artikull

Shtator 2022 


Cili mendon se është urdhërimi më i përsëritur në Bibël?

Nuk është ndonjë nga ndalimet ose paralajmërimet. Nuk ka të bëjë me seksin, me paranë ose pushtetin. Urdhërimi më i përsëritur në Bibël ka të ngjarë që do të të habitë: Ji i lumtur. Më shumë se çdo gjë tjetër, Perëndia na thotë në mënyra të ndryshme, ta “lavdërojmë Zotin”, “të mos kemi frikë”, “të gëzojmë” dhe “të falënderojmë”—dhe të gjitha këto janë në thelb urdhërime për të qenë të lumtur.

Mos e kalo shumë shpejt këtë! Lëre të zërë vend thellë brenda teje: më tepër se çdo gjë tjetër, Perëndia na urdhëron të jemi të lumtur. Perëndia do që ti të jesh thellësisht dhe me të vërtetë i lumtur. Jo vetëm në qiell një ditë. Jo kur rrethanat të marrin për mirë. Jo kur pikëllimi apo errësira më në fund të largohen. Perëndia do që ne ta shijojmë sot gëzimin e vërtetë. Tani.

“Më tepër se çdo gjë tjetër, Perëndia na urdhëron të jemi të lumtur.”

Nuk kam aspak për qëllim që t’i banalizoj sprovat që mund të jesh duke përjetuar. Vuajtja mund të jetë therëse, pikëllimi mund të jetë duke të mbytur, frika mund të jetë pothuajse paralizuese. Bibla është aq reale sa dhe vetë jeta. Perëndia thotë shumë gjëra për mëkatin, pikëllimin, vajtimin, dhimbjen, tradhtinë, dështimin, frikën, tmerrin dhe mjerimin. Por nëse mund ta besosh, tema mbizotëruese e Perëndisë është gëzimi.

Perëndia do që ne të njohim atë lloj shprese, e cila ka fuqinë për të prodhuar gëzim në ne edhe në situatat e dhimbshme. Ai na urdhëron vazhdimisht që të jemi me të vërtet e thellësisht të lumtur.

Pse Perëndia e përsërit veten?

Kushtoji vëmendje sa herë që Perëndia e përsërit veten. Përsëritja nënkupton rëndësi.

Kjo nuk do të thotë se urdhërimet më të përsëritura janë medoemos urdhërimet më të rëndësishme. Ne e dimë nga Jezusi që urdhërimet më të rëndësishme janë që ta duam Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë, dhe të afërmin tonë porsi veten (Marku 12:29-31). Por kur urdhërimet përsëriten më tepër, sigurisht që kjo do të thotë se është diçka e rëndësishme. Nëse po i kushtojmë vëmendje me kujdes, do të dallojmë që urdhërimet më të përsëritura janë mjete për t’iu bindur urdhërimeve më të rëndësishme.

Urdhërimet më të përsëritura të Perëndisë janë mjete për t’iu bindur urdhërimeve të tij më të rëndësishme. Kjo është e mahnitshme! Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes të dashurit e Perëndisë mbi gjithçka, të dashurit e të tjerëve si veten dhe të qenët vërtet të lumtur. Ne nuk e sakrifikojmë njërën për hir të tjetrës. Kur Perëndia na urdhëron ta duam atë me gjithë sa jemi, ose t’i duam të tjerët me të njëjtin kujdes, shqetësim, hir, dhembshuri dhe durim me të cilat e duam veten, ai nuk po na urdhëron të sakrifikojmë lumturinë e vërtetë, që zgjat dhe na kënaq. Ai po na urdhëron që të kërkojmë lumturinë tonë të vërtetë, që zgjat dhe na kënaq.

A është kjo e vërtetë? Le të shqyrtojmë katër urdhërime të cilat përsëriten shpesh në Shkrim dhe të pyesim se çfarë dëshiron me të vërtetë Perëndia nga ne.

“Lavdëro Zotin”

Çfarë dëshiron Perëndia kur na urdhëron që ta lavdërojmë atë? E dimë që ai nuk po kërkon thjesht fjalë boshe nga buzët tona ndërkohë që zemra jonë është duke shkuar pas diçkaje tjetër (Isaia 29:13). Ai po na urdhëron që ta shohim atë përmes asaj që na ka zbuluar për veten e tij, derisa të shohim ndonjë aspekt të lavdisë së tij që e tejkalon kotësinë e gjërave të prishura, të cilat kërkojnë vëmendjen tonë tani–lavdi që prodhon një gëzim gjithë mahnitje të cilin nuk ka se si të mos e shprehim në lavdërim.

Lavdërimi ynë i mbushur me kënaqësi jo vetëm që e përlëvdon Perëndinë dhe i jep atij kënaqësi, por gjithashtu i drejton të tjerët me dashuri te e njëjta lavdi që ne po shohim dhe te e njëjta kënaqësi që ne po ndiejmë–sepse ne gjithmonë u lavdërojmë (të tjerëve) atë që na kënaq. Perëndia na urdhëron që ta duam atë, t’i duam të tjerët dhe të jemi të lumtur.

“Mos ki frikë”

“Perëndia na urdhëron që ta shohim atë derisa të shohim lavdinë që prodhon një gëzim gjithë mahnitje, të cilin nuk ka se si të mos e shprehim në lavdërim.

Çfarë do Perëndia kur na urdhëron të “mos kemi frikë”? Ai do që ne të meditojmë për një premtim që ai na ka bërë, derisa të përjetojmë çlirim nga efektet paralizuese të frikës dhe të shohim që brenda nesh ngjallet guxim.

Kjo siguri e lumtur dhe e guximshme në Perëndinë nuk është vetëm shprehje e dashurisë që i beson atij; ajo na bën gjithashtu të ndihemi zemërhapur dhe plot dashuri ndaj të tjerëve, sepse jemi mbushur me shpresë në Perëndinë. Nuk mund të veprojmë dot ndryshe përveçse t’i ngushëllojmë dhe t’i inkurajojmë të tjerët me ngushëllimin dhe inkurajimin që kemi marrë nga Perëndia (2 e Korintasve 1:3-4). Perëndia na urdhëron që ta duam atë, t’i duam të tjerët dhe të jemi të lumtur.

“Gëzohu”

Çfarë do Perëndia kur na urdhëron të gëzohemi? Ai do që të kujtojmë që pavarësisht se çfarë ndodh, asgjë nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e tij e gjithëfuqishme në Krishtin (Romakëve 8:38-39), që ai do të bëjë që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë (Romakëve 8:28), dhe që do të na shpëtojë nga çdo vepër e ligë dhe të na sjellë shëndoshë e mirë në mbretërinë e tij qiellore (2 e Timoteut 4:18).

Ne e shprehim dashurinë tonë për Perëndinë ndërkohë që prehemi me besnikëri në sundimin e tij sovran mbi të gjitha gjërat–mbi ato të ëmbla dhe ato të hidhura–dhe ne i duam të tjerët teksa i ndihmojmë që edhe ata të mbështeten me besnikëri në sundimin sovran të Perëndisë. Perëndia na urdhëron që ta duam atë, t’i duam të tjerët dhe të jemi të lumtur.

“Falëndero”

Çfarë do Perëndia kur na urdhëron që të falënderojmë? Siç thotë edhe John Piper: Perëndia nuk po kërkon atë lloj falënderimi që një gjashtëvjeçar i thotë gjyshes së tij pasi ajo i ka bërë një dhuratë për Krishtlindje, por atij nuk i pëlqen. Perëndia do që ne të shohim përtej gjërave që na bezdisin, na zemërojnë, na zhgënjejnë, na dekurajojnë, na trishtojnë dhe na depresionojnë dhe të shohim hirin e tij–hirin e tij me bollëk dhe të gjithëmjaftueshem (2 e Korintasve 9:8)–hiri që rrjedh tani te ne, pavarësisht se cilat janë rrethanat tona (1 e Thesalonikasve 5:18).

Kur e shohim hirin e tij dhe u besojmë qëllimeve të tij të urta, mirënjohja e dashur ngrihet drejt tij dhe i largon emocionet, dhe ankimet tona mëkatare dhe negative duke i zëvendësuar ato me paqe. Kjo paqe e frymëzuar nga mirënjohja vërshon te çdo person tjetër me të cilin kemi kontakt, dhe shpesh i ndihmon ata t’i mposhtin tundimet e tyre për t’u ankuar. Perëndia na urdhëron që ta duam atë, t’i duam të tjerët dhe të jemi të lumtur.

Kodi i fshehtë

Sapo t'i vendosim këto syze, fillojmë të shohim që ky kod i fshehtë gjendet në të gjitha urdhërimet e Perëndisë, jo vetëm në ato që janë përsëritur më tepër: bindja e mbushur me besim na çon në gëzim. Perëndia i jep popullit të tij vetëm urdhërime që do t’i sjellin lumturinë më të madhe. Ja pse, për ata që e zbulojnë sekretin, “urdhërimet e tij nuk janë të rënda” (1 e Gjonit 5:3). Davidi e zbuloi këtë sekret në një këngë dashurie për urdhërimet e Perëndisë:

Ligji i ZOTIT është i përsosur, ai e përtërin shpirtin;
dëshmia e ZOTIT është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.
Porositë e ZOTIT janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën;
urdhërimet e ZOTIT janë të pastra dhe ndriçojnë sytë.
Frika e ZOTIT është e pastër, mbetet përjetë;
gjykimet e ZOTIT janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;
janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ar i kulluar;
janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.
Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre;
ka një shpërblim të madh duke i zbatuar. (Psalmi 19:7-11)

“Urdhërimet e Zotit janë më të dëshirueshme se ari, sepse ato na bëjnë më të lumtur nga sa mund të na bëjë ari.”

Urdhërimet e Zotit janë më të dëshirueshme se ari, sepse ato na bëjnë më të lumtur nga sa mund të na bëjë ari. Kur i zbatojmë ato, ka një shpërblim shumë më të madh sesa ari; është dashuria, kënaqësia, admirimi, lavdërimi, falënderimi dhe ngazëllimi në Perëndinë përgjithmonë (Psalmi 16:11).

Ja pse Perëndia e ka mbushur Biblën me urdhërime të përsëritura për ta lavdëruar atë, për të mos pasur frikë, për t’u gëzuar dhe për të falënderuar gjithmonë, si dhe çdo urdhërim tjetër që ka të bëjë me ne. Ai do që ne të jemi të lumtur. “Dhe Perëndia i shpresës le t’ju [do që të na] mbushë [ne] me çfarëdo gëzimi dhe paqeje në besim, që të keni [kemi] mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Romakëve 15:13). Sot. Tani dhe përjetë.

Jon Bloom shërben si mësues dhe bashkëthemelues i Desiring God. Ai është autori i tre librave, Not by Sight, Things Not Seen, dhe Don’t Follow Your Heart. Ai dhe bashkëshortja e tij kanë pesë fëmijë dhe jetojnë në Twin Cities.


Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/the-most-repeated-command-in-the-bible
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim
Perëndia ka planifikuar lavdinë tënde