Zhyte mendjen në oqeanin e sovranitetit të Perëndisë Ndonjëherë kemi nevojë ta zhytim mendjen në oqeanin e sovranitetit të Perëndisë.

Dhjetor 2021                                                                       


Zhyte mendjen në oqeanin e sovranitetit të Perëndisë 

Ndonjëherë kemi nevojë ta zhytim mendjen në oqeanin e sovranitetit të Perëndisë. Kemi nevojë t’ia ndiejmë peshën, ashtu si uji i thellë dhe i rëndë që ushtron trysni mbi të gjitha poret e lëkurës sonë, sa më thellë që të shkojmë. Një miliard lumenj derdhen në këtë oqean. Perëndia vetë i mbledh të gjitha veprat e Tij të panumërta–nga përjetësia në përjetësi–dhe i derdh ato në rrymat e zbulesës së Tij të pagabueshme. Ai flet, shpjegon, premton dhe e bën provaninë e Tij të mahnitshme dhe sovrane një vend ku ne ndiejmë më tepër përnderim, siguri dhe liri.

Ndonjëherë kemi nevojë që Perëndia vetë të na kujtojë se nuk ka caqe në sundimin e Tij. Kemi nevojë të dëgjojmë prej Tij se Ai është sovran mbi të gjithë botën dhe mbi gjithçka që ndodh në të. Kemi nevojë që të na kujtojë se Ai nuk është kurrë i pafuqishëm, që nuk zhgënjehet kurrë dhe kurrë nuk është i përhumbur. Ne kemi nevojë për sigurinë e Tij se Ai mbretëron mbi ISIS-in, mbi terrorizmin, mbi Sirinë, Rusinë, Kinën, Indinë, Nigerinë, Francën, Mianmarin, Arabinë Saudite dhe mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës–mbi çdo komb, popull, gjuhë, fis, mbi çdo kryetar, president, mbret, ministër, kryeministër dhe politikan, i madh apo i vogël.

Ndonjëherë kemi nevojë të dëgjojmë deklarata specifike nga vetë Perëndia për autoritetin e Tij. Kemi nevojë për vetë fjalët e Perëndisë. Janë ato fjalë, të cilat kanë një fuqi të pazakontë për të na qetësuar nervat, për të na bërë të palëkundur, të mençur dhe kurajozë.

Zëri i Perëndisë

Nga njëra anë, dëgjimi i zërit të Perëndisë është si puna e një fëmije të frikësuar, i cili dëgjon zëra në katin e parë të shtëpisë dhe kupton që babai ka ardhur. Çfarëdo të kenë qenë ata tinguj të tjerë, tani çdo gjë është mirë. Babi ka ardhur në shtëpi.

Nga ana tjetër, është si puna e një toge ushtarësh, të cilët janë në transhe, në vijën e parë të luftimit, gati që të mposhten prej armikut, por pastaj u vjen lajmi se një mijë tanke të padepërtueshëm po nxitojnë për t’u ardhur në ndihmë. Ata janë vetëm dy kilometra larg. Do të shpëtoheni dhe armiku nuk ka për të fituar.

Përgjithësimet e mjegullta për fuqinë e Perëndisë nuk kanë të njëjtin efekt si vetë zëri i Tij, që na thotë specifikisht se sa i fortë është Ai, sa e pamasë është fuqia e Tij, sa gjithëpërfshirës është autoriteti i Tij, sa i pakufizuar është sovraniteti i Tij. Na thotë gjithashtu se ditët tona janë në duart e Tij.

Prandaj, le të dëgjojmë! Le ta trajtojmë Biblën si zërin e Perëndisë. Le ta kthejmë atë që Bibla thotë për Perëndinë në atë që Perëndia thotë për Perëndinë–e tillë është Bibla në realitet–Perëndia që flet për Perëndinë.

Dhe teksa dëgjojmë, le ta lavdërojmë Atë! Nuk ka asnjë mënyrë tjetër më të mirë sesa të dëgjojmë se si Perëndia lartëson Veten e Tij. Kjo është ajo që i ndodh shpirtit njerëzor kur zhytet në oqeanin e sovranitetit të Perëndisë.

Ne të lavdërojmë, o Perëndi, që Ty të përket gjithë autoriteti në gjithësi.

“Nuk ka pushtet veçse prej Meje; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Unë.” (Romakëve 13:1)

“Ti, Pilat, nuk do të kishe asnjë pushtet mbi Birin Tim, po të mos të të qe dhënë prej Meje.” (Gjoni 19:11)

Ne jemi të mahnitur, o Perëndi, që në lirinë Tënde, Ti bën gjithçka që të pëlqen dhe që planifikon.

“Unë bëj ç’të dua, në qiell dhe mbi dhe, në dete dhe në të gjitha humnerat.” (Psalmi 135:6)

“Unë veproj gjithçka sipas këshillës së vullnetit Tim.” (Efesianëve 1:11) 

“‘Unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen.’” (Isaia 46:9-10)

Ne mrekullohemi, o Perëndi, që Ti e ndan këtë autoritet dhe sundim total plotësisht me Birin Tënd.

“Unë ia kam dhënë Birit Tim, Jezusit, çdo pushtet në qiell e në tokë.” (Mateu 28:18)

“E dua Birin Tim dhe të gjitha ia kam dhënë në dorë.” (Gjoni 3:35) 

“I kam dhënë Birit Tim pushtet mbi çdo mish. (Gjoni 17:2) 

“I vura të gjitha gjërat nën këmbët e Birit Tim–të gjitha me përjashtim të Vetes.” (1 e Korintasve 15:27) 

“E ringjalla Birin Tim prej së vdekurish dhe e vura të ulet në të djathtën Time në vendet qiellore, përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim... Vura gjithçka nën këmbët e Tij.” (Efesianëve 1:20-22) 

“E mirëprita Birin Tim në qiell. Ai është në të djathtën Time, mbasi i janë nënshtruar engjëj, autoritete dhe pushtete.” (1 e Pjetrit 3:22) 

Ne të nënshtrohemi me druajtje Ty, o Perëndi, sepse, përmes Birit Tënd, Ti heq dhe vendos sundimtarët e botës.

“Mua më përkasin dituria dhe forca. Unë ndryshoj kohërat dhe stinët; Unë i ul mbretërit dhe i lartoj.” (Danieli 2:20-21) 

“Unë i këput verigat e imponuara nga mbretërit dhe lidh me një zinxhir ijët e tyre.” (Jobi 12:18)

“Unë dërgova engjëllin tim për ta vrarë Herodin, sepse ai nuk më dha lavdi, dhe i brejtur nga krimbat, dha shpirt.” (Veprat 12:23)

Në të vërtetë, o Perëndi, Ti jo vetëm që ngre sundimtarë dhe i heq ata; Ti qeveris mbi të gjitha veprat e tyre në çdo epokë.

“Zemra e mbretit është si rrjedhat e ujit në duart e Mia; Unë e drejtoj nga dua Unë.” (Fjalët e Urta 21:1)

“Unë do t’i jap fund zhurmës së Egjiptit, me anë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë. Unë do të copëtoj zgjedhat e imponuara nga Egjipti; dhe tek ai do të mpaket krenaria e forcës së tij. Do të forcoj krahët e mbretit të Babilonisë dhe do t’i vë në dorë shpatën Time, por do të copëtoj krahët e Faraonit.” (Ezekieli 30:10, 18, 24)

“Dhe tërë këto vende ia kam dhënë në dorë Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, shërbëtorit Tim; atij i kam dhënë gjithashtu kafshët e fshatrave që t’i shërbejnë. Kështu tërë kombet do t’i shërbejnë atij, birit të tij dhe birit të birit të tij, derisa të vijë koha edhe për vendin e tij; atëherë shumë kombe me mbretër të fuqishëm do ta katandisin në robëri.” (Jeremia 27:6-7)

“Ashtu siç e kam menduar, ashtu do të jetë, dhe ashtu si kam vendosur, ashtu ka për të ndodhur. Do ta dërrmoj asirin në vendin Tim, do ta shkel në malet e Mia; atëherë zgjedha e tij do t’u hiqet atyre dhe barra e tij do të hiqet nga kurrizi i tyre.”              (Isaia 14:24-25).

“Unë do t’ia jap kombet si trashëgimi Birit Tim dhe mbarë dheun në zotërim të Tij. Ai do t’i copëtojë me një shufër hekuri. (Psalmi 2:8-9) 

Ne pranojmë të mahnitur, o Perëndi, se asnjë plan i njeriut nuk ka sukses, përveç atyre që Ti lejon në urtësinë Tënde të pahulumtueshme.

“Unë e bëj të dështoj planin e kombeve dhe asgjësoj synimet e popujve.” (Psalmi 33:10)

“Nuk ka as urtësi, as arsye dhe as këshillë kundër Meje.” (Fjalët e Urta 21:30) 

Sa i pushtetshëm dhe i urtë që je Ti, o Perëndi, saqë asnjë njeri, komb apo forcë e natyrës nuk mund t’i pengojë dot planet e Tua të shenjta.

“Asnjë nga planet e Mia nuk mund të pengohet.” (Jobi 42:2) 

“Unë veproj si të dua me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund të ma ndalë dorën ose të më thotë: ‘Ç’po bën?’” (Danieli 4:35) 

Nuk ka asnjë që mund të çlirojë dikë nga dora ime; Unë e kryej gjënë, dhe kush mund ta zhbëjë vallë? (Isaia 43:13) 

Prandaj, ne përulemi, si pluhuri i peshores, o Perëndi dhe rrëfejmë me gëzim që ne jemi asgjë në krahasim me madhështinë Tënde.

“Ja, kombet janë si një pikë ujë në një kovë, konsiderohen si pluhuri i një peshoreje. Të gjitha kombet janë si hiç para Meje, dhe konsiderohen prej Meje si hiç dhe kotësi.” (Isaia 40:15, 17)

“Unë jam Ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca; Unë i shpalos qiejt si një vello dhe i hap si një çadër ku mund të banosh. Unë i katandis princat në hiç dhe i bëj të panevojshëm gjykatësit e tokës. (Isaia 40:22-23)

Gëzimi i shpresës tonë, o Perëndi, është që Ti të lartësosh madhështinë Tënde duke ngritur të përulurit dhe duke ulur krenarët.

“Kush i thotë një mbreti: ‘Je për t’u përbuzur’ dhe princave: ‘Të këqij’? Unë nuk bëj asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideroj të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të Mia.” (Jobi 34:18-19) 

“Unë i ligështoj të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre.” (Jobi 34:24)

“Unë i shikoj tërë kryelartët dhe i poshtëroj dhe shtyp njerëzit e këqij kudo që të ndodhen.” (Jobi 40:12)

“Unë ZOTI të bëj të vdesësh dhe të bëj të jetosh; Unë të zbres në Sheol dhe të ngjit që andej. Unë të varfëroj dhe të pasuroj; Unë të ul dhe Unë të lartësoj.” (1 e Samuelit 2:6-7) 

“Unë i shpërndava mendjemëdhenjtë në mendimet e zemrave të tyre; unë i përmbysa pushtetarët nga fronet e tyre dhe i ngrita të përulurit.” (Luka 1:51-52) 

Kështu ka për të qenë përjetë, o Perëndi. Ti sundon mbi të gjithë, me një sundim të përjetshëm, për hir të të përulurve që i besojnë Birit Tënd.

“Unë rroj përjetë, sundimi Im është një sundim i përjetshëm, dhe mbretëria Ime vazhdon brez pas brezi.” (Danieli 4:34) 

“Sundimi Im nuk do të kalojë dhe mbretëria Ime nuk do të shkatërrohet kurrë.”  (Danieli 7:14)

“Biri Im do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e Tij nuk do të ketë kurrë të sosur.” (Luka 1:33) 

Prandaj, duke gufuar me lavdërim dhe falënderim, o Perëndi i çmuar dhe i shenjtë, ne prehemi në sovranitetin Tënd absolut mbi jetët tona. Ne ngazëllojmë kur të dëgjojmë Ty që thua:

“Ditët e tua janë në dorën Time.” (Psalmi 31:15)


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/plunge-your-mind-into-the-ocean-of-gods-sovereignty  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim