David Brainerd

Mars 2021


David Brainerd (1718–1747)

Jeta e Brainerd ishte e shkurtër—29 vjet, 5 muaj dhe 19 ditë dhe ai qe i krishterë vetëm për tetë vite. Për katër vite misionar. Prapëseprapë, të pakta janë ato jetë që kanë shkaktuar valëzime aq të gjera dhe që kanë arritur aq larg sa jeta e David Brainerd.

Pse ka shkaktuar jeta e tij kaq shumë ndikim? Pse John Wesley tha: “Çdo predikues ta lexojë me kujdes librin Life of David Brainerd (Jeta e David Breinërd)”? Pse William Carey e konsideronte librin e Jonathan Edwards Life of David Brainerd aq të çmuar dhe të shenjtë? Pse Henry Martyn (misionar në Indi dhe Persi) shkruajti kur ishte student në Kembrixh në vitin 1802: “Dëshiroj fort të jem si ai!” (Life of David Brainerd, 4)?

Pse jeta e tij ka pasur një ndikim kaq të jashtëzakonshëm? Apo ndoshta duhet të bëj një pyetje edhe më modeste dhe më të lehtë: Pse jeta e tij ka një ndikim të tillë në jetën time? Si më ka ndihmuar të vazhdoj me këmbëngulje në shërbesë dhe të përpiqem për shenjtëri, fuqi hyjnore dhe frytshmëri në jetën time?

Përgjigjja është se jeta e Brainerd është një dëshmi e gjallë dhe e fuqishme për të vërtetën që Perëndia mund dhe vërtet përdor shenjtorë të dobët, të sëmurë, të dekurajuar, të munduar, të vetmuar dhe që i përgjërohen Perëndisë ditë e natë që të arrijnë gjëra të mahnitshme për lavdinë e Tij. Në mundimet e tyre ka një fryt të madh. Për ta ilustruar këtë gjë, do të shohim së pari përleshjet e Brainerd, pastaj do të shohim mënyrën si ai reagoi ndaj tyre dhe në fund do të shohim se si Perëndia e përdori atë me të gjitha dobësitë e tij.

Përleshjet e Brainerd

Brainerd lindi në 20 Prill 1718 në Haddam, Konektikat, treqind vjet më parë dhe u kthye në besim në moshën 21 vjeçare. Gjatë vitit të tretë të studimeve në universitetin “Yale”, ku po përgatitej për shërbesë pastorale, dikush e dëgjoi Brainerd-in e zellshëm të thoshte se një nga mësuesit e tij nuk kishte “më shumë hir se një karrige”. Rizgjimi i Madh tashmë kishte krijuar tension midis studentëve të rizgjuar frymërisht dhe stafit në dukje më pak shpirtëror, kështu që Brainerd, megjithëse ishte i pari i klasës së tij, u përjashtua menjëherë.

Edhe pse ai u përpoq herë pas here gjatë viteve në vazhdim që t’i sqaronte gjërat, universiteti “Yale” nuk e pranoi më kurrë. Perëndia kishte një plan tjetër për Brainerd. Në vend të gjashtë viteve të qeta si pastor apo në klasën e leksioneve, të pasuara nga vdekja dhe nga një ndikim i vogël historik për mbretërinë e Krishtit, Perëndia kishte në plan ta çonte atë në shkretëtirë që ai të mund të vuante për hir të Tij dhe të kishte një ndikim të pallogaritshëm në historinë e misioneve.

Një trup i thyer

Brainerd luftoi pothuajse vazhdimisht me sëmundjen.

Në vitin 1740, atij iu desh ta linte universitetin për disa javë, për shkak se kishte filluar t’i dilte gjak nga të kolliturit. Në Maj të 1744, ai shkruan në ditarin e tij: “Udhëtova me kalë për disa orë në shi përmes humbëtirave të pafundme, edhe pse isha shumë i dobët në trup, prej meje nuk dilte gjë tjetër veçse gjak” (Life of David Brainerd, 247). Herë pas here, ai shkruante diçka si: “Në pasdite dhimbja ime u shtua jashtëzakonisht; dhe isha i detyruar të shkoja në shtrat... Ndonjëherë nuk kisha mundësi as të arsyetoja, për shkak të dhimbjes së skajshme” (253).

Në maj të vitit 1744, në shtëpinë e Jonathan Edwards, doktorët i thanë se kishte një sëmundje të pashërueshme dhe nuk i kishte mbetur edhe shumë kohë për të jetuar (447). Edwards komenton se në javën para se Brainerd të vdiste tha: “Ai më tha se ishte e pamundur që ndokush ta përfytyronte shqetësimin, që ndiente në kraharor. Gjithashtu shfaqi shumë kujdes, në mënyrë që të mos e çnderonte Perëndinë përmes padurimit nën këtë agoni ekstreme; e cila ishte aq e madhe sa ai vetë tha që mendimi i të duruarit të saj edhe për një minutë më shumë ishte pothuaj i pamundur.” Natën para se të vdiste u tha atyre që ishin pranë tij: “Të vdekurit ishte krejt gjë tjetër nga çfarë njerëzit e përfytyronin” (475-476).

Një mendje e dëshpëruar

Brainerd luftoi me depresionin që i rikthehej sërish. Ai u torturua herë pas here nga dekurajimet më dëshpëruese. Mrekullia është që ai mbijetoi dhe vazhdoi të ecte përpara.

Shpesh ai e quante depresionin e tij një lloj vdekjeje. Ka të paktën 22 vende në ditarin e tij ku ai dëshironte vdekjen si një mënyrë çlirimi nga mjerimi i tij. Për shembull, e dielë, 3 Shkurt 1745, ai shkroi: “Shpirtit tim iu kujtua ‘pelini dhe hidhërimi’ (këtu mund të them pothuaj ferri) i së premtes së kaluar; isha jashtëzakonisht i frikësuar që mund të më duhej të pija sërish nga ajo ‘kupë drithërimi’, e cila ishte jashtëzakonisht më e hidhur se vdekja dhe kjo më bëri të dëshiroja varrin, patregueshmërisht më tepër, sesa thesaret e fshehura” (285).

Vetëm duke hedhur vështrimin pas, ai e pa veten si një “objekt të përshtatshëm për dhembshurinë e Jezu Krishtit”, por gjatë orëve të errësirës, nganjëherë ai nuk përjetonte asnjë ndjesi shprese, dashurie apo frike. Kjo është ana më e frikshme e depresionit, pasi kufizimet e natyrshme për të vrarë veten nisin të humbasin. Ndryshe nga William Cowper, Brainerd u kursye nga shtysa për të vrarë veten. Dëshirat e tij për vdekjen u frenuan brendave caqeve të së vërtetës biblike: “Zoti ka dhënë, dhe Zoti ka marrë” (Jobi 1:21). Ai e dëshiroi vdekjen shumë herë, por vetëm Perëndia do të ishte Ai që do ta merrte (Life of David Brainerd, për shembull 172, 183, 187, 215, 249).

Është thjesht e mahnitshme sa shpesh Brainerd këmbënguli në nevojat praktike të punës së tij, teksa u përball me këto valë dekurajimi. Nuk ka dyshim që kjo e ka bërë atë tepër të dashur për shumë misionarë, të cilët i njohin nga përjetimi i tyre ato lloj dhimbjesh, që ai duroi.

Një shpirt i vetmuar

Ai tregon se si iu desh të duronte të folurit profan të dy të panjohurve, një natë prilli të vitit 1743 dhe thotë: “Oh, sa do të doja që ndonjë i krishterë i dashur ta njihte shqetësimin tim” (204). Një muaj më vonë ai thotë: “Shumica e biseda që dëgjoj janë në gjuhën skoceze ose në atë indiane. Nuk kam ndonjë shok të krishterë të cilit t’ia hap shpirtin dhe t’i tregoj pikëllimet e mia frymërore, dhe nga i cili të marr një këshillë të ëmbël në biseda rreth gjërave qiellore dhe të bashkohem në lutje të përbashkët” (207). Ky mjerim nganjëherë e bëri të hezitonte për të shkuar në ndonjë mision tjetër. Të martën, datë 8 Maj 1744, ai shkroi: “Nganjëherë zemra ime ishte gati të zhytej në mendimet e punës time dhe të shkoja i vetëm në shkretëtirë pa e ditur se ku” (248).

Deri në fund, Brainerd ishte vetëm në shërbesën e tij. Gjatë nëntëmbëdhjetë javëve të fundit të jetës së tij, Jerusha Edwards, vajza 17 vjeçare e Jonathan Edwards ishte infermierja e tij dhe shumë spekulojnë se kishte një dashuri të thellë (madje romantike) mes tyre. E megjithatë, në shkretëtirë dhe në shërbesë, ai ishte vetëm dhe mund t’ia derdhte shpirtin e tij vetëm Perëndisë. Perëndia e mbajti dhe i dha forcë për të vazhduar.

Reagimi i Brainerd

Ne mund të vazhdojmë të përshkruajmë luftërat e tjera të Brainerd—vështirësitë e tij të mëdha të jashtme, pamjen e tij të zymtë për natyrën, vështirësitë e tij për të dashur indianët, tundimet e tij për të lënë fushën e misionit—por tani i drejtohemi mënyrës se si Brainerd iu përgjigj këtyre luftimeve.

Ajo që na bën përshtypje menjëherë, është fakti se ai këmbënguli. Një nga arsyet kryesore pse jeta e Brainerd ka efekte kaq të fuqishme te njerëzit, është se pavarësisht gjithë përleshjeve të tij, ai nuk hoqi dorë kurrë nga besimi apo shërbesa e tij. Ai ishte i pushtuar nga një pasion për ta përfunduar garën e tij, për ta nderuar Zotin e tij, për të përhapur mbretërinë dhe për të përparuar në shenjtëri personale. Kjo besnikëri e palëkundur ndaj kauzës së Krishtit ishte ajo që e bëri zymtësinë e jetës së tij të vezullonte me lavdi.

Mes mjeteve që Brainerd përdori për të arritur shenjtëri dhe dobi edhe më të madhe, spikatin lutja dhe agjërimi, mbi të gjithë të tjerët. Ne lexojmë se ai kaloi ditë të tëra në lutje. E mërkurë, 30 qershor 1742: “Kalova pothuaj gjithë ditën në lutje të pandërprerë” (172). Nganjëherë ai veçonte deri në gjashtë periudha kohore gjatë ditës për t’u lutur: “Bekuar qoftë Perëndia, pata shumë liri, pesë apo gjashtë herë në ditë lutje dhe lavdërim dhe ndieva një shqetësim të madh mbi shpirtin tim për shpëtimin e atyre shpirtrave të çmuar dhe për zmadhimin e mbretërisë së Shpengimtarit mes tyre” (280).

Përkrah lutjes, Brainerd e ndoqi shenjtërinë dhe dobinë me anë të agjërimit. Herë pas here, në ditarin e tij, ai tregon për ditë të kaluara në agjërim. Nën dritën e mënyrës se si i festojmë ne ditëlindjet, një nga rastet më të jashtëzakonshëm është agjërimi që bëri në ditëlindjen e tij të 25-të:

E mërkurë, 20 Prill. Këtë ditë e kam veçuar për agjërim dhe lutje, për ta përulur shpirtin tim para Perëndisë që të më japë hirin hyjnor; në mënyrë të veçantë që të gjitha mundimet e mia frymërore dhe shqetësimet e brendshme të mund të shenjtërohen në shpirtin tim... Më sëmboi në shpirt teksa mendova për thatësirën dhe pafrytshmërinë time; që kam jetuar kaq pak për lavdinë e Perëndisë së përjetshëm. E kalova ditën i vetëm në pyll dhe atje ia paraqitja ankesën time Perëndisë. Oh, sikur Perëndia në të ardhmen të më aftësojë të jetoj për lavdinë e Tij! (205)

Fryti i vuajtjeve të Brainerd

Si rezultat i ndikimit të pamasë të devotshmërisë së Brainerd në jetën e tij, Jonathan Edwards shkroi gjatë dy viteve në vazhdim, Life of David Brainerd, libër i cili është ribotuar më tepër se gjithë librat e tjerë të Edwards. Dhe përmes kësaj Jete, ndikimi i Brainerd në kishë ka qenë i pallogaritshëm. Përveç gjithë misionarëve të famshëm, të cilët na tregojnë se janë forcuar dhe frymëzuar nga jeta e Brainerd, sa të panumërt duhet të jenë shërbëtorët e tjerë besnikë dhe të panjohur, të cilët kanë gjetur forcën dhe inkurajimin për të këmbëngulur në dëshminë e Brainerd!

Është vërtet frymëzues mendimi që një guralec i vetëm, i cili hidhet në detin e historisë të prodhojë valë hiri, të cilat arrijnë brigjet e largëta disa qindra vite më vonë dhe mijëra kilometra larg. Robert Glover mediton i mahnitur rreth këtij mendimi kur shkruan:

Ishte jeta e shenjtë e Brainerd ajo që e ndikoi Henry Martyn të bëhej misionar dhe ky ishte faktor parësor në frymëzimin e William Carey. Carey nga ana e tij frymëzoi Adoniram Judson. Kështu ne e gjurmojnë prejardhjen frymërore hap pas hapi—Hus, Wycliffe, Francke, Zinzendorf, vëllezërit Wesley dhe Whitefield, Brainerd, Edwards, Carey, Judson dhe madje më tej në vazhdimësinë e vërtetë apostolike të hirit dhe fuqisë frymërore dhe në shërbesën mbarëbotërore. (The Progress of World-Wide Missions, 56)

Gjithsesi, ndikimi më jetëgjatë dhe domethënës i shërbesës së Brainerd është i njëjtë me efektin më jetëgjatë dhe domethënës të shërbesës së çdo pastori. Ka pak indianë—ndoshta disa qindra—të cilët, tani dhe për përjetësinë i detyrohen për jetën e tyre të përjetshme dashurisë dhe shërbesës së drejtpërdrejtë të David Brainerd.

Kush mund ta përshkruajë vlerën e një shpirti që është transferuar nga mbretëria e errësirës, dhe nga të qarat dhe kërcëllitja e dhëmbëve, në mbretërinë e Birit të dashur të Perëndisë? Nëse ne jetojmë 29 vjet, apo nëse jetojmë 99 vjet, a nuk do t’ia vlenin vështirësitë e çfarëdo lloji për të shpëtuar qoftë edhe një person të vetëm nga torturat e përjetshme të ferrit, për të shijuar përjetësisht lavdinë e Perëndisë?

Gjithmonë përpara, lart e më lart 

E falënderoj Perëndinë për shërbesën e David Brainerd në jetën time—për pasionin, për lutjen, për festën frymërore të agjërimit, për ëmbëlsinë e fjalës së Perëndisë, për këmbënguljen e palodhur përmes vështirësive, për fokusin e paepur në lavdinë e Perëndisë, për varësinë totale te hiri, për prehjen finale në drejtësinë e Krishtit, për kërkimin e mëkatarëve që po humbasin, për shenjtërinë mes vuajtjes, për ngulitjen e mendjes në atë që është e përjetshme dhe për ta përfunduar mirë garën pa e mallkuar sëmundjen, e cila e rrëzoi në moshën 29 vjeçare. Pavarësisht gjithë dobësive, mospërputhjeve dhe mëkateve të tij, e dua David Brainerd.

Oh, na dhëntë Perëndia një hir këmbëngulës për të përhapur një pasion për epërsinë e Tij në të gjitha gjërat, sikurse bëri Brainerd, për gëzimin e të gjithë popujve! Jeta është tepër e çmuar për ta çuar dëm në gjëra të parëndësishme. Zot, na jep këmbënguljen e palëkundur për t’u lutur dhe për të jetuar me të njëjtin ngulmim si David Brainerd: “Oh, sikur të mos hallakatem kurrë në udhëtimin tim qiellor!” (186)


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/his-suffering-sparked-a-movement
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon | Kryeredaktore: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Postime të ngjashme