27 Shtator 2026

“Se nuk ka pemë të mirë që bën frutë të kalbur dhe, gjithashtu, as pemë të kalbur që bën frutë të mirë. Njëmend, secila pemë njihet prej frutës së vet…” LUKA 6:43-44

Studentët gjithmonë do ta reflektojnë udhëzimin e mësuesit të tyre. Pavarësisht se sa shumë mund të shkëlqejë një student përtej aftësive të mësuesit të tij ose të saj, ai gjithmonë do t’i jetë borxhli për udhëzimin që mori prej tij.

Kur Jezusi foli në lidhje me pemët dhe frutat e tyre, e bëri këtë duke pasur në mendje udhëheqësit frymërorë të kohës së Tij. Duke theksuar atë që po thoshte, Ai dha një paralajmërim: domethënë, të mos zgjedhim mësuesin e gabuar. Si duhet ta bëjmë dallimin mes mësuesve të mirë dhe atyre të këqij? Jezusi thotë se mund ta bëjmë këtë duke parë frytet e tyre — rezultatet që ndjekin mësimet dhe veprimet e tyre.

Ne duhet ta mendojmë frytin në lidhje me karakterin e mësuesit — dhe karakteri nuk mund të provohet duke matur elokuencën ose dhuntinë. Përkundrazi, kur Jezusi dha udhë­zime në lidhje me hardhinë dhe shermendet, Ai po thoshte se frytshmëria është e njëjtë me ngjashmërinë me Krishtin (Gjoni 15:1-8). Çdo pemë njihet nga fruta e vet; prandaj, fryti i Frymës — dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëpër­mbajtja (Galatasve 5:22-23) — do të jetë i dukshëm në jetën e një mësuesi të mirë.

Duhet të shqyrtojmë edhe përmbajtjen e udhëzimit të mësuesit. Pali e trajtoi këtë çështje kur i shkroi Timoteut, nxënësit të tij pastoral, dhe i tha: “Ji i vëmendshëm ndaj vetes sate”, domethënë, ndaj karakterit të tij, “dhe mësimit” (I Timoteut 4:16). Jo çdokush që vjen me një Bibël ka në zemër më të mirën për dëgjuesin. Jo kushdo që e përmend emrin e Krishtit është një mësues i vërtetë i fjalës së Perëndisë. Mësuesit e rremë janë të shumtë. Prandaj, është e domosdoshme që si besimtarë të mësojmë nga Bibla jo vetëm për t’u rritur në shenjtëri, por edhe për të qenë në gjendje të dallojmë doktrinën e shëndoshë, e cila është shenja e një mësuesi të perëndishëm. Për më tepër, mund të marrim ngushëllim nga Fryma e Shenjtë që banon brenda nesh, i cili na mëson për gjithçka dhe na aftëson për të bërë dallimin mes së vërtetës dhe gënjeshtrës (shih I e Gjonit 2:27).

Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes karakterit të një mësuesi dhe përmbajtjes së mësimit të tij, si dhe ndikimit që ai ushtron mbi ata që mëson. Prandaj, tregohuni të mençur kur i zgjidhni mësuesit dhe mentorët tuaj frymërorë. Mos shikoni vetëm dhuntitë e tyre të të folurit apo lidhjet që kanë me kulturën, sigurinë apo humorin e tyre, por shihni karakterin e tyre dhe përmbajtjen e mësimit të tyre. Nuk ka pikë dyshimi që ju do t’i tregoni botës frytin e mësimit që merrni. Çfarë do të zbulojnë njerëzit kur të vijnë afër jush? A do të shohin gjykim, hidhësi, krenari apo vetëdrejtësi? Mos vallë do të ndiejnë plogështi dhe mungesë bindjesh të qarta? Apo do të shijojnë frytin e ëmbël të gëzimit, paqes, dashurisë dhe drejtësisë?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

II TIMOTEUT 2:15-16