Paqja

Korrik 2021                                                 Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Na siguro paqe

Në një botë të rrëmujshme, me mëkat dhe vuajtje, i vetmi pushim i vërtetë dhe i qëndrueshëm që besimtarët mund të gjejnë, na është dhënë nga Perëndia i paqes. Inkurajohu nga këto vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

Isaia 26:3

Mendjes që pushon te ti,
ti i ruan një paqe të përsosur,
sepse kjo ka besim te ti.

Paqja që përshkruhet këtu është fillimisht paqja e përbashkët e qytetit (Isaia 26:1) dhe e kombit (Isaia 26:2) që vjen nga “dora e Zotit” (Isaia 25:10); por është gjithashtu paqja individuale e personit, mendja e të cilit pushon në Perëndinë. Burimi i një paqeje të tillë është Perëndia i drejtë, sovran dhe shpëtues (Isaia 25:9), i cili “do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen” dhe “do të thajë” çdo lot (Isaia 25:8; krahaso me Zbulesa 21:4), dhe Ai është i vetmi që meriton besim.

Gjoni 14:27

Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.

Shprehja paqe (hebraisht shalom) pati një konotacion shumë më të thellë se fjala shqip, sepse nuk nënkuptonte vetëm mungesën e konfliktit dhe shqetësimeve, por gjithashtu edhe bekimin pozitiv, veçanërisht në lidhje me marrëdhënien e duhur me Perëndinë (p.sh., Numrat 6:24–26; krahaso me Psalmi 29:11; Hagai 2:9, dhe gjithashtu, si rezultat, ideja se “gjithçka është mirë” në jetën e dikujt). Kjo mund të manifestohet më qartësisht midis përndjekjeve dhe mundimeve; shih gjithashtu Gjoni 15:18–19; Gjoni 16:33.

Gjoni 16:31–33

Jezusi u përgjigj atyre: ''A besoni tani? Ja, po vjen ora, madje tashmë ka ardhur, në të cilën ju do të shpërndaheni, secili për punë të vet, dhe do të më lini vetëm; por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua. Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!''

Midis vuajtjeve dhe mundimeve që do të vinin, dishepujt e Jezusit dhe të gjithë ata pas tyre, mund të kenë një “paqe” të tillë në bashkësinë e tyre me Krishtin. Po ashtu, biseda e lamtumirës së Jezusit me dishepujt (Gjoni 13:31–16:33) përfundon me një shprehje triumfuese (krahaso me 1 e Gjonit 2:13–14; 4:4; 5:5–5).

Filipianëve 4:6–7

Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.

Pali thekson mësimet e Jezusit gjatë Predikimit në Mal (shih Mateu 6:25–34) duke thënë se besimtarët nuk duhet të shqetësohen, por ta besojnë veten në duart e Atit të tyre qiellor, paqja e të cilit do t’i ruajë në Krishtin Jezus. Përdorimi i fjalës “ruajë” nga Pali mund të reflektojë vetë burgosjen e tij ose statusin e Filipisë si koloni romake me një gardë ushtarake. Cilido qoftë rasti, nuk ishin ushtarët romakë që i ruanin besimtarët, por paqja e Perëndisë së Plotfuqishëm. Për shkak se Perëndia është sovran dhe në kontoll, të krishterët mund t’ia besojnë Atij të gjitha vështirësitë e tyre, sepse Ai sundon mbi gjithë krijimin dhe është i mençur e i dashur në të gjitha rrugët e Tij (Romakëve 8:31–39). Një qëndrim falënderues ndikon drejpërdrejt në këtë paqe të brendshme.

Mateu 5:9

Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.

Te Lumturitë, Jezusi flet me turmat dhe drejtuesit fetarë dhe udhëzon dishepujt në lidhje me natyrën e jetës në mbretëri (Mateu 5:3–12).

Ata që nxisin paqen mesianike të Perëndisë (hebraisht shalom, mirëqenie e plotë nga ana personale, por edhe në komunitet) do të marrim shpërblimin më të lartë duke u quajtur bij të Perëndisë, teksa reflektojnë karakterin e Atit të tyre qiellor.

Isaia 55:12

Sepse ju do të niseni me gëzim
dhe do t'ju kthejnë në paqe.
Malet dhe kodrat do të shpërthejnë
në britma gëzimi përpara jush
dhe tërë drurët e fushave do të duartrokasin.

Profeti përfundon jo vetëm këtë kapitull por edhe Isaian 40–55 me një vision të hirit triumfues të Perëndisë, ku ndikimet e mëkatit dhe rënies (shih Zanafilla 3:17; Zanafilla 6:11–13) korrigjohen dhe “vetë krijesa do të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Romakëve 8:21). Të çliruarit, që më në fund shkojnë në gëzimin e përjetësisë, janë arsyeja që krijimi të shpërthejë në këngë. “Në vend të gjembave”: Ky është imazhi i një toke të thatë, jopjellore, e cila transformohet. Perëndia do të lavdërohet në përjetësi përmes shfaqjes së hirit të Tij triumfues.

Romakëve 5:1

Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Tema qendrore e Romakëve 5–8 është se besimtarët në Krishtin, që janë shfajësuar përpara Perëndisë, kanë shpresë të patundur për lavdinë e ardhshme dhe për jetën e përjetshme. Ata që janë shfajësuar përmes besimit kanë një shpresë të patundur, duke ditur se do të shpëtojnë nga zemërimi i Perëndisë në ditën e gjykimit përmes vdekjes zëvendësuese të Krishtit në vend të tyre.

Romakëve 5 fillon me një pohim të sigurt të qëndrimit objektiv ligjor të të krishterit, që është: i krishteri përmes besimit në Krishtin, është shfajësuar dhe deklaruar i drejtë nga Perëndia, njëherë e përgjithmonë. Rezultati i kësaj është që i krishteri nuk jeton më nën frikën e gjykimit dhe zemërimit të Perëndisë, por ka paqe me Perëndinë, e cila nuk është thjesht një ndjesi subjektive, por një realitet objektiv.

Galatasve 5:22–23

Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.

Fryma lufton kundër mëkatit jo vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm duke prodhuar tek të krishterët atributet pozitive të një karakteri të perëndishëm, e të gjitha këto janë shfaqur tek Jezusi përgjatë Ungjijve. Paqja është produkti i pajtimit të Perëndisë me mëkatarët, që ata të mos jenë më armiqtë e Tij, dhe kjo duhet të na japë siguri dhe liri për t’iu afruar Perëndisë (Romakëve 5:1–2; Hebrenjve 4:16). Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj, prandaj, ata që i shfaqin po përmbushin ligjin, më shumë se ata që këmbëngulin në ceremonitë judaike, dhe po ashtu më tepër se ata që ndjekin veprat e mishit që përshkruhen te Galatasve 5:19–21.

Efesianëve 2:14–16

Sepse ai është paqja jonë, ai që bëri nga dy një dhe shembi murin e mesit të ndarjes, duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve në dogma, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen, dhe për t’i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në të.

Kjo i referohet gjendjes së një miqësie të harmonishme me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin në kishë. “Ka bërë nga të dy popujt një”, i referohet hebrenjve dhe johebrenjve. E kundërta e paqes është armiqësia, të cilën Krishti e ka shuar. Krishti krijoi një popull të ri të bashkuar nga kampet e vjetra armike (Kolosianëve 3:15; krahaso me Gjoni 17:20–21). “Në mishin e tij”, kjo i referohet vdekjes njerëzore të Krishtit në kryq (shih Efesianëve 2:16). “Murin e ndarjes”, ishte një shkrim në murin e oborrit të jashtëm të tempullit të Jerusalemit, i cili paralajmëronte johebrenjtë që duhet të fajësonin vetëm veten për vdekjen e tyre, në rast se kalonin në pjesën e brendshme të oborrit. Ndoshta Pali po i referohet ose jo këtij muri, por ajo që ilustron më së miri është pajtimi i Krishtit me gjithë njerëzit në një popull të vetëm (shih Efesianëve 2:15).

Në kryq, Krishti i dha fund armiqësisë midis Izraelit dhe kombeve të tjera. Në këtë seksion, fokusi zhvendoset te grupi i ri dhe i unifikuar që Krishti e afron me Perëndinë.

Kolosianëve 3:12–15

Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur: përdëllim dhembshurie, mirësi, përulësi, zemërbutësi dhe zemërgjerësi, duke duruar njëri-tjetrin dhe duke falur njëri-tjetrin, në qoftë se dikush ka ankesë kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju. Dhe, përmbi të gjitha këto, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë. Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës!

Pali i thërret kolosianët të jetojnë një stil jete të shenjtë, në përputhje me identitetin e tyre të ri. Besimtarët janë zgjedhur nga Perëndia dhe qëndrojnë para Tij si të shenjtët e Tij, të cilët Ai i do. Ata duhet të jetojnë në përputhje me thirrjen që kanë në Krishtin.

Toleranca është virtyt në komunitetin e krishterë, edhe pse Pali qartësisht nuk do që kolosianët të tolerojnë mësimet e rreme. Duke falur njëri-tjetrin… sikundër Krishti ju ka falur. Kur trajtohen keq dhe tradhtohen, të krishterët janë thirrur të falin, ashtu siç janë falur për tradhtinë ndaj Krishtit (shih Mateu 6:12, Mateu 6:14–15; Mateu 18:21–22).

Mbi të gjitha, të krishterët janë thirrur për ta dashur njëri-tjetrin (shih 1 e Korintasve 13). Shprehja “lidhja e përsosmërisë” mund të sugjerojë se dashuria i lidh të gjitha virtytet.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-peace/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Paqja

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>