25 Shtator 2026

“…Falni e do të faleni. Jepni e do t’ju jepet…” LUKA 6:37-38

Asgjë nuk i prish zemrat dhe mënyrën tonë të të menduarit më shpejt sesa një zemër mosfalëse. Mirëpo edhe e kundërta e kësaj është e vërtetë: asgjë tjetër nuk na jep liri, gëzim dhe paqe në zemër e në mendje më shpejt sesa përjetimi i vërtetë i ofrimit të faljes. Në fakt, gatishmëria jonë për të falur është prova që tregon gjendjen tonë frymërore; kur falim me zemër, ne japim prova që me të vërtetë jemi bij dhe bija të Shumë të Lartit (Luka 6:35).

Faktin që jemi falur, shpesh Jezusi e vendos krah për krah me gatishmërinë tonë për të falur njëri-tjetrin (shih Luka 11:4). Prandaj, kur mendojmë në lidhje me praktikimin e faljes, së pari, ne duhet të pyesim se ku mund ta gjejmë atë. Përgjigjja është që burimi i gjithë faljes së vërtetë gjendet vetëm në Perëndinë. Në fakt, falja buron nga bollëku i mëshirës së Perëndisë.

Ajo falje është e pazëvendësueshme për jetën dhe shëndetin e shpirtit tonë, ashtu siç është edhe ushqimi për trupat tanë fizikë. Shkrimi është i mbushur me shenja që na drejtojnë te Perëndia i cili fal. Psalmisti thotë: “Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o ZOT, kush do të mund të qëndronte, o Zot? Por te ti ka falje…” (Psalmi 130:3-4). Në mënyrë të ngjashme, profeti Daniel thotë: “Zotit, Perëndisë tonë, i përkasin mëshira dhe falja…” (Danieli 9:9). Biri hyjnor i Perëndisë, ndërsa e pështynë dhe e tallën, e zhveshën, e rrahën, e gozhduan në kryq mes dy kriminelëve dhe e braktisën në agoni, shpalli: “…O Atë, fali ata…” (Luka 23:34). Fryma falëse e Perëndisë nuk ka asnjë rival.

Si fëmijë të Perëndisë me anë të besimit në Krishtin, ne duhet ta imitojmë Atin dhe Zotin tonë duke praktikuar faljen. Ajo është pjesë aq e qenësishme e jetës së të krishterit të vërtetë, saqë edhe Jezusi thotë se, nëse nuk jemi të gatshëm të falim, atëherë duhet ta pyesim veten tonë me shumë seriozitet nëse jemi me të vërtetë të falur: domethënë, nëse e kemi përkapur me të vërtetë ungjillin në zemrat tona (shih Mateu 6:14-15). Nëse po ruan mosfalje në zemrën tënde, mos e justifiko dhe as mos e zvogëlo atë. Përkundrazi, aty sille ungjillin. Reflekto se sa shumë të është falur përmes Krishtit. Mendo thellë për natyrën falëse të Atit tënd, të cilin je thirrur që ta reflektosh në jetën tënde. Dalloje barrën korruptuese dhe jetështeruese të mosfaljes. Përcakto qartë se çfarë duhet të bësh dhe për kë duhet ta bësh. Ky është shtegu për të shijuar paqen dhe lirinë e faljes ashtu sikurse je falur.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

LUKA 7:36-50