artikull pjesa 3

Janar 2022                                                                      


Pjesa e tretë - Si të jetosh për lavdinë e Perëndisë në martesë

Pra, ta njohësh dhe ta çmosh Perëndinë, dhe ta vlerësosh lavdinë e Tij mbi gjithçka, madje edhe mbi bashkëshorten/bashkëshortin tënd, është çelësi për të jetuar një martesë për lavdinë e Perëndisë. Është e vërtetë se në martesë, ashtu sikurse edhe në çdo marrëdhënie tjetër: Perëndia përlëvdohet më tepër në ne, kur ne kënaqemi më tepër në Të.

Ja, cili është çelësi që hap një mijë dyer. Të kesh kënaqësi më të madhe në Perëndinë sesa në gjërat tokësore, përfshirë këtu edhe bashkëshorten, shëndetin apo jetën tënde (Psalmi 63:3: “dashamirësia jote vlen më tepër se jeta”), është burimi i durimit të madh, pa të cilin bashkëshortët nuk mund të duan dot si Krishti, dhe bashkëshortet nuk mund të ndjekin dot si nusja e Krishtit, kisha. Efesianëve 5:22-25 e bën të qartë që bashkëshortët i marrin shtysat e tyre të udhëheqjes dhe dashurisë nga Krishti, dhe bashkëshortet i marrin shtysat e tyre rreth nënshtrimit dhe dashurisë nga përkushtimi i kishës, për të cilën Ai vdiq. Që të dyja këto veprime plotësuese dashurie–udhëheqja dhe nënshtrimi–nuk mund të ushtrohen për lavdinë e Perëndisë pa pasur kënaqësinë më të lartë në Perëndinë, pra, në gjithçka që Perëndia është për ne në Krishtin.

Dy mënyra se si Perëndia e shkëlqen lavdinë e Tij përmes martesës

Më lejo ta them ndryshe. Ka dy nivele në të cilat lavdia e Perëndisë mund të shkëlqejë përmes një martese të krishterë:

Një mënyrë është në nivelin e strukturës, kur të dy bashkëshortët i përmbushin rolet e tyre të dhëna nga Perëndia–bashkëshorti në rolin e udhëheqësit si Krishti dhe bashkëshortja si mbrojtëse dhe ndjekëse e asaj udhëheqjeje. Kur ky rol jetohet praktikisht, lavdia e dashurisë dhe urtësisë së Perëndisë në Krishtin, shfaqet para botës.

Gjithsesi, ka edhe një nivel më të thellë, një nivel më themelor ku lavdia e Perëndisë duhet të shkëlqejë, nëse këto role do të ushtrohen, ashtu siç Ai i planifikoi. Fuqia dhe impulsi për të vazhduar në vetëmohim dhe vdekje të vetes çdo ditë, muaj dhe vit, të cilat kërkohen për të dashur një bashkëshort ose bashkëshorte të papërsosur, duhet të vijnë nga kënaqësia superiore në Perëndinë. Kjo kënaqësi jep shpresë dhe e forcon shpirtin. Mendoj se dashuria jonë për bashkëshortet tona apo dashuria e tyre për ne do ta përlëvdojë Perëndinë, vetëm kur ajo të rrjedhë nga një zemër që gjen kënaqësi në Perëndinë më tepër se në martesë.

Martesa do të ruhet për lavdinë e Perëndisë dhe do të marrë formë për të, kur ajo lavdi të jetë më e çmuar për ne se vetë martesa. Kur mund të themi bashkë me apostullin Pal (te Filipianëve 3:8): “Po me të vërtetë i konsideroj të gjitha se janë dëm për madhështinë  e njohjes së Krishtit Jezus, Zotit tim”–kur mund ta themi këtë për martesën tonë–për bashkëshortin apo bashkëshorten tonë–atëherë, ajo martesë do të jetohet për lavdinë e Perëndisë.

Po e mbyll duke u përpjekur ta them gjithë këtë edhe në një mënyrë tjetër, domethënë, me një poemë të cilën e shkrova për djalin tim, ditën e dasmës së tij.

Duaje atë më shumë dhe duaje atë më pak

Për Karsten Luke Piper
në dasmën e tij me
Rochelle Ann Orvis
29 Maj 1995

Perëndia që kemi dashur, dhe në
të Cilin kemi jetuar, Ai që ka qenë
Shkëmbi ynë këto njëzetë e dy vite me ty,
tani na thotë, mes lotësh gëzimi,
të të lëmë të shkosh: “Burri do ta lërë
babanë dhe nënën e tij, dhe do të bashkohet
tani e tutje me bashkëshorten e tij, për të qenë
një mish i vetëm, pa turp dhe të lirë.”
Kjo është fjala e Perëndisë sot,
dhe me gëzim i bindemi.

Se Perëndia të dha një nuse
Ai është përgjigjur për çdo lutje
për njëzet vjet me besim

për ty, edhe pse emrin nuk ia dinim.

Tani të shkruaj më kërkon
një poemë - punë me rrezik,

se unë më tepër, aq sa ti di;

jam predikues, jo poet apo artist.
Jam i nderuar nga
guximi yt dhe pajtohem me të.

Nuk më vjen keq për këta kufij të ëmbël
të dysheve që rimojnë dhe rreshtave të matur.
Ata janë miq të vjetër dhe iu pëlqen
kur ndihmë sërish ju kërkoj
që t’i mbledh ndjenjat t’i formoj,
t’i mbaj të ngrohta dhe të qëndrojnë.

Prandaj u takuam ditët e fundit,
e lamë përmbytjen e dashurisë, lavdërimit
dhe këshillës të rrjedhë nga zemra e një ati
përgjatë brigjeve të artit.
Ja ku është një pjesë e rrjedhës,
biri im; një poemë predikimi. Tema e saj;
Rregull i dyfishtë i dashurisë që trondit;
një doktrinë në një paradoks:

Nëse synon që bashkëshorten ta bekosh,
Atëherë duaje më shumë dhe duaje më pak.

Nëse në vitet që do të vijnë, nga ndonjë
provani e pazakontë e Perëndisë,
arrin të kesh pasuritë e kësaj epoke,
dhe pa njohur dhimbje jeton k
’të jetë
përkrah bashkëshortes, që në shëndet
ta duash atë, duaje më tepër se pasurinë.

Nëse jeta jote është e thurur në
njëqind miqësi, dhe nga të gjitha
ndjenjat e ëmbla, të mëdha dhe të vogla
tjerr një rrobë festive,
sigurohu, nuk ka rëndësi,
duaje atë, duaje më shumë se çdo miqësi.

Dhe nëse vjen një çast kur ti
të lodhesh, dhe keqardhja pëshpërit,
“Bëji vetes një nder. Eja, ji i lirë;
përqafo rehatinë bashkë me mua.”
Ta dish! Bashkëshortja jote i kalon këto
prandaj duaje, duaje më shumë se rehatinë.

Kur shtrati martesor të jetë i pastër,
kur të mos ketë asnjë joshje
për një dëshirë, përveç bashkëshortes,
kur gjithçka është ekstazë në jetë,
sekreti që të mbron nga të gjitha këto:
Duaje atë, duaje më tepër se seksin.

Dhe nëse shija rafinohet,
dhe prekesh thellë nga ajo që mendja
e njeriut mund të bëjë, mahnitesh nga
zotësia e tij, kujto se “arsyeja”
e gjithë kësaj vepre gjendet në zemër;
Prandaj duaje, duaje atë më tepër se artin.

Dhe nëse arti yt do të jetë një ditë
zotësia për të cilën kritikët bien dakord
se meriton të vlerësohet,
dhe fiton më shumë nga ç’mund të ëndërrosh,
kujdes nga rreziku i famës.
Prandaj duaje, duaje atë më tepër se famën.

Nëse për habinë tënde, dhe jo timen, Perëndia
të thërret përmes një plani të çuditshëm
të rrezikosh jetën për një kauzë të madhe,
as frikë as dashuri mos të të pengojë,
edhe kur vdekjen të kesh përballë,
Duaje atë, duaje më tepër se frymën.

Po, duaje atë, duaje atë, më tepër se jetën;
Oh, duaje gruan e quajtur bashkëshorte.
Shko ta duash si më të mirën mbi dhe.
Përtej kësaj, mos shko. Por, që
dashuria jote të mos bëhet fasada e një të marri,
sigurohu ta duash atë më pak se Perëndinë.

Nuk është me mend apo mirë ta quash
një idhull me emra të bukur, dhe të biesh,
si me përulësi, përpara
një ngjashmërie të Perëndisë tënd. Admiro
më tepër se më të dashurën tënde mbi tokë
Perëndinë vetë, që asaj i jep jetë.


Dhe ajo do ta dijë në vend të dytë
se dashuria jote e madhe është edhe hir,
që ndjenjat e tua të larta tani
po rrjedhin lirshëm nga një betim
poshtë këtyre premtimeve, që së pari
u bënë nga Perëndia. As do të fishken
sepse rrënjosur janë pranë rrjedhës

së Gëzimit të Qiellit, të cilën e vlerëson
edhe më tepër se jetën dhe frymën e çmon,
që bashkëshortes t’ia dhurosh.

Dhurata më e madhe që i jep bashkëshortes tënde
është të duash Perëndinë më shumë se jetën e saj.
Kështu tani të them që ta bekosh:
Shko duaje më tepër duke e dashur më pak.

Kapitulli tre i librit Building Strong Families (Crossway, 2002)


Përktheu: Asim Hamza| Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/the-surpassing-goal-marriage-lived-for-the-glory-of-god  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim