vetëm një herë në vit. Duket sikur Zoti, në ato kohë të lashta, po u mësonte njerëzve se mëkati ishte absolutisht i urryer për Të dhe se Ai duhet t’i trajtonte ata si të lebrosur që duheshin nxjerrë jashtë kampit. Madje edhe kur u afrohej, Ai, prapëseprapë, i bënte ata ta ndienin hendekun pa fund e masë të ndarjes mes një Perëndie të shenjtë dhe një mëkatari të papastër.

Po kur erdhi Ungjilli, ndryshoi edhe pozita jonë. Fjala “largohuni” u zëvendësua me fjalën “ejani”; largësia ia la vendin afërsisë, dhe ne që dikur gjendeshim pafundësisht larg, u afruam falë gjakut të Jezusit. Hyjnia e Trupëzuar nuk ka më mure ndarëse prej zjarri përreth. “Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh” (Mateu 11:28), kjo është shpallja e gëzueshme e Perëndisë tek shfaqet në trup njerëzor. Tashmë nuk ia mëson më lebrën të lebrosurit duke e mbajtur larg, por duke e vuajtur Vetë ndëshkimin për ndotjen e tij.

Ç’gjendje sigurie dhe privilegji që është kjo afërsi me Perëndisë përmes Jezu Krishtit! Po ti, a e ke përjetuar këtë? Nëse po, a po jeton në fuqinë e saj? Kjo afërsi është e mrekullueshme, por megjithatë do të pasohet nga një afërsi edhe më të madhe, kur të thuhet: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij” (Zbulesa 21:3). O Zot, shpejtoje ardhjen e asaj dite!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>