3 types of legalism 1920

Shkurt 2024 


Nga R.C. Sproul  

A të ka qëlluar ndonjëherë ty, si i krishterë, të të akuzojnë për legalizëm? Bëhet fjalë për një fjalë që shpesh përdoret gabimisht mes të krishterëve. Për shembull, disa njerëz e konsiderojnë Xhonin si legalist, për shkak se atyre u duket mendjengushtë. Mirëpo, termi ‘legalizëm’ nuk ka të bëjë vetëm me mendjengushtësinë. Në fakt, legalizmi shfaqet në shumë mënyra që nuk dallohen lehtë.

Në thelb të tij, legalizmi ka të bëjë me shkëputjen e ligjit të Perëndisë nga konteksti i tij fillestar. Disa njerëz duket se e kanë respektimin e rregullave dhe të normave si përparësi kryesore në jetën e tyre të krishterë dhe e konceptojnë krishterimin si një varg gjërash që duhen dhe nuk duhen bërë, pra, si një grup parimesh morale të ngurta dhe fatale. Kjo është një nga format e legalizmit, sipas së cilës njeriu e zbaton ligjin e Perëndisë thjesht si një qëllim në vetvete.

E po, natyrisht, Perëndia dëshiron që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, mirëpo ka edhe shumë elementë të tjerë, të cilët bëjmë mirë të mos i harrojmë. Perëndia dha ligje të tilla si Dhjetë Urdhërimet në kontekstin e besëlidhjes. Së pari, Perëndia ishte i hirshëm. Ai e shpengoi popullin e Vet duke e çliruar nga skllavëria e Egjiptit dhe hyri në një marrëdhënie Atë-Bir plot dashuri me Izraelin. Vetëm pasi u vendos kjo marrëdhënie e bazuar në hirin, Perëndia filloi të parashtronte ligjet e caktuara që ishin të kënaqshme për Të. Gjatë studimeve të doktoraturës, kam pasur një profesor që më thoshte: “Thelbi i teologjisë së krishterë është hiri, dhe thelbi i etikës së krishterë është mirënjohja”. Legalisti e veçon ligjin nga Perëndia që e dha atë ligj. Ai nuk përpiqet edhe aq që t’i bindet Perëndisë ose ta nderojë Krishtin, sa u bindet rregullave që janë të zhveshura nga çdo marrëdhënie personale.

Nuk ka as dashuri, as gëzim, as jetë dhe as pasion. Bëhet fjalë për një rutinë, një formë mekanike të zbatimit të ligjit që e ne quajmë eksternalizëm. Legalisti përqendrohet vetëm në zbatimin e rregullave si rregulla, duke shkatërruar kontekstin e gjerë të dashurisë dhe të shpengimit të Perëndisë, kontekst në të cilin Ai dha ligjin.

Për ta kuptuar llojin e dytë të legalizmit duhet t’i kujtojmë vetes se Dhiata e Re bën dallimin mes shkronjës së ligjit (formës së tij të jashtme) dhe frymës së ligjit. Forma e dytë e legalizmit ngre një mur ndarës mes shkronjës së ligjit dhe frymës së ligjit. Zbaton shkronjën, por shkel frymën. Ekziston vetëm një dallim i vështirë për t’u parë mes kësaj forme të legalizmit dhe asaj që përmendëm më lart.

Legalisti e veçon ligjin nga Perëndia që e dha atë ligj.

Si mund ta zbatosh shkronjën e ligjit duke shkelur frymën e tij? Le ta zëmë se kemi një burrë të cilit i pëlqen t’i japë makinës me shpejtësinë minimale të detyrueshme, pavarësisht nga kushtet në të cilat po e nget atë. Në qoftë se është duke udhëtuar në një autostradë dhe limiti minimal i shpejtësisë është 65 kilometra në orë, ai i jep makinës me 65 km në orë dhe asnjë kilometër më pak. Ai vepron në të njëjtën mënyrë edhe kur bie shi me gjyma, pra, kur drejtimi i makinës me shpejtësinë minimale të detyrueshme i vë të tjerët në rrezik, sepse ata janë kaq të mençur sa ta zvogëlojnë shpejtësinë në rreth 30 km në orë për të shmangur rrëshqitjen në rrugë apo daljen prej saj. Burri që ngulmon t’i japë makinës me 65 km në orë, edhe në kushte të tilla, po e bën vetëm për të kënaqur veten. Edhe pse një vëzhguesi të jashtëm mund t’i duket si një njeri i përpiktë në bindjen e tij qytetare, bindja është vetëm e jashtme dhe atij nuk i intereson aspak se për çfarë shërben në të vërtetë ky ligj. Lloji i dytë i legalizmit karakterizohet nga bindja e jashtme, ndërsa zemra nuk ka asnjë dëshirë për ta nderuar Perëndinë, qëllimin e ligjit të Tij apo Krishtin e Tij.

Lloji i dytë i legalizmit ilustrohet me rastin e farisenjve që debatuan me Jezusin për shërimin në ditën e shabatit (Mateu 12:9-14). Ata interesoheshin vetëm për shkronjën e ligjit dhe i shmangeshin çdo gjëje që atyre mund t’u dukej punë. Këta mësues nuk e kapnin dot frymën e ligjit, e cila drejtohej kundër punës së përditshme, e që nuk nevojitej për ruajtjen e jetës dhe as kundër përpjekjeve për të shëruar të sëmurët.

Lloji i tretë i legalizmit i shton rregullat tona ligjit të Perëndisë dhe u jep atyre vlerë hyjnore. Kjo është forma më e rëndomtë dhe më fatale e legalizmit. Jezusi i qortoi farisenjtë pikërisht në lidhje me këtë pikë, duke u thënë: “Ju i mësoni traditat njerëzore sikur të ishin fjala e Perëndisë”. Nuk kemi të drejtë që t’i bëjmë kapicë kufizimet mbi shpatullat e njerëzve, aty ku Ai nuk ka dhënë asnjë kufizim.

Çdo kishë ka të drejtë që t’i parashtrojë politikat e veta lidhur me fusha të caktuara. Për shembull, Bibla nuk thotë asgjë rreth përdorimit të pijeve freskuese në sallën e takimeve të kishës, ndaj çdo kishë gëzon të drejtën që të vendosë rregulla rreth përdorimit të tyre. Mirëpo, kur i përdorim këto politika njerëzore për ta detyruar ndërgjegjen në mënyrë përfundimtare dhe i bëjmë ato përcaktuese për shpëtimin e dikujt, atëherë futemi në një mënyrë mjaft të rrezikshme në një territor që i përket vetëm Perëndisë.

Janë të shumtë ata që mendojnë se thelbi i krishterimit qëndron në zbatimin e rregullave të duhura, madje edhe të atyre rregullave që nuk gjenden në Bibël. Për shembull, Bibla nuk thotë asgjë rreth faktit nëse mund të luajmë me letra apo të pimë një gotë verë për darkë. Nuk mund t’i kthejmë këto gjëra në testin e jashtëm të krishterimit të mirëfilltë. Kjo do të ishte një shkelje fatale e ungjillit, sepse do të bënte që frytet e vërteta të Frymës të zëvendësoheshin prej traditave njerëzore. Duke e keqparaqitur Krishtin në këtë mënyrë, i afrohemi rrezikshëm blasfemisë. Aty ku Perëndia ka dhënë lirinë, ne kurrë nuk duhet që t’i skllavërojmë njerëzit me rregulla të krijuara nga njeriu. Duhet të bëjmë shumë kujdes që ta luftojmë këtë lloj legalizmi.

Ungjilli i thërret njerëzit në pendim, në shenjtëri dhe në perëndishmëri. Pikërisht për shkak të këtij fakti, bota fyhet prej ungjillit. Mirëpo, mjerë ne kur i shtojmë atë që është e parëndësishme kësaj fyerjeje, duke e shtrembëruar kështu natyrën e vërtetë të krishterimit dhe duke e ndërthurur atë me legalizmin. Pikërisht për shkak se krishterimi ka të bëjë me moralin, me drejtësinë dhe me etikën, në qoftë se nuk jemi të kujdesshëm, mund të rrëshqasim lehtësisht e pa e kuptuar, nga një shqetësim plot pasion për moral të perëndishëm në legalizëm.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/3-types-legalism 
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Cili është emri i Perëndisë?
A ka nivele mëkati?
Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë
A ka Jezusi një apo dy natyra?
>