all life is sacred 620

Shkurt 2024 


Nga R.C. Sproul  

Sipas Biblës, shenjtëria e jetës njerëzore i ka rrënjët dhe themelin te krijimi. Njerëzimi nuk shihet si një aksident kozmik, por si produkti i një krijimi të realizuar me kujdes nga një Perëndi i përjetshëm. Dinjiteti njerëzor rrjedh prej vetë Perëndisë. Edhe pse është një krijesë e kufizuar, e varur dhe e kushtëzuar, Krijuesi i tij i njeh njeriut një vlerë të paçmuar.

Rrëfimi i krijimit te Zanafilla ndërton strukturën e dinjitetit njerëzor:

Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe”. Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë e krijoi; Ai i krijoi mashkull e femër. (Zanafilla 1:26-27)

Krijimi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë është pikërisht ajo që i dallon qeniet njerëzore nga të gjitha krijesat e tjera. Vula e shëmbëlltyrës dhe ngjasimit të Perëndisë krijon një lidhje unike mes Perëndisë dhe njeriut. Megjithëse nuk ekziston asnjë pasazh biblik që të na bëjë ta shohim njeriun si perëndi, njeriu gëzon një dinjitet sublim falë kësaj marrëdhënieje unike me Krijuesin e vet.

Njeriu mund të mos jetë më i dëlirë, siç ishte në fillim, por ai mbetet një qenie njerëzore. Për shkak se jemi njerëzorë vazhdojmë ta ruajmë shëmbëlltyrën e Perëndisë në kuptimin më të gjerë të fjalës. Vazhdojmë të jemi krijesa me shumë vlerë. Mund të mos jemi të denjë, por ende kemi vlerë. Ky është mesazhi kumbues biblik i shpengimit. Krijesat e krijuara prej Perëndisë janë të njëjtat krijesa që Ai nxitet për t’i shpenguar.

Janë shumë pasazhe në Dhiatën e Vjetër që flasin rreth dinjitetit të jetës njerëzore që ngrihet mbi krijimin hyjnor, duke përfshirë edhe pasazhet e mëposhtme:

Fryma e Perëndisë më ka krijuar dhe hukatja e të Plotfuqishmit më jep jetë. (Jobi 33:4)

Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij. (Psalmet 100:3)

“Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t’i thotë argjila atij që i jep formë: ‘Ç’po bën?’, a do të thotë vepra jote: ‘Nuk ka duar?’. Mjerë ai që i thotë të atit: ‘Çfarë po lind?’ dhe nënës së tij: ‘Çfarë po pjell?’. Kështu thotë Zoti, i Shenjti i Izraelit dhe ai që e ka formuar: ‘Për sa u përket gjërave të së ardhmes më bëni pyetje rreth bijve të mi dhe më jepni urdhra rreth veprës së duarve të mia? Por unë kam bërë tokën dhe kam krijuar njeriun mbi të; me duart e mia kam shpalosur qiejt dhe komandoj tërë ushtrinë e tyre’. (Isaia 45:9-12)

Megjithatë, o Zot, ti je ati ynë; ne jemi argjila dhe ti je ai që na formon; ne të gjithë jemi vepra e duarve të tua. (Isaia 64:8)

Është interesant fakti se Jezu Krishti dha shpjegimin më domethënës në lidhje me pikëpamjen e Dhiatës së Vjetër për shenjtërinë e jetës:

Ju keni dëgjuar se u qe thënë të moçmëve: “Mos vrit” dhe: “Por ai që vret do t’i nënshtrohet gjyqit”; por unë po ju them: “Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të vet, do të jetë fajtor për në gjyq; dhe kush i thotë vëllait të vet: “Rraka”, do të jetë fajtor për në sinedër; dhe kush do t’i thotë: “Budalla”, do të jetë fajtor për në zjarrin e ferrit. (Mateu 5:21-22)

Fjalët e Jezusit kanë një rëndësi jetike për sa i përket të kuptuarit tonë të shenjtërisë së jetës. Në vargjet e mësipërme, Jezusi e zgjeron zbatimin e ligjit të Dhiatës së Vjetër. Ai po u fliste disa krerëve fetarë, që i kuptonin Dhjetë Urdhërimet në një mënyrë të thjeshtëzuar e të ngushtë. Legalistët e kohës së Jezusit ishin të sigurt se nëse u ishin bindur me përpikëri dispozitave të shprehura qartë të ligjit, mund ta lëvdonin veten për virtytet e tyre të dukshme. Mirëpo, ata nuk ia dolën kurrë që të kuptonin zbatimin e gjerë të ligjit. Sipas Jezusit, atë që ligji nuk e shprehte me hollësi nënkuptohej qartësisht në kuptimin e tij më të gjerë.

Ligji jo vetëm që ndalon disa sjellje dhe qëndrime negative, por në mënyrë të nënkuptuar kërkon edhe sjellje, edhe qëndrime pozitive.

Kjo cilësi e ligjit vërehet qartë në zgjerimin që i bën Jezusi ndalimit të kurorëshkeljes:

Keni dëgjuar se të moçmëve u qe thënë: “Mos shkel kurorën”. Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet. (Mateu 5:27-28)

Në këto vargje, Jezusi po shpjegon se dikush që i shmanget veprimit fizik të kurorëshkeljes nuk është medoemos një person që i bindet të gjithë ligjit. Ligji rreth kurorëshkeljes është një ligj mjaft i ndërlikuar, sepse nuk përfshin vetëm marrëdhëniet e paligjshme, por edhe gjithçka që gjendet mes epshit dhe kurorëshkeljes. Jezusi e përshkroi epshin si kurorëshkelje në zemër.

Ligji jo vetëm që ndalon disa sjellje dhe qëndrime negative, por në mënyrë të nënkuptuar kërkon edhe sjellje, edhe qëndrime pozitive. Kjo do të thotë se nëse nga një anë ndalohet kurorëshkelja, nga ana tjetër kërkohen pastërtia dhe dëlirësia.

Kur i zbatojmë shembujt që na dha Jezusi në lidhje me ndalimin e vrasjes, e kuptojmë qartë se nga njëra anë duhet t’i shmangemi të gjitha gjërave që përfshihen në përkufizimin e gjerë të vrasjes dhe nga ana tjetër urdhërohemi në mënyrë pozitive që të punojmë për të shpëtuar, për të përmirësuar dhe për t’u përkujdesur për jetën. Pra, duhet t’i shmangemi vrasjes në të gjitha format e saj dhe njëherësh të bëjmë gjithçka mundemi për të promovuar jetën.

Ashtu siç Jezusi e trajtoi epshin, pra si një përbërës të kurorëshkeljes, po ashtu e konsideroi zemërimin e papërligjur dhe shpifjen si përbërës të vrasjes. Ashtu sikurse epshi është kurorëshkelje në zemër, ashtu edhe zemërimi e shpifja janë vrasje në zemër.

Kur Jezusi e zgjeroi fushëveprimin e Dhjetë Urdhërimeve, duke përfshirë gjëra të tilla si epshi dhe shpifja, Ai nuk donte të thoshte se është po aq e keqe të dëshirosh me epsh një person sa të kesh marrëdhënie fizike të ndaluara me të. Po kështu, Jezusi nuk po thoshte se shpifja është po aq e keqe sa vrasja. Ajo që realisht po thoshte është se ligji kundër vrasjes përfshin gjithçka që ka të bëjë me lëndimin e padrejtë të një personi tjetër.

Si gjen zbatim gjithë sa thamë më sipër në çështjen e abortit? Në mësimet e Jezusit shohim një tjetër përforcim të fuqishëm të shenjtërisë së jetës. Vrasja që mbetet në zemër, siç është shpifja, mund të përshkruhet si vrasje “e mundshme”. Është vrasje e mundshme, sepse zemërimi dhe shpifja për shembull, kanë mundësi të sjellin aktin e kryer të vrasjes fizike. Natyrisht, jo gjithmonë ndodh që ato të sjellin atë rezultat. Zemërimi dhe shpifja nuk janë aq të ndaluara, jo për shkak të pasojave që mund të sjellin, por për shkak të dëmit real që i shkaktojnë cilësisë së jetës.

Kur bëjmë lidhjen mes shenjtërisë së jetës dhe abortit, vendosim një lidhje që në pamje të parë zor se dallohet, por që është mjaft e rëndësishme. Edhe nëse nuk mund të vërtetohet se fetusi është një person vërtet i gjallë, nuk ka dyshim se ai është një person mundësisht i gjallë. Domethënë, fetusi është një person në zhvillim. Nuk është në një gjendje të ngrirë mundësie. Fetusi është i përfshirë në një proces dinamik, sepse pa ndërhyrje ose fatkeqësi të paparashikuara, me siguri që do të bëhet një person i gjallë e plotësisht real.

Për Jezu Krishtin, ligji kundër vrasjes nuk përfshin vetëm aktin e vrasjes së kryer, por edhe veprimet e vrasjes së mundshme. Jezusi mësonte se është e paligjshme të kryesh vrasjen e mundshme të një jete të mirëfilltë. Atëherë, cilat janë pasojat e kryerjes së veprës së shkatërrimit real të jetës së mundshme?

Shkatërrimi real i jetës së mundshme nuk është i njëjtë me shkatërrimin e mundshëm të jetës reale. Këto nuk janë raste identike, por janë aq të afërta sa të na shtyjnë që të ndalemi e të shqyrtojmë me kujdes pasojat e gjasshme, përpara se të shkatërrojmë një jetë të mundshme. Nëse ky aspekt i ligjit nuk e përfshin plotësisht dhe përfundimisht abortin brenda ndalimit të gjerë dhe kompleks të vrasjes, është një aspekt tjetër i ligjit që e bën qartë atë.

Ndalimet negative të ligjit nënkuptojnë qëndrime dhe veprime pozitive. Për shembull, ligji biblik kundër kurorëshkeljes e kërkon gjithashtu pasjen e pastërtisë dhe dëlirësisë. Në mënyrë të ngjashme, kur ligji ka një përmbajtje pozitive, e kundërta e tij negative ndalohet në mënyrë të nënkuptuar. Për shembull, nëse Perëndia na urdhëron që të jemi administratorë të mirë të parave tona, duket qartë se nuk duhet të jemi dorëshpuar. Urdhërimi pozitiv për punë të zellshme mbart edhe ndalimin negativ të të mos qenët përtacë gjatë orarit të punës.

Ndalimi negativ i vrasjes së kryer apo të mundshme, përfshin në mënyrë të nënkuptuar edhe detyrimin pozitiv për të punuar për mbrojtjen dhe ruajtjen e jetës. T’i kundërvihesh vrasjes, do të thotë të mbrosh jetën. Çfarëdo tjetër që të bëjë aborti, ai nuk e mbron jetën e fëmijës së palindur. Edhe pse disa njerëz mund të pretendojnë se aborti mbështet cilësinë e jetës së atyre që nuk dëshirojnë pasardhës, ai nuk e mbron jetën e subjektit në fjalë, foshnjës në barkun e nënës, që është në zhvillim e sipër.

Bibla i jep një mbështetje të fortë vlerës jashtëzakonisht të madhe të çdo jete njerëzore. Të varfrit, të shtypurit, të vejat, jetimët dhe personat me aftësi të kufizuar, që të gjithë vlerësohen shumë në Bibël. Kështu që çdo trajtim i çështjes së abortit, në fund të fundit duhet të përballet me këtë temë kyç të Shkrimit të Shenjtë. Kur shkatërrimi apo asgjësimi i jetës njerëzore, madje edhe i asaj jete në hapat e parë, bëhet kaq lehtësisht dhe në masë, një hije e errët bie mbi mbarë tablonë e shenjtërisë së jetës dhe dinjitetit njerëzor.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/what-do-we-mean-sanctity-human-life
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Cili është emri i Perëndisë?
A ka nivele mëkati?
Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë
A ka Jezusi një apo dy natyra?
>