“Dhe fjala e ZOTIT iu drejtua Jonas, birit të Amitait, duke thënë:
‘Çohu, shko në Ninive, qyteti i madh, dhe prediko kundër tij, sepse ligësia e tyre është ngjitur përpara meje’. Por Jona u ngrit për të ikur në Tarshish, larg pranisë së ZOTIT…” JONA 1:1-3
Perëndia kënaqet që t’i shpëtojë njerëzit.
Kur Perëndia e urdhëroi Jonan, shërbëtorin e Tij, të shkonte në Ninive dhe të predikonte kundër saj, për shkak të ligësisë së saj, profeti hezitues e dalloi që njerëzit mund të pendoheshin për udhët e tyre të liga dhe që Perëndia do të reagonte me mëshirë ndaj tyre (shih Jona 4:2). Ai e dinte se Perëndia është “Perëndi, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal paudhësinë, shkeljet dhe mëkatin, por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin” (Eksodi 34:6-7). Ai e dinte të vërtetën që Perëndia do të shpallte një ditë përmes Jeremias: “Nganjëherë për një komb dhe për një mbretëri unë flas dhe them se duhet çrrënjosur, rrëzuar dhe shkatërruar; por në rast se ai komb, kundër të cilit kam folur, heq dorë nga ligësia e vet, unë pendohem për të keqen që kisha menduar t’i bëja” (Jeremia 18:7-8).
Jona e dinte se zemra e Perëndisë është një zemër e mëshirshme — prandaj, ai nuk pranoi që t’i bindej urdhrit të Perëndisë. Pse?! Me sa duket, ai nuk i pëlqente njerëzit e Ninivesë, dhe me të drejtë, pasi niniveasit ishin paganë agresivë, mizorë dhe të dhunshëm, si dhe armiq të cilëve Izraeli u druhej. Jona nuk donte që Zoti t’i kursente ata — prandaj, më vonë, kur populli i Ninivesë e braktisi ligësinë e vet, “…kjo nuk i pëlqeu aspak Jonas, i cili u zemërua” (Jona 4:1). Jona mendonte se ata e meritonin gjykimin e Perëndisë. Ai kishte të drejtë! Por fatmirësisht, mënyrat se si Perëndia i trajton kombet, qytetet dhe individët nuk janë si mënyrat tona. Dëshira e Perëndisë është të tregojë mëshirë dhe jo të sjellë gjykim.
Dhembshuria e Perëndisë për Ninivenë është një kujtesë për ne, që Ai nuk dëshiron që ndokush të humbasë dhe se Ai kënaqet që t’i shpëtojë njerëzit, sidomos ata që duken se e meritojnë më pak këtë (II e Pjetrit 3:9). Jona donte të predikonte vetëm atje ku ai donte të predikonte dhe atyre që ai donte t’u predikonte. Mirëpo mesazhi i ungjillit është për cilindo, kudo. Sot lajmi i mirë i Jezusit nuk kufizohet vetëm për njerëzit “e mirë”, për njerëzit që duken dhe veprojnë si ne. Në të vërtetë, Jezusi i urdhëroi ndjekësit e Tij: “Shkoni… bëni dishepuj të gjitha kombet” (Mateu 28:19, theksimi i shtuar).
Ç’mëshirë e pamasë! Perëndia është pasionant në kërkimin e Tij të njerëzve krenarë, kokëfortë dhe rebelë — njerëz njëlloj si unë dhe si ju. Ai na thërret për të qenë të zellshëm, që t’i “shpëtojmë ata që po humbasin, të kujdesemi për ata që po vdesin” dhe t’u “tregojmë për Jezusin që ka pushtet për t’i shpëtuar”. Perëndia triun dëshiron t’i shpëtojë njerëzit mëkatarë — Ai e dëshiron shpëtimin e tyre aq shumë, sa erdhi të vdiste për t’i shpëtuar. A ke edhe ti një zemër si e Tija? Nëse po, do ta dëshirosh shpëtimin e njerëzve përreth teje — kushdo qofshin ata dhe pavarësisht se çfarë mund të kenë bërë — aq sa të shkosh dhe t’u tregosh për Krishtin.
