key verses justice

 Gusht 2022                                       Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Isaia 42:1-4

Ja shërbëtori im, që unë përkrah,
i zgjedhuri im që më kënaq shpirtin. 
Kam vënë Frymën time mbi të; 
ai do t’ju sjell drejtësinë kombeve. 
Nuk do të bërtasë, nuk do ta ngrejë zërin, 
nuk do të bëjë të dëgjohet zëri i tij nëpër rrugë. 
Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer 
dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; 
do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës. 
Ai nuk do të ligështohet dhe nuk do të shkurajohet, 
derisa të vendosë drejtësinë mbi tokë; 
dhe ishujt do të presin ligjin e tij”.

Në dallim nga idhujt (“Ja, ju” Isaia 41:24) dhe kombet që adhurojnë idhujt (“Ja, të gjithë këta” Isaia 41:29), Perëndia e prezanton shërbëtorin e tij si shpresën e vetme për kombet (cituar te Mateu 12:18-21). “Që unë përkrah”, suksesi i shërbëtorit është nga Perëndia. “Që më kënaq shpirtin”, shërbëtori është kënaqësia e Perëndisë, ndryshe nga “neveria” tek Isaia 41:24 (krah. me Mateu 3:17; Luka 9:35). “Frymën time”, fuqia e shërbëtorit, në dallim me “janë erë dhe gjëra pa kurrfarë vlere” tek Isaia 41:29 (krah. me Isaia 11:2; Isaia 61:1). Kjo nënkupton se, raca njerëzore, mahnitet nga strategjitë, zgjidhjet dhe fuqitë e gabuara. “Drejtësinë”, kjo është fjala kyç tek Isaia 42:1-4. Në Bibël, drejtësi do të thotë të përmbushësh detyrimet e përbashkëta, në një mënyrë që përputhet me ligjin moral të Perëndisë. Drejtësia biblike krijon shoqërinë e përsosur njerëzore (krah. Ligji i Përtërirë 10:18; Isaia 1:17; 16:5; 32:1-2; 61:8; Zakaria 7:9). Shërbëtori mesianik është e vetmja shpresë për një botë vërtet të drejtë. Ky Mesi do të sjellë jo vetëm falje dhe shëndet individual frymëror (krah. me Isaia 1:18), por gjithashtu edhe themelimin e drejtësisë së përsosur përgjatë gjithë qeverive tokësore.

Mikea 6:8

O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon ZOTI nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?

Zoti dëshiron format kryesore të dashurisë – drejtësinë (“të zbatosh drejtësinë), mëshirën (“të duash mëshirën”) dhe besnikërinë (“të ecësh përulësisht”) – si përgjigjja e shprehur e popullit ndaj veprave të tij shpenguese (Mateu 23:23; krah. me Ligji i Përtërirë 10:12-13; 1 i Samuelit 15:22; Isaia 1:11-17; Osea 6:6). Për kuptimin e drejtësisë, shih shënimet tek Isaia 42:1; Jeremia 22:3; Amos 5:7. “Perëndinë tënd”. Plotësimi për “popullin tim” (Mikea 6:3, 5).

Mateu 23:23

Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mendrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, dhe mëshirën dhe besimin; këto duhet t’i bëni edhe ato të mos i lini.

Fatkeqësia e katërt: lënia pas dore e gjërave më të rëndësishme të ligjit. “Të dhjetën”, Ligji i Moisiut kërkonte dhënien e së dhjetës të gjithçkaje që dikush prodhonte për punën e vazhdueshme të Zotit, përmes levitëve dhe priftërinjve (p.sh., Levitiku 27:30-31). “Të mendrës, të koprës dhe të barit të gjumit”, farisenjtë ishin kaq të përpiktë në ndjekjen e këtij rregulli saqë paguanin të dhjetën edhe nga të korrat më të vogla të kopshtit. Jezusi nuk thotë që po gabonin në këtë (“këto duhet t’i bëni”), por që duhet t’i bënin të gjitha këto pa i lënë (“të mos i lini”) çështjet më të rëndësishme.

Jeremia 22:3

Kështu thotë ZOTI: Veproni me ndershmëri dhe drejtësi, çlirojeni atë që e kanë vjedhur nga dora e shtypësit, mos i bini më qafë dhe mos ushtroni dhunë kundër të huajit, jetimit dhe gruas së ve dhe mos derdhni gjak të pafaj në këtë vend.

Mbreti, dhe ata që janë me të, nuk duhet ta përdorin fuqinë e tyre për përfitime personale, por duhet të sundojnë me “ndershmëri dhe drejtësi”. “Drejtësi” (hebraisht, ‘mishpat’) do të thotë të marrësh vendime të drejta sipas urdhërimeve të Perëndisë dhe ligjit të tij. “Ndershmëri” (hebraisht, tsedaqah) do të thotë të bësh atë që e drejtë sipas normave dhe standardeve morale të Perëndisë (krah. me 4:2; 9:24). “Çlirojeni”, do të thotë shpëtojeni nga lëndimi. “Të huajit”, një i huaj që është vendosur në Jude. “Jetimit”, qoftë nga vdekja apo nga braktisja; shih shënimet te 5:26; 7:6. “Gruas së ve”, nga vdekja apo nga braktisja. Këto tregojë përgjegjësitë e mbretit ideal mbi popullin e Perëndisë (krah. me 7:6; në kundërshtim me 22:13, 15). Mbreti mesianik do ta plotësojë këtë (23:5; 33:15).

Amos 5:6-7, 24

“Kërkoni ZOTIN dhe do të rroni,
që të mos shpërthejë si zjarr në shtëpinë e Jozefit 
dhe ta gllabërojë pa qenë në gjendje ta shuajë askush në Bethel. 
Ai braktis ata që e ndërrojnë ndershmërinë 
dhe drejtësinë në helm mbi tokë.
Por le të rrjedhë e drejta si uji 
dhe drejtësia si një burim i përhershëm uji.

Adhuruesit e vërtetë të Perëndisë do të shfaqin drejtësinë dhe ndershmërinë (krah. me Jakobi 1:26-27). Shih gjithashtu Amos 5:21-24. “E drejta” (hebraisht, ‘mishpat’) është shumë më tepër se paanësi; i referohet të gjithë fushëveprimit së qeverisjes të Perëndisë në këtë botë. Prandaj, të “bësh drejtësi”, përfshin pjesërisht në qeverisje përdorimin e drejtë dhe të ndershëm të fuqisë dhe funksionimin e saktë të një sistemi të drejtë gjyqësor, sidomos për të mbrojtur të dobëtin nga i forti. Nga ana e individëve, “e drejta” përfshin marrëveshjet e ndershme dhe të drejta në biznes, dhe besnikëri në mbajtjen e fjalës, si dhe mospërfitimin nga të varfrit apo nga ata me më pak fuqi apo mbrojtje. “Drejtësia” (hebraisht, ‘tsedaqah’) përfshin bërjen e asaj që është e drejtë në sytë e Perëndisë, sidomos në lidhje me sjelljen ndaj të tjerëve.

Luka 18:1-8

Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet lutur vazhdimisht pa u ligështuar, duke thënë: “Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri. Tani po në atë qytet ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë: “Ma jep të drejtën para kundërshtarit tim.” Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete: “Megjithëse nuk e kam frikë Perëndinë e as nuk përfill njeri, duke qenë se kjo grua e ve po më mërzit, do t’ia jap të drejtën, që të mos vijë në fund e të më çajë kokën”. Dhe Zoti tha: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë. Vallë Perëndia nuk do t’u japë të drejtë të zgjedhurve të tij që bërtasin ditë e natë ndaj tij? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre? Po, unë ju them se ai do t’ua japë të drejtën së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?”.

Nga perspektiva e Perëndisë, drejtësia (“të drejtën”) do të vijë te të zgjedhurit e tij (krah. me Luka 18:7) “Së shpejti”, nga perspektiva njerëzore, drejtësia patjetër që mund të duket se kërkon shumë kohë. Prandaj populli i Perëndisë duhet të këmbëngulë në lutje, siç këmbënguli e veja derisa mori të drejtën (Luka 18:2-5). “A do të gjejë besim mbi tokë?”, përgjigjja patjetër që është “po”, por Jezusi e paraqet këtë si pyetje, në mënyrë që t’i inkurajojë dishepujt e tij të jenë të vëmendshëm dhe të luten vazhdimisht (krah. me Luka 18:1, 7). Kur të kthehet Jezusi, do të kërkojë ata që luten dhe që e presin atë.

Malakia 2:17-3:5

Ju e lodhni ZOTIN me fjalët tuaja, dhe megjithatë thoni: “Si e kemi lodhur?”. Sepse ju thoni: “Kushdo që vepron keq pëlqehet nga ZOTI, i cili kënaqet me të”, ose: “Ku është Perëndia i drejtësisë?”.

“Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje. Dhe menjëherë ZOTI, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet, engjëlli i besëlidhjes që ju kërkoni me ëndje, ja, do të vijë”, thotë ZOTI i ushtrive. “Po kush do të mund të durojë ditën e ardhjes së tij? Kush do të mund të qëndrojë më këmbë ditën kur ai do të shfaqet? Ai është si zjarri i shkrirësit, si soda e larësve. Ai do të ulet si ai që shkrin dhe pastron argjendin; do t’i pastrojë bijtë e Levit dhe do t’i rafinojë si arin e argjendin, me qëllim që ata të mund t’i ofrojnë ZOTIT një blatim me drejtësi. Atëherë oferta e Judës dhe e Jerusalemit do të pëlqehet nga ZOTI, si në kohët e shkuara, si në vitet e mëparshme.”

Kështu unë do t’ju afrohem për gjykim dhe do të jem një dëshmitar i gatshëm kundër magjistarëve, kundër shkelësve të kurorës, kundër atyre që bëjnë betime të rreme, kundër atyre që vjedhin mëditjen e punëtorit, që shtypin të venë dhe jetimin, që dëbojnë të huajin dhe nuk më kanë frikë”, thotë ZOTI i ushtrive.

Profeti e nis duke akuzuar popullin se e ka lodhur Zotin me ankesat e tyre cinike: “Kushdo që vepron keq pëlqehet nga ZOTI, i cili kënaqet me të” dhe “Ku është Perëndia i drejtësisë?”. Tani që ishin rikthyer në Tokën e Premtuar dhe tempulli ishte rindërtuar, shumë ishin shqetësuar nga fakti që përmbushja e premtimeve profetike për ripërtëritje, rëndësi ndërkombëtare dhe për pasuri, dukej sikur kishte dështuar (Hagai 2; Zakaria 1:16vp.*; 2:1-13; 8:1-9:17). Përkundrazi, Izraeli po përjetonte vetëm shtypje të vazhdueshme sociale dhe politike si dhe privim ekonomik (Nehemia 1:3; 9:36vp.; Malakia 3:10vp.). Për më tepër, ishte premtuar se Perëndia do të kthehej në Jerusalem dhe në tempullin e tij, i cili do të banohej sërish nga prania e tij e lavdishme (p.sh., Zakaria 1:16vp.; 2:4vp., 10-13; 8:3-8; 9:9-17). Duke qenë se tabernakulli i Moisiut dhe tempulli i Solomonit ishin të mbushur me lavdinë e dukshme të Perëndisë, sapo të përfundonin, e njëjta gjë mbase do të ndodhte me tempullin e rindërtuar (Eksodi 40:34vp.; 1 i Mbretërive 8:10vp.; Ezekieli 43:1-12). Në të vërtetë, Hagai 2:9 premtoi se tempulli i rindërtuar do të mbushej me një lavdi edhe më të madhe se ai i Solomonit. Mirëpo jo vetëm që nuk shijuan një lavdi të tillë, po tempulli, në ditët e Malakias, nuk kishte asnjë shfaqje të dukshme të Perëndisë. Megjithatë nuk do të ishte gjithmonë kështu, sepse Malakia premtoi: “Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet, engjëlli i besëlidhjes që ju kërkoni me ëndje, ja, do të vijë” (Malakia 3:1). Simeoni dëshmoi të paktën një përmbushje të pjesshme të kësaj profecie kur takoi foshnjën Jezus në tempull, i cili kishte ardhur “për lavdinë e popullit tënd, Izraelit” (Luka 2:32). Dhiata e Re shfaq përmbushje edhe më të mëtejshme, sepse vetëm lavdia e Perëndisë në personin e Jezu Krishtit do të ishte lavdia më e madhe (Luka 2:29-32; Gjoni 1:14; 2 e Korintasve 4:6).

vp* – vargjet pasuese

Predikuesi 3:16-17

Kam parë gjithashtu nën diell që në vend të gjykimit kishte paudhësi, që në vend të drejtësisë kishte paudhësi. Kështu thashë në zemrën time: “Perëndia do të gjykojë të drejtin dhe të pabesin, sepse ka një kohë të caktuar për çdo gjë dhe për çdo vepër”.

Efektet e rënies zgjerohen në marrëdhëniet njerëzore (krah. me Zanafilla 4) prandaj, në një botë të rënë, njeriu përjeton padrejtësi dhe “paudhësi” në duart e qenieve të tjera njerëzore. Ajo që e bën këtë realitet të trishtueshëm të tolerueshëm është siguria se “Perëndia do të gjykojë të drejtin dhe të pabesin”, pra, në fund, drejtësia do të vihet në vend.

Romakëve 13:2-4

Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhrit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin dënim mbi veten e tyre. Sepse eprorët s’ke pse t’i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën dhe do të kesh lavdërim nga ai, sepse është shërbenjës i Perëndisë për të mirën tënde; por, po të bësh të keqen, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbenjës i Perëndisë, hakmarrës për të ushtruar zemërim kundër atij që bën të keqen.

“Eprorët s’ke pse t’i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat.” Kjo do të thotë se qeveria civile në përgjithësi është një bekim i madh nga Perëndia, për të cilin duhet të jemi mirënjohës. Pa qeverinë civile do të kishte anarki, një alternativë e tmerrshme në të cilën e keqja është e shfrenuar.

Autoritetet qeverisëse janë shërbëtorë të Perëndisë dhe ushtrojnë zemërimin (“zemërim”) e tij mbi të pabesët dhe e bëjnë këtë “për të mirën tënde”. Edhe pse të krishterët nuk duhet të hakmerren personalisht (Romakëve 12:17-20), është e drejtë që ndëshkimin t’ua dorëzojnë autoriteteve civile, të cilët kanë përgjegjësinë ta ndëshkojnë të keqen. Me shumë mundësi, referenca e shpatës (“shpatën”) bëhet për dënimin me vdekje (krah. me Zanafilla 9:6).

Psalmi 9:7-8

Por ZOTI mbetet përjetë; ai ka vendosur fronin e tij për të gjykuar. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me paanësi.

Termat “mbetet” dhe “fronin”, janë vazhdim i idesë së vargut 4, po ashtu edhe shqetësimi për “drejtësi” dhe ndershmërinë (v. 8). Fakti që Perëndia i Izraelit “do ta gjykojë botën” dhe të gjithë “popujt” është një deklaratë e guximshme nëse nuk do të ishte i njëjti Perëndi që ka bërë qiejt dhe tokën dhe gjithçka në to. Veçanërisht në këtë rast, gjykimi është ndëshkues, por kjo nuk duhet të jetë e vërtetë në çdo rast dhe në çdo kohë (krahaso me Isaia 2:4). Gjykimi i Perëndisë përfshin marrjen e hakut për “të shtypurin”, që është populli i Izraelit, i cili shihet si i dobët dhe nevojtar. Ky psalm u zhvillua në rastin kur sunduesit johebrenj kërkuan ta shtupin popullin e Izraelit.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-justice/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022 | Përditësuar në 2024


EtiketaCrossway, Drejtësia

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>