gusht 1

Gusht 2022


Plani i Perëndisë për vuajtjen është që ajo të madhërojë fuqinë dhe vlerën e Krishtit. Ky është hir, sepse gëzimi më i madh për të krishterët është që të përjetojmë lartësimin e Krishtit në jetët tona.

Kur Zoti i tha Palit që “gjembi në mish” nuk do t’i hiqej, Ai e mbështeti besimin e tij duke i shpjeguar arsyen. Zoti i tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 e Korintasve 12:9). Perëndia caktoi që Pali të ishte i dobët, në mënyrë që Krishti të mund të shihej si i fortë, për llogari të Palit.

Nëse ndihemi dhe dukemi të vetëmjaftueshëm, lavdinë do ta marrim ne dhe jo Krishti. Prandaj, Krishti zgjedh gjërat e dobëta të botës “që asnjë mish të mos mburret para tij” (1 e Korintasve 1:29). Ndonjëherë Ai i bën të dobët ata njerëz, që duken të fortë, në mënyrë që fuqia hyjnore të jetë edhe më e dukshme.

Ne e dimë se Pali e përjetoi këtë si hir, sepse ngazëlloi në të: “Prandaj me kënaqësi të madhe, do të mburrem më tepër me dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm” (2 e Korintasve 12:9-10).

Të jetosh me anë të besimit në hirin e Perëndisë do të thotë të jesh i kënaqur me gjithë sa Perëndia është për ne në Jezusin. Prandaj, besimi nuk heziton të shkojë drejt asaj që e zbulon dhe e madhëron atë që Perëndia është për ne në Jezusin. Ky është qëllimi i dobësisë dhe vuajtjes tonë


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>