artikull 1

Maj 2022


Shumë njerëz besojnë gabim që krishterimi është thjesht një listë rregullash dhe udhëzimesh për sjelljen. Së fundmi, për shkak të mbitheksimit të jetës misionare, është “lista misionare e gjërave për të bërë” ajo që tani përcakton drejtësinë tonë personale. Në të dyja rastet, njerëzve u duket vetja më tepër si skllevër shpirtërorë sesa si fëmijë të Perëndisë të çliruar nga ungjilli.

Kjo sepse mashtrohemi lehtë duke menduar se identiteti ynë vjen nga ajo që bëjmë, jo nga ajo që Perëndia ka bërë.

Ne kemi besuar gabim që të qenët njeri ka të bëjë me çfarë bëjmë, në vend të asaj se çfarë jemi.

Në fillim, kur Perëndia krijoi njerëzimin, Ai na krijoi sipas shëmbëlltyrës së Tij dhe në ngjashmëri me Të, dhe shpalli se ishim shumë mirë. Adami dhe Eva mund ta kishin jetuar jetën duke besuar e duke pushuar në veprën dhe fjalën e Perëndisë për ta.

Megjithatë, i ligu u shfaq dhe vuri në pikëpyetje fjalën dhe veprën e Perëndisë, dhe me mashtrim i bindi ta vendosnin besimin në fjalët e tij dhe në veprat e tyre. Ky ishte fillimi i lëvizjes nga drejtësia e bazuar në besim (identiteti i bazuar te besimi në fjalën dhe veprën e Perëndisë si përcaktuesit tanë) te drejtësia e bazuar në vepra identiteti i bazuar në gënjeshtrat e të ligut dhe besim në veprat tona.

Adami dhe Eva nuk janë të vetmit. Të gjithë ne kemi tendencën ta bëjmë këtë. Kur i dorëzohemi joshjes së të besuarit të gënjeshtrave për Perëndinë dhe për veten tonë, dhe kur e vendosim shpresën në veprat tona si ato që na përkufizojnë, ne kalojmë nga njerëz të përqendruar te të qenët, në njerëz të përqendruar te të bërët.

Problemi është që të gjithë dështojmë.

Nëse bazohemi vetëm te veprat, të gjithë kemi mangësi. Nëse ideja jonë e të qenët–ideja e identitetit tonë–vjen nga ajo që bëjmë, do të mbushemi me krenari kur kemi sukses dhe me turp kur dështojmë. Ashtu si Adami dhe Eva, edhe ne do të përpiqemi të mbulojmë paaftësitë tona me gjethe fiku të bëra nga veprat e mira apo të fshihemi në shkurre faji dhe turpi.

Fatkeqësisht, për shumë njerëz, krishterimi është bërë diçka e tillë: një nxitje misionare për të cilën duhet të përpiqen, ose një fasadë fetare pas së cilës mund të fshihen.

Ungjilli na ofron diçka shumë më të mirë.

Në ungjill na kujtohet edhe njëherë se Perëndia ka bërë një vepër të mirë dhe ka folur fjalë më të mira për ne.

Jezusi është fjala dhe vepra më e mirë.

Përmes besimit në jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit për ne, ne jemi ata që jemi–të falur, të dashur, të pranuar, shumë mirë–jo për shkak të veprave tona, por për shkak të veprës së Perëndisë në dhe përmes Jezu Krishtit. Perëndia flet për jetën tonë “shumë mirë”, sepse Jezusi, i cili është njeriu i vërtetë dhe më i mirë, është tashmë identiteti ynë.

Fjala e Perëndisë është e vërtetë dhe vepra e Tij është shumë e mirë.

Ungjilli nuk na thërret në modifikim sjelljeje–apo për një listë veprimesh misionare. Ungjilli na thërret të identifikojmë transformimin dhe punën misionare tashmë të bërë. Identiteti ynë bazohet në besimin se kush është Perëndia, atë që ka bërë përmes Jezusit, që na drejton te personi që jemi.

Ne nuk bëjmë atë që bëjmë, sepse kemi nevojë të bëhemi. Ne bëjmë atë që bëjmë, sepse në Krishtin tashmë ne jemi. Ne jemi një krijesë e re e krijuar në Jezu Krishtin për vepra të mira për të cilat Ai na parapërgatiti që ne të bëjmë (Efesianëve 2:10). “Të qenët në Krishtin” çon te “veprimet si të Krishtit”.

Ne bëjmë atë që bëjmë, për shkak të asaj që besojmë se Ai ka bërë.

Ne duam, sepse jemi dashur prej Tij së pari.

Ne shërbejmë, sepse Jezusi na ka shërbyer i pari.

Ne jemi në mision, jo që Perëndia të jetë i kënaqur me ne, por sepse Ai tashmë ka dërguar Birin e Tij në mision për të na bërë të pranueshëm për Atin.

Ai kënaqet me ne, për shkak të Jezusit, i cili deshi, shërbeu dhe u dërgua të vdiste në vendin tonë. Gjithçka që bëjmë, rrjedh nga ajo që besojmë për Perëndinë dhe veprën e Tij. Ky realitet nuk mohon veprat e mira, as nuk parandalon jetesën misionare e as nuk na heq dëshirën për të kënaqur Atin. Ai në fakt prodhon vepra të mira dhe udhëzon e drejton në jetesën misionare.

Nuk na duhet të bëjmë ndonjë gjë për t’u bërë dikushi, por ne arrijmë të bëjmë dhe duam ta bëjmë atë që bëjmë, për shkak të asaj që Perëndia ka bërë për ne dhe në ne, për shkak të asaj që Perëndia është dhe do të jetë për ne, dhe për shkak të asaj që jemi tani në Krishtin.

Mendoje kështu: Atë që Perëndia ka bërë për ne tani, Ai do ta bëjë përmes nesh në botë.

Qenia jonë e re në Krishtin na çon në vepra tona të reja për Krishtin përmes fuqisë së Tij.

Jeff Vanderstelt është pastor drejtues në Doxa Church në Bellevue, Washington dhe drejtuesi vizionar i “Soma Family of Churches” dhe “Saturate resource ministry”. Ai është autor, së fundmi i Gospel Fluency. Jeff dhe bashkëshortja e tij kanë tre fëmijë.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/gods-big-work-and-your-little-mission  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim