“Dhe mos gjykoni e nuk do të gjykoheni aspak; dhe mos dënoni e nuk do të dënoheni aspak…” LUKA 6:37
Arsyeja pse ndonjëherë mendojmë se kemi të drejtë ta dënojmë dikë tjetër, është se kjo i pëlqen natyrës sonë mëkatare. Nëse tregohemi të sinqertë, në çastin që zëmë një pozitë udhëheqjeje ose autoriteti, qoftë ajo e vogël, qoftë e madhe, është tronditës fakti se sa shpejt përballemi me tundimin për të dënuar, në vend që të tregojmë mëshirë.
Ne duhet të mbajmë mend që nuk jemi të kualifikuar për të dënuar. Pse? Sepse nuk mund ta shohim dot zemrën e dikujt tjetër. Ne nuk jemi në gjendje për t’i vlerësuar saktë motivet e dikujt tjetër. Vetëm Perëndia mund të thotë: “…unë jam ai që heton veshkat dhe zemrat; dhe do t’ju jap secilit nga ju sipas veprave tuaja” (Zbulesa 2:23). Përderisa ju dhe unë nuk jemi Perëndi, atëherë nuk duhet të dënojmë.
Një nga mënyrat se sa shpejt dhe lehtë e shpërfillim urdhërimin që na jep Jezusi këtu, është me gjuhën tonë; ne shpallim dënim duke thënë gjëra që e prishin reputacionin e dikujt tjetër. Madje, në qarqet e krishtera, mund të dëgjojmë mënyra të zgjuara për ta bërë shpifjen të tingëllojë si një kërkesë për lutje ose si shqetësim — mirëpo, në të vërtetë, në gjysmën e kohës ne ndiejmë kënaqësi kur themi: “A e dëgjove se çfarë i ndodhi asaj? E di si e ka punën ai? E di pse e bënë atë gjë?”. Fryma e fariseut — fryma e dënimit të të tjerëve për ta nxjerrë veten tonë në një dritë më të mirë në krahasim me ta — është ende e gjallë dhe vepruese mes besimtarëve.
Prandaj, ne duhet të kemi shumë kujdes për mënyrën se si i përdorim fjalët tona. Në vend që t’i përdorim buzët tona për të dënuar, ne duhet t’i kërkojmë Frymës së Shenjtë që të na aftësojë për të shqiptuar fjalë jete. Para se ta hapim gojën, ne duhet t’i vëmë veshin këshillës së Amy Carmichael-it dhe të pyesim: A tregon dashuri ajo që jam gati të them? A është e vërtetë? A është e nevojshme? Shkrimi tregohet jashtëzakonisht i qartë për këtë pikë. Në fakt, Libri i Fjalëve të Urta na mëson se “Goja e budallait është shkatërrimi i tij dhe buzët e tij janë një lak për jetën e tij”, por “…ai që ka një frymë besnike mbulon çfarë i është thënë” (Fjalët e Urta 18:7; 11:13).
Në Jezusin kemi një Shpëtimtar, gjaku i të cilit na pastron nga mëkati i çdo fjale të shkujdesur dhe i çdo komenti dënues — kemi një Shpëtimtar i cili na fal për prirjen tonë të mëkatshme që shfaqet në zemrat tona dhe përpiqet të luajë një rol në ato gjëra që i përkasin vetëm Perëndisë. Nën dritën e kësaj, ne kemi nevojë që të pendohemi çdo ditë për mëkatet e buzëve tona dhe t’i kërkojmë Frymës të na japë një dëshirë të përtërirë, që t’i bëjmë si fjalët e gojës sonë, ashtu edhe përsiatjet e zemrës sonë, të pranueshme përpara Atit tonë (Psalmi 19:14).
