T’ia predikosh ungjillin vetes

Korrik 2021


Ka siguri të madhe në shpëtimin e Zotit. Perëndia na zgjodhi në Krishtin para themelimit të botës, dhe vendimi i Tij është akoma në fuqi. Fryma e Shenjtë na ka rilindur, dhe nuk ka asnjë mënyrë me të cilën ne mund të shkatërrojmë jetën që Ai na ka dhënë. Çdo besimtar është kryqëzuar me Krishtin, dhe askund në Shkrime nuk na tregohet ndonjë mënyrë me të cilën mund ta çkryqëzojmë. Kushdo ka besuar në Jezu Krishtin është drejtësuar, dhe asnjë vepër e njeriut apo Satanit nuk mund të kthejë verdiktin e Perëndisë. Jezusi ushtron kujdes sovran mbi të gjithë popullin e Tij. Ata që janë në duart e Tij nuk mund të hiqen. Prapëseprapë, pavarësisht sigurisë së shpëtimit dhe faktit që qëndrojmë përpara Perëndisë përmes Jezu Krishtit, ne mund të përfundojmë në telashe kur largohemi nga shpresa e ungjillit. 

Sigurisht që largohemi. Ndërsa largimi mund të ndodhë për shkak të dhënies ndaj imoralitetit, ai më së shumti maskohet si një lloj krishterimi. Për shumë njerëz, jeta e krishterë drejtohet nga saktësia doktrinale. Me të drejtë e vlerësojmë trashëgiminë e rrëfimit të besimit dhe kuptojmë rëndësinë e teologjisë së fortë, por ky mund të bëhet qëllimi i përpjekjeve tona, ndërkohë që nuk do të arrijmë të kuptojmë lidhjen mes teologjisë dhe ungjillit. Shpeshherë njohuria “krekos” dhe kjo krenari na bën të gjejmë sigurinë në rrëfimin që kemi bërë kur besuam, dhe jo në ungjill. Disa të krishterë e bazojnë jetën e tyre shpirtërore tek emocionet—trazirat e zemrës që shpesh lidhen me të vërtetat e thella të Perëndisë. Por ndërsa të vërtetat e Perëndisë janë të pandryshueshme, përvoja jonë kundrejt tyre ndryshon. Dhe kur nuk ka ndjenja, besimi ynë kalon në krizë. Për të gjetur siguri në emocionet tona, ne largohemi nga ajo që duhet të jetë shpresa jonë e vetme në jetë dhe vdekje. Shumë prej nesh shpërqendrohemi nga ungjilli dhe fokusohemi te veprat tona dhe sa mirë jemi shpirtërisht. Duke e matur veten me standarde të vetvendosura, mendojmë se jemi të fortë ose të dobët, dhe në çdo rast zgjidhjen përpiqemi ta gjejmë duke bërë më të mirën tonë, sesa ta gjejmë në veprën e Krishtit.

Në thelb, ungjilli harrohet kur nuk vepron si shpresë e vazhdueshme dhe siguri para Perëndisë, ose kur nuk është më thelbësor në jetën praktike dhe të përditshme të një të krishteri. Ungjilli që ne shpesh harrojmë duhet rikujtuar dhe rishpallur për sigurinë e shpirtrave tanë, dhe kjo bëhet duke ia predikuar atë vetes.

T’ia predikojmë ungjillin vetes do të thotë t’i themi vetes të kthehet te Krishti për falje, pastrim, fuqizim dhe qëllim. Do të thotë t’i japësh përgjigje dyshimeve dhe frikërave përmes premtimeve të Perëndisë. A më dënojnë mëkatet e mia? Jezusi i ka mbuluar të gjitha me gjakun e Tij. A dështoj në veprat e mia? Drejtësia e Jezusit llogaritet edhe si e imja. A po veprojnë bota, djalli dhe vetë mishi im kundër meje? As edhe një fije floku nuk mund të bjerë nga koka ime nëse nuk është vullneti i Atit në qiell, dhe Ai ka premtuar se do të kujdeset për mua dhe do të më mbajë përgjithmonë. A mund të mohoj veten, të mbaj kryqin tim dhe të ndjek Jezusin? Po, sepse Perëndia po punon në mua, po plotëson vullnetin e Tij në mua për kënaqësinë e Tij. Kjo është t’i predikojmë vetes tonë.

Ky predikim privat dhe personal mund të ndodhë vetëm kur e njohim dhe e besojmë Fjalën e Perëndisë; kur ligji i Perëndisë nxjerr në dritë mëkatin dhe pafuqinë tonë, dhe hiri i Tij e mbulon atë mëkat dhe ngadhënjen mbi dobësitë tona. T’ia predikojmë ungjillin vetes nuk është thjesht të studiojmë Biblën (megjithëse mund t’i predikojmë vetes edhe gjatë këtij procesi), por do të thotë që t’ia kujtojmë vazhdimisht vetes të besojë në premtimet e Perëndisë në Jezusin, Birin e Tij.

Ne i predikojmë vetes përmes disiplinës së lutjes dhe meditimit të Shkrimit. Ndërsa lutemi, ne shikojmë drejt Perëndisë që në hirin e Tij të plotësojë nevojat tona, dhe përmes këtij veprimi ne ushtrojmë besimin. Gjatë ekspozimit të Lutjes së Zotit, Thomas Manton tha: “Lutja… është t’i predikosh vetes,teksa Perëndia dëgjon. Ne flasim me Perëndinë që të ngrohemi, jo për ta informuar Atë, por për t’u ndërtuar vetë.” Premtimet e ungjillit në Fjalën e Perëndisë na drejtojnë në lutje, duke na çuar në sigurinë e shërbesës dhe sakrificës së Jezusit. Përmes meditimit, ne i kujtojmë vetes ungjillin; përmes lutjes ne shpallin ungjillin si shpresa jonë e madhe.

Shumë prej nesh kanë nevojë të rizbulojnë ungjillin. Dhe një ripërtëritje e tillë është nevojë e përditshme, sepse kjo nevojë e jona është e përhershme, dhe zemrat tona janë të prirura të largohen. Por ripërtëritja e ungjilli ndodh vetëm kur ne ndiejmë peshën e mëkateve tona, dobësinë e mishit tonë, dhe brishtësinë e besimit tonë. Kjo do të thotë se vetëm ata që e dinë se janë mëkatarë të pavlerë dhe se Fjala e Perëndisë është e vërtetë do ta shohin ungjillin jo thjesht si lajm të mirë, por si lajm të mirë për shpirtin e tyre.

Pastor Joe Thorn është pastori themelues dhe drejtues i Bashkësisë së Ripërtërirë në St.Charles, Ilinois, dhe drejtues i transmetimit Doktrina dhe Përkushtimi. Ai është autor i disa librave, përfshirë Note to Self dhe The Heart of the church.

Kategoria: Ungjilli
Burimi: https://tabletalkmagazine.com/article/2015/01/preaching-gospel-yourself/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

©️ dritez.al 2021

EtiketaTable Talk, Ungjilli

Postime të ngjashme