Çfarë është një kishë lokale?

nagesh-badu-nSn5Labyy-M-unsplash

Një kishë lokale është një grup të krishterësh të cilët mblidhen rregullisht në emrin e Krishtit që të afirmojnë zyrtarisht dhe të mbikëqyrin anëtarësinë e njëri-tjetrit në Jezu Krishtin dhe në mbretërinë e Tij përmes predikimit dhe porosive të ungjillit. E di që ky përkufizim është paksa i ngatërruar, por vini re pesë pjesët e tij:

a. një grup të krishterësh;

b. një mbledhje e rregullt;

c. ushtrimi i afirmimit dhe mbikëqyrjes nga e gjithë bashkësia;

d. qëllimi është që zyrtarisht të përfaqësojnë Krishtin dhe sundimin e Tij mbi këtë tokë – ata mblidhen në emrin e Tij;

e. përdorimi i predikimit dhe porosive të ungjillit për këto qëllime.

Ashtu si shpallja e pastorit e bën një burrë dhe një grua çift të martuar, po kështu edhe katër pikat e fundit e transformojnë një grup të zakonshëm të krishterësh që kalojnë kohë së bashku në një park – menjëherë! – në një kishë lokale.

Mbledhja është e rëndësishme për një sërë arsyesh. Njëra është që këtu ne të krishterët dalim “publikisht” për të shpallur besnikërinë tonë më të lartë. Kisha është baza apo ambasada, e cila i jep një paraqitje publike kombit të saj. Këtu ne përkulemi para mbretit tonë, vetëm se këtë gjë e quajmë adhurim. Faraonët e botës mund të na kundërshtojnë, por Perëndia i tërheq njerëzit e Tij nga kombet që ta adhurojnë Atë. Ai do ta formojë bashkësinë e Tij të madhërishme.

Mbledhja është gjithashtu konteksti në të cilin mbreti ynë ushtron sundimin e Tij përmes predikimit, porosive, dhe disiplinës. Predikimi i ungjillit shpjegon “ligjin” e kombit tonë. Ai deklaron emrin e mbretit tonë dhe shpjegon flijimin që Ai ofroi për t’u bërë mbreti ynë. Predikimi na mëson udhët e Tij dhe na ballafaqon në mosbindjen tonë. Gjithashtu na siguron për kthimin e Tij të afërt.

Përmes pagëzimit dhe Darkës së Zotit, kisha valëvit flamurin dhe vesh uniformën e ushtrisë së kombit tonë. Këto gjëra na bëjnë të dukshëm. Të pagëzohesh do të thotë ta identifikosh veten me emrin e Atit, Birit, dhe Frymës së Shenjtë, si dhe të identifikosh bashkimin tonë me vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit (Mateu 28:19, Romakëve 6:3-5). Të marrësh Darkën e Zotit do të thotë të shpallësh vdekjen e Tij dhe anëtarësinë tonë në trupin e Tij (1 Korintasve 11:26-29, krahaso me, Mateu 26:26-29). Perëndia dëshiron që populli i Tij të jetë i dallueshëm dhe i njohur. Ai dëshiron të ketë një vijë të qartë ndarëse mes kishës dhe botës.

Çfarë është kisha lokale? Është institucioni që Jezusi e krijoi dhe e autorizon që të shpallë ungjillin e mbretërisë, të afirmojë atë që e rrëfejnë ungjillin, të mbikëqyrë dishepullizimin e tyre, dhe të demaskojë mashtruesit. E gjithë kjo do të thotë, që ne nuk “i bashkohemi” kishës sikurse i bashkohemi një klubi. Ne i nënshtrohemi asaj.

Ky artikull është shkëputur nga libri Church Membership: How the World Knows Who Represents Jesus [Anëtarësia e Kishës: Si e di bota se kush e përfaqëson Jezusin] (Crossway).

%d bloggers like this: