prayer 02 2560h

Shkurt 2024 


Cili është objektivi i jetës së krishterë? Perëndishmëria e lindur nga bindja ndaj Krishtit. Bindja i hap derën pasurive të përvojës së krishterë. Lutja është ajo që e nxit dhe e ushqen bindjen, duke e sjellë zemrën në “gjendjen e duhur shpirtërore” për të dëshiruar bindjen.

Natyrisht, edhe njohuria është po aq e rëndësishme, sepse pa të nuk mund ta dimë se çfarë kërkon Perëndia nga ne. Mirëpo, njohuria dhe e vërteta mbeten abstrakte për sa kohë që nuk kemi përbashkësi me Perëndinë në lutje. Është pikërisht Fryma e Shenjtë që na e mëson, na e frymëzon dhe na e ndriçon Fjalën e Perëndisë. Ai e ndërmjetëson Fjalën për ne dhe na ndihmon që t’i përgjigjemi Atit në lutje.

Lutja luan një rol thelbësor në jetën e të krishterit. Në radhë të parë, është një parakusht absolut për shpëtimin. Disa njerëzve u mungon dëgjimi, por edhe pse janë të shurdhër, ata mund të shpëtohen. Disa të tjerëve u mungon të parët, por edhe pse janë të verbër, ata mund të shpëtohen. Njohuria për Lajmin e Mirë, pra, e shpëtimit përmes vdekjes shlyese dhe ringjalljes së Jezu Krishtit, vjen nga një burim ose një tjetër, por në fund të fundit, njeriu duhet t’i kërkojë me përulësi Perëndisë që ta shpëtojë. Lutja e shpëtimit është e vetmja lutje që Perëndia ka thënë se do ta dëgjojë nga të ligjtë.

Çfarë kanë të përbashkët ata që janë në qiell? Disa gjëra. Që të gjithë janë drejtësuar, i kanë zënë besë shlyerjes së Krishtit. Që të gjithë e përlëvdojnë Perëndinë. Po ashtu, që të gjithë janë lutur për shpëtimin. Të jesh njeri pa lutje do të thotë të jesh pa Perëndinë, pa Krishtin, pa Frymën e Shenjtë, pa shpresën dhe pa realitetin e qiellit.

Në radhë të dytë, jeta e lutjes është një nga shenjat më të sigurta të një të krishteri të vërtetë. Dikush mund të lutet dhe të mos jetë i krishterë, por dikush nuk mund të jetë i krishterë dhe të mos lutet. Romakëve 8:15 na thotë se birësimi frymëror, me anë të të cilit jemi bërë bij të Perëndisë, na shtyn që ta shprehim këtë fakt edhe me fjalë: “Aba, o Atë”. Lutja për të krishterin është njëlloj si frymëmarrja për jetën, por prapëseprapë ajo është detyra e të krishterëve, e cila më së shumti lihet pas dore.

Lutja, të paktën lutja private, vështirë se mund të bëhet e shtyrë nga motive të rreme. Dikush mund të predikojë i shtyrë nga motive të tilla, ashtu siç bëjnë profetët e rremë; dikush tjetër mund të marrë pjesë në veprimtaritë e krishtera i shtyrë nga motive të rreme. Shumë prej veprave të dukshme të besimit fetar mund të bëhen duke qenë i shtyrë nga motive të rreme, por zor se dikush mund të ketë përbashkësi me Perëndinë i shtyrë nga motive të tilla. Mateu 7 na thotë se në “atë ditë”, shumë do të dalin përpara gjyqit dhe do t’i përmendin Krishtit veprat e tyre të mëdha e fisnike që kanë kryer në emër të Tij, por Ai do t’iu përgjigjet se nuk i njeh.

Pra, na bëhet ftesë, madje na urdhërohet, që të lutemi. Lutja është edhe privilegj edhe detyrë, por si çdo detyrë tjetër, edhe ajo ka mundin e saj. Lutja kërkon punë, ashtu sikurse edhe të gjitha mjetet e rritjes së një të krishteri. Në njëfarë kuptimi, lutja është një gjë e panatyrshme për ne. Ndonëse u krijuam për të pasur shoqëri dhe përbashkësi me Perëndinë, ndikimi i rënies na ka bërë përtacë dhe moskokëçarës ndaj një gjëje kaq të rëndësishme si lutja. Rilindja ngjall një dëshirë të re për përbashkësi me Perëndinë, por mëkati i bën rezistencë Frymës.

Jezusi lutej në mëngjes, gjatë ditës dhe nganjëherë edhe gjatë natës.

Ne mund të ngushëllohemi me faktin që Perëndia i njeh zemrat tona dhe i dëgjon lutjet e pathëna, më tepër sesa fjalët që dalin prej buzëve tona. Fryma e Shenjtë ndërmjetëson për ne sa herë që jemi të paaftë për të shprehur ndjenjat dhe emocionet më të thella të shpirtrave tanë, ose sa herë që nuk e kemi aspak idenë se për çfarë duhet të lutemi. Romakëve 8:26-27 thotë:

Po ashtu, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme. Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë.

Fryma e Shenjtë na ndihmon atëherë kur ne nuk e dimë se si të lutemi dhe çfarë të themi në lutje për një situatë të caktuar. Kemi arsye të besojmë në bazë të këtyre vargjeve se nëse lutemi në mënyrë të gabuar, Fryma e Shenjtë e ndreq gabimin e lutjes sonë përpara se t’i çojë ato përpara Atit, sepse vargu 27 na thotë se Ai “ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë”.

Lutja është sekreti i shenjtërisë, kuptohet, në qoftë se shenjtëria ka ndonjë të fshehtë në vetvete. Në qoftë se i marrim në shqyrtim jetët e shenjtorëve të mëdhenj të kishës, zbulojmë se ata ishin njerëz të mëdhenj të lutjes. John Wesley u shpreh një herë se nuk kishte ndonjë mendim të mirë për shërbëtorët e Perëndisë që nuk i kalonin në lutje të paktën katër orë në ditë. Luther-i tha se lutej rregullisht një orë çdo ditë, përveç ditëve kur kishte një agjendë të ngjeshur. Në ato ditë, ai lutej për plot dy orë.

Një prej shkaqeve kryesore të amullisë në jetën e krishterë është lënia pas dore e lutjes. Pa kujtoni pak shembullin e Pjetrit te Luka 22:39-62. Jezusi shkoi te Mali i Ullinjve për t’u lutur siç e kishte zakon dhe u tha dishepujve: “Lutuni që të mos hyni në tundim”. Në vend që të luteshin, ata i zuri gjumi. Veprimet e para që Pjetri kreu paskëtaj, ishin përpjekjet për t’iu kundëvënë ushtrisë romake me shpatë, dhe pastaj mohoi Krishtin. Pjetri nuk u lut dhe si rezultat, ra në tundim. Ajo që është e vërtetë për Pjetrin është e vërtetë edhe për të gjithë ne: ne rrëzohemi privatisht, përpara se të rrëzohemi publikisht.

A ka ndonjë kohë të duhur apo të gabuar për t’u lutur? Isaia 50:4 përmend mëngjesin si kohën kur Perëndia na jep dëshirën për t’u lutur për ditën që po nis dhe për siguri të ripërtërirë tek Ai. Mirëpo, ka edhe vargje të tjera që flasin për kohë të ndryshme lutjeje gjatë gjithë ditës. Asnjë pjesë e ditës nuk veçohet si më e shenjtë sesa të tjerat. Jezusi lutej në mëngjes, gjatë ditës dhe nganjëherë edhe gjatë gjithë natës. Ka dëshmi që Ai e linte një kohë të caktuar për lutje, megjithatë, duke e pasur parasysh marrëdhënien e Jezusit me Atin, e dimë mirë se përbashkësia mes tyre ishte e pandërprerë.

1 e Thesalonikasve 5:17 na urdhëron të lutemi pa pushim. Kjo do të thotë se ne duhet të jemi në një gjendje përbashkësie të pandërprerë me Atin tonë.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/place-prayer 
Autori: R.C. Sproul  
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Çfarë është shlyerja e kufizuar?
Sakrifica dhe mirëkujdestaria
5 gjëra që duhet t’i dini për Davidin