“…sepse jeni rilindur jo prej një fare të prishshme, por të paprishshme, nëpërmjet fjalës së gjallë të Perëndisë, dhe që mbetet. Ngaqë ‘çdo mish është si bari dhe çdo lavdi e tij është si lule bari;
bari u tha dhe lulja ra, por fjala e Zotit mbetet përjetë’…” I E PJETRIT 1:23-25
Ungjilli nuk është një nxitje për njerëz me qëllime të mira, që na fton t’i shtojmë pak fe jetës sonë. Fjala e Perëndisë vjen në zemrat rebele dhe kërkon bindje prej tyre. Kjo është një fjalë që i kthen të vdekurit në jetë.
Si realizohet kjo vepër? Vetëm nga Fryma e Perëndisë. Puna e Frymës është që të arrijë atë që nuk mund të bëhet në asnjë mënyrë tjetër dhe me asnjë mjet tjetër: të sjellë në ekzistencë jetë të re.
Prej natyre, ne të gjithë jemi rebelë ndaj Perëndisë. Askush nuk e kërkon Atë (Romakëve 3:11). Edhe nëse e quaj veten agnostik ose kërkues, ose mendjehapur, në realitet jam duke u rebeluar. Perëndia “tani i urdhëron njerëzit që, të gjithë, gjithandej, të pendohen” (Veprat e Apostujve 17:30). Perëndia i bën thirrje secilit prej nesh, që të bëjë një kthesë njëqind e tetëdhjetë gradë — të kthehet prerazi nga mëkati dhe rebelimi, dhe të vijë nën sundimin e Tij.
Nëse nuk ndodh një mrekulli, ne nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë. Në veten tonë, ne jemi të vdekur dhe pa asnjë shpresë për përjetësinë. Faleminderit Perëndisë, është vetë puna e Frymës së Tij që e kryen këtë mrekulli për ne. Jeta e re është diçka të cilën e arrin Perëndia, jo diçka të cilën e sajojmë ne. Fryma na bind për mëkat dhe na bind gjithashtu se Jezusi e ka trajtuar atë me vdekjen e Tij në kryq.
Shkrimi është absolutisht i qartë për këtë gjë: kur ishim të vdekur në mëkatet tona, neve na u dha jetë në Krishtin (Efesianëve 2:1-5). Fryma na bën të kuptojmë atë që ne vetë nuk jemi gati ta ballafaqojmë — domethënë, që kemi një problem të thellë dhe të përhapur, të cilin s’mund ta zgjidhim dot vetë. Kemi nevojë për një mrekulli. Pikërisht këtë bën Perëndia. Ai sjell në ekzistencë jetë të re. Ai na shpëton me anë të hirit të Tij.
Pjetri na kujton që gjithçka rreth nesh fishket njëlloj si bari dhe se të gjithë do të vdesim një ditë. Mirëpo ka një farë që prodhon atë që është e pavdekshme. Kjo farë që mbillet në ne nga Fryma dhe që do të rritet e do të lulëzojë për gjithë përjetësinë, është jeta e lindur sërish përmes ungjillit. Fjala e Perëndisë mbetet përjetë dhe po kështu ndodh edhe me atë që ka lindur në një jetë të re ndërkohë që Fryma punon përmes fjalës.
Sapo të na ketë ndodhur kjo, ne nuk e shohim më Biblën vetëm si një libër historik ose si një histori frymëzuese. Përmes punës së Frymës, Bibla bëhet një dritë që ndriçon jetën e vërtetë dhe sytë tanë hapen për të kuptuar se kush është Perëndia. Kjo është arsyeja pse e studiojmë Biblën: për ta parë dhe për ta njohur më mirë Atë që na ka shpëtuar dhe me të cilin do të kalojmë përjetësinë.
Prandaj, dashuria e Jezusit ju tërheqtë tek Ai! Gëzimi i Jezusit ju aftësoftë për t’i shërbyer Atij! Paqja dhe kënaqësia që vijnë nga njohja e Jezusit, ju dhënçin qëndrueshmëri dhe qartësi ndërsa reflektoni se ku keni qenë, mendoni se ku jeni dhe meditoni për faktin se ku po shkoni. Trupi juaj tokësor do të vdesë; por ju do të jetoni përjetë.
