Një ringjallje e pashoqe

Gusht 2026


E diela e Pashkës shënon lëvizjen nga përulja në lartësim në veprën e Krishtit. Gjatë shërbesës së tij në tokë, Jezusi e parashikoi shpeshherë ringjalljen e tij, duke e shpallur veten si ringjallja dhe jeta (Gjoni 11:25) dhe duke shpallur se do ta jepte jetën e tij për ta marrë përsëri (10:18; krahasoni me 2:19-21). Jezu Krishti u ringjall përmes fuqisë së tij.

Mirëpo nuk ishte vetëm fuqia e tij. Shpeshherë ringjallja përshkruhet si fuqia e Perëndisë (Veprat e Apostujve 2:24, 32; 3:26; 5:30; I Korintasve 6:14; Efesianëve 1:20) ose më specifikisht si fuqia e Perëndisë Atë (Romakëve 6:4; Galatasve 1:1). Po ashtu, si vepër e Frymës që nënkuptohet te Romakëve 1:4 (“...u caktua Bir i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës…”) dhe Romakëve 8:11 (“...Fryma i atij që ngjalli Jezusin prej të vdekurve…”). Ringjallja ndodhi bazuar në veprën e secilit person të Trinisë.

Është e rëndësishme të themi se ringjallja e Krishtit ishte shumë më tepër sesa thjesht një rikthim në jetë. Jezusi riktheu disa persona në jetë (për shembull, një djalosh, të bijën e Jairit, Llazarin). Mirëpo asnjë prej këtyre “ringjalljeve” nuk shënoi një pikë kthese në histori. Duhet të bëjmë pyetjen: çfarë e dallon ringjalljen e Krishtit nga të tjerat, aq sa ai të quhet fryti i parë i atyre që kanë fjetur (I Korintasve 15:20) dhe i parëlinduri prej të vdekurve (Kolosianëve 1:18; Zbulesa 1:5)?

Gjashtë pika.

  1. Trupi i Krishtit u ringjall i paprishshëm. Jezusi nuk do të vdesë më. Trupi i tij pësoi një ndryshim shenjues (pra, dishepujt nuk e njohën gjatë rrugës për në Emaus). Trupi i ringjallur i Krishtit mund të kalonte përtej mureve dhe të shfaqej e të zhdukej në mënyrë të mistershme. Trupi i tij nuk ishte jomaterial, mirëpo natyra fizike e Krishtit ishte përshtatur përsosurisht për përdorim frymëror.
  2. Përmes ringjalljes, Krishti u bë frymë që bën të gjallë (I Korintasve 15:45). I risjellë në jetë, ai tashmë mund t’u jepte Frymën e Shenjtë dishepujve të tij.
  3. Duke përmbushur kremtimet e Izraelit përmes vdekjes dhe ringjalljes së tij (Levitiku 25), Krishti u bë fryti i parë i atyre që kanë fjetur (I Korintasve 15:20) dhe i parëlinduri prej të vdekurve (Kolosianëve 1:18; Zbulesa 1:5). Shpeshherë ringjallja e Jezusit përmendet si shembull për atë që e pret çdo anëtar të trupit të Krishtit (Romakëve 6:4-9; 8:11; I Korintasve 6:14; 15:20-22; II Korintasve 4:10-14; Kolosianëve 2:12; I Selanikasve 4:14).
  4. Ringjallja nënkuptonte përmbushjen e veprës ndërmjetësuese të Krishtit në tokë. Krishti “...u caktua Bir i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë, prej ringjalljes nga të vdekurit…” (Romakëve 1:4).
  5. Përmes ringjalljes, Krishti triumfoi mbi vdekjen. Vëreni me kujdes fjalët e përdorura te Veprat e Apostujve 2:24: “Atë e ringjalli Perëndia duke e zgjidhur prej dhimbjeve të mëdha të vdekjes, për shkak se nuk ishte e mundur që ai të mbahej nga ajo.” Varri nuk e mbante dot Birin e Perëndisë, sepse nuk kishte pushtet mbi të. Paga e mëkatit është vdekja, mirëpo kur mëkati shlyhet, nuk ka më detyrim për t’u paguar ndaj tij. Ringjallja shpalli se vepra e Krishtit për mëkatarët ishte kryer, e se nuk kishte mbetur më asgjë për t’u paguar.
  6. Në fund, ringjallja na tregon se drejtësia e Perëndisë u përmbush. Romakëve 4:25 thotë se Krishti u ngjall për drejtësimin tonë. Ashtu si një i dënuar që lirohet nga burgu pasi ka përfunduar dënimin, ringjallja dëshmon se kërkesat penale dhe përshkruese të ligjit janë përmbushur. Jezusi jeton, kështu që edhe ne mund të jetojmë.

Marrë nga libri Daily Doctrine i Kevin DeYoung-ut © 2024, f. 205.
Përdorur me leje nga Crossway, një shërbesë botimi e Good News Publishers, Wheaton, IL 60187, www.crossway.org.

Kevin DeYoung është pastori kryesor i kishës “Christ Covenant” (PCA) në Matthews, North Carolina dhe profesor i asociuar i teologjisë sistematike në Reformed Theological Seminary.


Botuar me lejehttps://clearlyreformed.org/a-resurrection-like-no-other

Përktheu: Sara Jaupllari | Redaktoi: Lea Allkoja

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2026 


Etiketa

Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
7 gusht – Kemi nevojë për një mrekulli
6 gusht – Përçarja e madhe
4 gusht – Nuk ka asnjë vend ideal