Shkurt 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...
Iain Duguid
1. Libri i Numrave nuk është thjesht një libër numrash.
Titulli hebraik i këtij libri është “Në shkretëtirë”, i cili është një titull më përshkrues dhe tërheqës se sa ai i yni. Libri përshkruan përvojën e Izraelit që nga çasti kur u larguan nga Mali Sinai pas daljes së tyre nga Egjipti dhe derisa arritën në kufijtë e Tokës së Premtuar. Izraelit i mjaftonin vetëm pak javë për ta përshkruar distancën nga Sinai në Kanaan. Problemi ishte se ata dërguan dymbëdhjetë spiunë për të vëzhguar Kanaanin dhe shumica prej tyre u kthyen me lajme të këqija: banorët e tokës ishin shumë të gjatë dhe qytetet e tyre ishin të mirëfortifikuara. Nuk kishte asnjë shans që izraelitët të ngadhënjenin mbi ta (Numrat 13–14). Jozueu dhe Kalebi dhanë lajme të ndryshme, duke theksuar se në qoftë se Perëndia luftonte për Izraelin ata me siguri do ta pushtonin Kanaanin, por qëndrimi i pakicës i shprehur prej tyre, u hodh poshtë. Për pasojë, Zoti e dënoi popullin që të endej nëpër shkretëtirë për dyzet vitet e ardhshme, derisa të vdisnin të gjithë të rriturit. Vetëm atëherë do t’ia dilnin që të hynin në Kanaan dhe të merrnin atë që Ai u ishte premtuar.
2. Numri më i rëndësishëm në librin e Numrave është dyshi.
Ka shumë numra në librin e Numrave, si dhe lista të gjata njerëzish në dy regjistrime të ndryshme (Numrat 1; 26). Mund të humbësh lehtësisht nëpër listat e emrave dhe numrave, të cilat mund të jenë po aq të palexueshme sa statistikat sportive për një person që nuk është tifoz sportesh apo sa bilancet financiare për një person që nuk është llogaritar. Mirëpo, që të gjitha ato e kanë një rol për të luajtur në rrëfimin e historive të viteve të kaluara në shkretëtirë të Izraelit.
Numri më i rëndësishëm në këtë libër është dyshi, domethënë dy breza. Libri i Numrave flet për një brez mosbesues që nuk pati besim te Zoti dhe për këtë, pagoi duke u endur për një jetë të tërë nëpër shkretëtirë. Brez ky që u ndoq nga një brez i ri, që ishte gati të hynte në Tokën e Premtuar. A do të ishte brezi i ri i ngjashëm me prindërit e tyre dhe a do t’i jepeshin edhe ata mosbesimit? Apo do të ndiqnin rrugën e re të besimit në Zotin dhe do të merrnin në zotërim tokën që Perëndia i kishte premtuar patriarkëve? Shenjat ishin të mira, me disa fitore fillestare mbi kanaanenjtë (për shembull, Numrat 21), mirëpo asgjë nuk kishte përfunduar ende. Kjo gjë bën që historitë e rrëfyera në këtë libër të na sfidojnë edhe neve gjithashtu: po ne cilit brez i përkasim, popullit të mosbesimit, kufomat e të cilëve mbetën të shpërndara sa andej-këndej në shkretëtirë, apo popullit të besimit, të cilët do të ecnin me ngulm përpara për të trashëguar Tokën e Premtuar (shih Hebrenjve 3:7–19)?
3. Numri i dytë më i rëndësishëm në këtë libër është dyzet e dyshi.
Në pamje të parë, Numrat 33 duket si një humbje e plotë kohe: një listë e gjatë emrash të vendeve ku Izraeli fushoi në shkretëtirë. E pra, vetë Zoti e urdhëroi Moisiun që ta hidhte në letër atë listë (Numrat 33:2), kështu që ajo duhet të jetë doemos e rëndësishme. Dhe në qoftë se libri është vërtet rreth kohës së Izraelit në shkretëtirë, lista e vendfushimeve merr një domethënie të re. Së pari, shumë prej toponimeve të renditura në këtë kapitull janë vende ku Zoti siguroi për popullin e Tij në një mënyrë të jashtëzakonshme. Këto janë vendet që kanë secili prej tyre një shënim për ta kujtuar Izraelin në lidhje me atë që kishte bërë Zoti për ta: Ramsesi, vendi prej të cilit izraelitët dolën në mënyrë ngadhënjimtare (Numrat 33:3), Pi-Hahirothi, aty ku Zoti ndau detin (Numrat 33:8), Elimi, oaza ku kishte dymbëdhjetë burime uji dhe shtatëdhjetë palma (Numrat 33:9). Këto ishin vende për të na kujtuar besnikërinë e Perëndisë.
Lloji i dytë i toponimeve kishte të bënte me vendet ku Izraeli ngriti krye kundër Zotit: Mara, shkretëtira e Sinit, Refidimi e kështu me radhë. Megjithatë, asnjë prej këtyre dështimeve nuk përmenden në këtë itinerar: duket sikur Zoti i ka harruar ato plotësisht (shih Psalmi 130:3–4). Këto vende na kujtojnë harresën e hirshme të Perëndisë.
Lloji i tretë i toponimeve janë vende ku nuk ndodhi asgjë, të paktën aq sa dimë ne. Disa prej këtyre vendeve nuk përmenden askund tjetër veç Pesëlibërshit, por ato janë përfshirë në këtë listë për të na kujtuar se jeta jonë nuk është një varg fitoresh dhe dështimesh frymërore; edhe ditët e tjera janë të rëndësishme gjithashtu, kur ne vazhdojmë të bëjmë gjërat e zakonshme të jetës së përditshme: shkojmë në punë, përkujdesemi për fëmijët, kositim barin apo lajmë rrobat.
Rëndësia e këtyre ditëve rutinë theksohet prej faktit që lista e plotë e vendfushimeve të Numrave 33 përfshin plot dyzet e dy të tilla. Lista nuk është gjithëpërfshirëse (me siguri Izraeli fushoi edhe në vende të tjera) dhe as nuk është një përmbledhje e vendeve më të rëndësishme, kështu që numri dyzet e dy është zgjedhur me dashje. Përse vallë? Për shkak se është gjashtë shumëzuar për shtatë. Me fjalë të tjera, në fund të listës dhe në fund të librit të Numrave, Izraeli është në kufi të shtatëshes së shtatë, shabatit të prehjes, i cili simbolizohej prej hyrjes në Tokën e Premtuar.
Askush nuk e di se në cilën pjesë të listës sonë vetjake të vendfushimeve të shkretëtirës mund të jemi. Disa prej nesh, mbase kemi edhe shumë rrugë deri në vendfushimin e dyzet e dytë. Mirëpo, të gjithë duhet të besojmë fort se Zoti Jezus e ka hapur besnikërisht shtegun më të përsosur përmes shkretëtirës për ne dhe në vendin tonë, dhe se tani Ai ecën përmes saj në krahun tonë, duke na kujtuar besnikërinë e Zotit dhe harresën e Tij. Sa herë që është e nevojshme, Ai na merr në krahë dhe na mban si Bariu i Mirë që është, duke na sjellë në trashëgiminë qiellore drejt së cilës Toka e Premtuar e drejtonte Izraelin.
Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-numbers
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025