Çfarë është ungjilli

Tetor 2025


Kur shpresojmë të kuptojmë se çfarë do të thotë një fjalë, shpesh fjalori është vendi i shkëlqyer për të filluar. Mirëpo, fjalë të caktuara kërkojnë që ne të bëjmë më shumë, sesa thjesht të lexojmë dhe të mësojmë përmendsh një përkufizim. Prandaj nuk duhet të habitemi që kur lexojmë përkufizimin e fjalës Ungjill në fjalor — “mesazhi në lidhje me Krishtin, mbretërinë e Perëndisë dhe shpëtimin”[1] — na lindin më shumë pyetje. Kush është ky Krisht? Ku është mbretëria e Tij? Çfarë është shpëtimi? Një kërkim i shpejtë në internet na tregon se Ungjilli vjen nga një fjalë greke që do të thotë “lajm i mirë” — por çfarë është saktësisht ky lajm i mirë?

Të parët e një fjale të përdorur në kontekst shpesh mund të na ndihmojë të krijojmë tablonë e plotë. Për të kuptuar se çfarë është (dhe çfarë nuk është) Ungjilli, së pari duhet t’u drejtohemi faqeve të para të Biblës. Pse vallë duhet të na interesojë Bibla? Sepse ajo është e vetmja mënyrë e sigurt për ta dëgjuar zërin e Perëndisë! Gjithashtu brenda faqeve të saj, shohim katër temat e mëposhtme, secila prej tyre na ndihmon t’i përgjigjemi pyetjes: “Çfarë është Ungjilli?”.

E mira

“Në fillim, Perëndia krijoi...” (shih Zanafilla 1–2). Ai krijoi dritën dhe errësirën, tokën dhe qiellin, peshqit dhe zogjtë, burrin dhe gruan. Ai krijoi gjithçka, dhe të gjitha i krijoi nga hiçi. Perëndia i pa të gjitha këto gjëra, dhe pa se ato ishin të mira. Kishte bukuri dhe paqe, dhe gjithçka dukej e përsosur për Adamin dhe Evën. Mirëpo, më pas ata bënë një zgjedhje që solli një ndarje të madhe.

E keqja

Te Zanafilla 3, diçka e quajtur mëkat hyri në botë. Adami dhe Eva u tunduan nga gjarpri — i njohur edhe si djalli ose Satani (Zbulesa 12:9) — dhe zgjodhën të vepronin në kundërshtim të drejtpërdrejtë me urdhrin e Perëndisë. Ky akt mosbindjeje filloi një cikël jete, mosbindjeje dhe vdekjeje, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite. Natyra e rënë dhe mëkatare e Adamit është transmetuar nga një brez në tjetrin. E mira është njollosur. Mëkati është shtuar. Bibla na tregon se na duhet të paguajmë një çmim të madh për mosbindjen tonë: ky çmim është vdekja (Romakëve 6:23).

Prandaj, çfarë mund të bëhet për ta kapërcyer këtë ndarje, për ta rregulluar atë që duket qartë se është e prishur?

E reja

Kur shikojmë përreth, sigurisht që shohim shumë gjëra të mrekullueshme në botë. Bukuria vazhdon të ekzistojë dhe ende mund të shijohet paqja — deri në njëfarë mase. Megjithatë, ditë pas dite, vazhdojmë të dëshirojmë për diçka më shumë. Lajmet e mira duket se tejkalohen nga lajmet e këqija. Harmonia duket sikur prishet nga përçarja. Gëzimi i jetës shpesh mbytet nga siguria e vdekjes.

Por nëse i hedhim një vështrim më nga afër Romakëve 6:23, shohim se mëkati dhe vdekja nuk e kanë fjalën e fundit: “Sepse pagesa e mëkatit është vdekja, por dhurata e hirit e Perëndisë është jeta e përjetshme në Krishtin Jezus, Zotin tonë.” Ne kemi një shpresë, dhe emri i Tij është Jezus. Edhe pse vdekja hyri në botë si pasojë e mëkatit të Adamit, ne mund të gjejmë ngushëllim të përjetshëm, për shkak të veprës që u krye nga Jezu Krishti (Romakëve 5:17).

Perëndia erdhi dhe pagoi çmimin për të na shpëtuar nga mëkati ynë. Ai erdhi në tokë në personin e Birit të Tij, Jezusit (Gjoni 1:14). Ai bëri atë që ne nuk do të mund ta bënim dot kurrë, duke jetuar një jetë në bindje të përsosur ndaj Perëndisë Atë (Filipianëve 2:8; Romakëve 5:19). Edhe pse u kryqëzua në kryq për mëkatet tona dhe u varros, Ai u ngrit nga varri dhe u ngjit në qiell (I Korintasve 15:3-4; Veprat e Apostujve 1:9-11).

Më vonë në Letrën drejtuar Romakëve, apostulli Pal na kujton këtë të vërtetë të madhe: Perëndia ka bërë atë që ne nuk do të mund ta bënim dot kurrë (Romakëve 8:2-4). Nëpërmjet shpalosjes së planit dhe qëllimeve të Tij, Ai hapi një rrugë që ne të kemi jetë të re, jetë të përjetshme. Gjoni 3:16-17 thotë: “Sepse kaq e deshi Perëndia botën, saqë dha Birin, një të vetmin, me qëllim që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë që ta gjykojë botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij.”

Kur i lexojmë këto të vërteta në Bibël, nuk mund të mjaftohemi thjesht me miratimin intelektual.  Përkapja e kuptimit të fjalëve dhe frazave është thjesht njëra nga gjërat. Mirëpo, besimi për të cilin lexojmë te Gjoni 3:16 — në fakt, në të gjithë Biblën — përfshin një zgjedhje. Besimi shpëtues kërkon që t’i besosh Perëndisë dhe t’ia përkushtosh jetën vetëm Atij. A e ke rrokur këtë të vërtetë? A je gati që ta bësh atë zgjedhje? Nëse po, ka disa hapa të thjeshtë që mund të ndërmarrësh si reagim.

Siç e shpjegon edhe videoja më poshtë, së pari duhet të pranojmë se ka diçka për të pranuar — se ti dhe unë kemi mëkatuar kundër Perëndisë dhe se nuk do të mund t’i zhbëjmë dot kurrë gabimet tona. Së dyti, duhet të besojmë se Jezusi ka marrë përsipër dënimin për mëkatet tona dhe e ka mposhtur vdekjen një herë e përgjithmonë. Së fundi, duhet të shqyrtojmë rrjedhojat e vendosjes së besimit tonë te Perëndia. Pranimi dhe besimi duhet të pasohen nga bindja dhe pendimi. Pjesa tjetër e jetës sonë do të kalohet duke u larguar nga mëkati dhe duke iu kthyer Perëndisë, me ndihmën e Frymës së Tij (Gjoni 14:15-17). Ky është një transformim që prek çdo aspekt të jetës.

E mira që njihnim dikur ka humbur. E keqja tani mbetet dhe mundohet më kot. E reja ka ardhur, duke na ofruar shpengim. Megjithatë, ne ende presim diçka më të mirë nga sa mund ta imagjinojmë...

E përsosura

Përfytyroni një botë ku nuk ka më lot, vdekje, dhimbje apo vajtim. Pikërisht për këtë lexojmë te Zbulesa 21. Perëndia ka premtuar ta ripërtërijë botën e shkatërruar në të cilën jetojmë. Nuk do të jetë asgjë më pak se përsosmëria vetë. Adami dhe Eva dikur përjetuan mirësinë e jetës në praninë e Perëndisë. I tillë do të jetë përjetimi i të gjithë atyre që e vendosin besimin e tyre në Zotin Jezus, sepse vendbanimi i Perëndisë do të jetë përsëri me njeriun (Zbulesa 21:1-4). E megjithatë, tani për tani, ne presim me durim, dhe me një dëshirë të zjarrtë presim jetën e përjetshme me Krishtin, ndërsa u bindemi me gëzim të gjitha atyre që Ai ka urdhëruar në Fjalën e Tij.

Prandaj, çfarë është Ungjilli? Është lajmi i mirë se, edhe pse njerëzimi u rebelua kundër një Perëndie të shenjtë dhe të dashur, Ai prapëseprapë zgjodhi të dërgonte Birin e Tij për të mbajtur mëkatet tona në kryq, në mënyrë që, duke i besuar Atij, ne të mund të ktheheshim nga rrugët tona mëkatare dhe të gëzonim dhuratën e jetës së përjetshme në praninë e Tij. Kjo është dhurata falas e Perëndisë për ne, e dhënë nga dashuria e Tij e bollshme. A e keni pranuar këtë dhuratë?

   ___________________

[1] Përkufizim nga fjalori anglisht merriam-webster.com.


Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
Tri gjëra që duhet të dini rreth Oseas