“Por Jona u ngrit për të ikur në Tarshish, larg pranisë së ZOTIT. Kështu zbriti në Jafa, ku gjeti një anije që shkonte në Tarshish. Pagoi çmimin e caktuar dhe hipi në anije për të shkuar me ta larg pranisë së ZOTIT.” JONA 1:3
Shtegu i mosbindjes shkon gjithmonë për poshtë — domethënë, derisa të ndërhyjë Perëndia.
Në nxitim e sipër për t’iu larguar urdhërimit që i dha Zoti për t’u predikuar niniveasve një mesazh pendimi, Jona “zbriti në Jafa”, “[zbriti] në anije” dhe zbriti deri ku “toka mbylli shufrat e saj” pas tij, në barkun e peshkut të madh (Jona 2:7, theksimi i shtuar).
Kur Jonan e zuri gjumi poshtë kuvertës së anijes, teksa po përpiqej të largohej nga Perëndia, “ZOTI shpërtheu një erë të fortë në det… kështu që anija rrezikonte të shkallmohej” (1:4). Megjithatë, edhe pse gjendej në mes të stuhisë së tërbuar dhe përpjekjeve të palodhura të marinarëve që po thërrisnin, po këlthisnin, po luteshin dhe po hidhnin mallrat në det, Jona vazhdonte të flinte.
Si mund të ishte Jona kaq i drobitur? Me siguri, ai ishte i lodhur fizikisht dhe frymërisht nga vendimi i tij për të shkuar larg Perëndisë. Edhe pse mosbindja mund të jetë dehëse aty për aty — edhe pse mund të na japë një shpërthim energjie të çastshëm — në fund fare, ajo është gjithmonë drobitëse. Është e vështirë të gjuash me shkelm kundër hostenëve (Veprat e Apostujve 26:14). Zor se mund të përjetojmë ndonjë gjumë më të mjerueshëm dhe pa ngushëllim, sesa ai që vjen pas rebelimit tonë kundër një fjale të Perëndisë dhe nga dëshira që lind më pas, për t’u fshehur nga të gjithë, duke u tërhequr në privatësinë e shtratit tonë.
Jona donte që Perëndia ta linte rehat. Megjithatë, Perëndia ishte shumë i mëshirshëm për ta bërë këtë. Prandaj, Ai dërgoi një stuhi dhe stuhia e shtyu kapitenin e anijes që ta gjente Jonan dhe ta zgjonte. Kapiteni përdori të njëjtën fjalë që kishte thënë edhe Perëndia më herët, për ta thirrur Jonan që të predikonte: “Çohu, kërko Perëndinë tënd!” (Jona 1:6, theksimi i shtuar; krahaso me 1:2).
Atëherë, këtu shohim një tablo hezitimi të madh — jo vetëm hezitimin e Jonas për të bërë atë që i është thënë, por edhe hezitimin e Perëndisë për ta lënë shërbëtorin e Tij në brengosjen dhe mjerimin e mëkatit të tij. Tri ditët që Jona do t’i kalonte në barkun e peshkut të madh, dëshmojnë edhe më shumë në lidhje me këtë të vërtetë për Perëndinë. Edhe pse rebelimi i Jonas meritonte ndëshkim, Perëndia shumë shpejt do ta shpëtonte Jonan, që të mos vdiste në det, dhe do ta ripërtërinte atë, që ai t’i predikonte gjykimin dhe mëshirën popullit të Ninivesë.
Perëndia vjen vazhdimisht te ne, në mosbindjen tonë, duke mos qenë i gatshëm për të na lënë të dergjemi në mëkatin tonë. Edhe nëse i mbyllim veshët me gishta dhe hiqemi sikur nuk e dëgjojmë Atë, edhe nëse refuzojmë hapur që të bindemi, Perëndia i kërkon fëmijët e Tij endacakë. Ai na do aq shumë, saqë nuk do të na lërë të vazhdojmë me kokën tonë. Në mëkatin tonë, ne nuk mund t’ia kalojmë dot mëshirës së Perëndisë, i cili nuk do të na lërë kurrë dhe as nuk do të na braktisë.
