“Si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘O vëlla, më lër ta nxjerr ciflën që ke në syrin tënd’, kur ti vetë nuk sheh trarin në syrin tënd? Hipokrit! Nxirr së pari trarin prej syrit tënd dhe atëherë do të shohësh qartë për të nxjerrë ciflën që është në syrin e vëllait tënd.” LUKA 6:42
Më kujtohet një rast kur isha i ulur në bankë për një provim. E ktheva fletën e provimit dhe menjëherë nisa të shihja përreth, për të parë nëse gjithë të tjerët ndiheshin po aq keq sa edhe unë në lidhje me pyetjen e parë. Pastaj u tremba nga udhëzimi i mësuesit: “Mos u shqetëso për të parë të tjerët. Thjesht përqendrohu te vetja!”.
Jezusi thekson një pikë të ngjashme në këtë varg, duke përdorur një metaforë të goditur për t’i udhëzuar dëgjuesit e Tij që, përpara se të provonin të vinin në dukje mëkatin e të tjerëve, të trajtonin mëkatin e tyre. Fjala që Jezusi përdor për “cifël”, shpesh përshkruan copëza shumë të vogla kashte ose druri. Ndryshe nga kjo, fjala për “tra” i referohet trarit që mban peshën në strukturën e shtëpisë. Nëse kam një tra në syrin tim, pa dyshim që ai kërkon vëmendjen time më shumë sesa cifla në syrin e dikujt tjetër.
Si krijesa të rëna, ne kemi prirjen për të menduar se është përgjegjësia jonë që të merremi me gjendjen frymërore të çdo njeriu tjetër përpara se të trajtojmë tonën. Megjithatë, Krishti nuk na ka thirrur që më së pari të shqetësohemi për ciflat e të tjerëve. Jo, Ai thotë se duhet të tregohemi të zellshëm në shqyrtimin e vetes sonë nën dritën e Shkrimit dhe të standardit që Ai ka vendosur.
Udhëzimi i Jezusit na ballafaqon me një sfidë të madhe. Ndonjëherë, ne mund t’i vëmë në dukje gabimet e të tjerëve nën petkun e kujdesit për gjendjen e tyre frymërore. Mirëpo nëse nuk tregohemi së pari të sinqertë dhe të pamëshirshëm me mëkatet tona, atëherë po tregohemi hipokritë! Shpesh biem pre e idesë së gabuar që nëse mund ta zbuloj mangësinë tënde dhe ta trajtoj atë, atëherë nuk do të më duhet të trajtoj problemet e mia. Është shumë herë më e kënaqshme që t’i tregojmë dikujt tjetër për gjendjen e tij të tmerrshme, sesa të përballemi me tonën.
Prandaj, nëse duam t’i ndihmojmë me të vërtetë të tjerët, duhet që së pari të jemi gati të ballafaqohemi me pamjen e tmerrshme të zemrave tona — të pranojmë bashkë me Robert Murray M’Cheyne-in që “farat e të gjitha mëkateve janë në zemrën time”. Kur ta kuptojmë dhe ta besojmë këtë, atëherë do të ndodhë që, kur t’u qasemi të tjerëve, do të zëmë pozitën e përulur të dashurisë dhe të përulësisë së vërtetë dhe jo pozitën e lartë të gjykimit. Këto dy këndvështrime janë krejt të ndryshme.
